tagging release
[dasher.git] / Data / Translations / training_albanian_SQ.txt
blobed6be10d8e07f800ca892200ab46c9ba8b466cac
1 Albanian Training
3 Ishte e martë mbasdite. Donte edhe një orë që të mbaronte orari zyrtar. Agimi ngriti kokën nga dosja dhe fërkoi sytë. Kishte një javë që kishte filluar punën dhe ende nuk po mësohej dot me leximin e zgjatur. Fqinji i tij nga e djathta lëvizi nga në ndenjëse pa e ndërprerë leximin. Në tryezën e gjatë dëgjohej herë pas here fëshfërima e fletëve që ktheheshin. Askush nuk po e ngrinte kryet. 
4 Ishte muaji nëntor. Dosjet sa vente bëheshin më të trasha. Ishte periudha e zakonshme e vërshimit të ëndrrave. Kjo ishte një nga gjërat kryesore që kishte mësuar Albani gjatë javës së parë në punën e re. Ëndrra shikoheshin gjithmonë dhe ëndrra dërgoheshin gjithmonë, dhe kështu do të ishte në jetë të jetëve, por megjithatë kishte periudha që ato buisnin, ashtu siq kishte edhe tjera që pakësoheshin. Tani ishte një periudhë vërshimi. Ato mbërrinin me dhjetëra mijëra nga të gjitha skajet e shtetit të pafund. Dhe kështu do të vazhdonin gjer në fund të vitit. Dosjet do të fryheshin e do të frysheshin pa pushim, bashkë me shtrëngimin e të ftohtit. Pastaj, pas Vitit të Ri, do të kishte njëfarë mehje në pranverë.
5 Me bisht të syrit, Arta vështroi edhe një herë fqinjin e tij të djathtë, pastaj atë të majtin. Lexonin vallë vërtet apo bënin sikur? Ai vuri dorën te tëmthi dhe uli sytë mbi fletë, por në vend të shkronjave nuk shikonte ca miza, humbur në mjegull. Jo, s’ishte e mundur, tha me vete. Të gjithë ata që mbanin kryet ulur mbi dosje, me siguri shtireshin. Ishte vërtet një punë skëterre.
6 Me ballin mbështetur në pëllëmbë të dorës, ai nisi të sillte ndër mend diqka që kishte dëgjuar atë javë nga nëpunësit e vjetër të seleksionimit, për baticat dhe zbaticat e ëndërrave, për shtimin dhe pakësimin e tyre, që kishin lidhje me stinët, me sasinë e reshjeve, thatësirën apo lagështinë e ajrit. Shumica nuk dinin shkrim, ndaj edhe vinin që herët, pa kaluar ende nga pijetorja, për të mos harruar ëndrrën. Ata e thoshin atë me gojë, ndërsa shkruesi, me sy të përgjumur hidhte në letër atë atë që dëgjonte. Prej vitesh qarkullonin legjenda se një njeri i varfër nga një nënperfekturë e padëgjuar, kohë më herët e paska shpëtuar shtetin!
7 Arlinda nuk i tha asgjë s’ëmës, për të mos e trembur. Megjithatë, kur pas një ore hipën të dy në karrocë për të shkuar te Fisniku, ai nuk u përmbajt dot:
8 - Sot në Prishtinë ka pasur njëfarë shqetësimi. 
9 - Si? – ia bëri ajo, duke i kapur dorën. – Ç’shqetësim? Përse? Midis heshtjes, kërkëllima e rrotave të karrocës dukej e padurueshme. 
10 Pas qelqeve të karrocës, në dritën e dobët të fenerëve, mezi shquanin në gjysmëterr ndërtesat e zymta nga të dy anët e rrugës. Ky mendim nisi ta mundonte shpesh e më shpesh. Jo, kurrsesi s’mund të shtyhej. Në të vërtetë, ai vet nuk arriti dot të kuptonte nëse donte që darka të shtyhej apo të mos shtyhej. Megjithatë, kur dalloi që larg fenerët e ndezur në portën e jashtme të pallatit, pastaj karrocat e të ftuarve pranë trotuarit, provoi një ndjesi lehtësimi. 
11 Hyrja e Fisnikut ngriu në çast gjithqka. Nuk ishte vetëm zymtia e fytyrës së tij, me të cilën shumica e njerëzve që ishin aty ishin mësuar, por njëfarë mungese e ndjeshme në atë fytyrë, thua se i zoti i shtëpisë habitej që po i shikonte aty dhe po priste prej tyre t’i thoshin përse ishin mbledhur. Pasi i takoi, ai qëndroi në këmbë përpara njërës prej proshunave, duke zgjatur duart sipër saj, thua se kishte ftohët. Të prerat poshtë syve të tij u dukën më të thella se atëherë, në atë darkën e paharrueshme. Sytë e disa prej të ftuarve kërkuan vështrimin e Vezirit, por ato fjalë u dukën sikur kaluan anash tij. Me siguri, ai e di çfarë po ndodh, mendoi Albani, ndryshe nuk do të ishte kaq mospërfillës për fjalët e të vonuarit. As për Albanin nuk tregoi ndonjë vëmendje, thuajse ajo darka e disa javëve më parë, me atë bisedën e përçartë të mos kishte qenë fare. Një orë më parë, në karrocë, Albani pati njëfarë mëdyshjeje: mos duhej vallë t’i tregonte Vezirit atë që kishte ndodhur në Prishtinë? Mos kishte ardhur ai çasti që duhej të kishte mendjen? Mirëpo tani që po shikonte mospërfilljen e tjetrit, Albani e ndjeu veten e çliruar. I qetë, ai vështronte figurat e sixhadesë së madhe persiane, dhuratë e sovranit për ditëlindjen e Vezirit. 
12 Një fotografi aq e pritur nuk u bë në Selanik. Ai samit nuk solli momentin historik të fotografimit të liderëvë të shqiptarëve të Kosovës me “përfaqësues të Beogradit”. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Javier Solana dhe ish-shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, ishin ata të cilët më shumë se kushdo tjetër e donin një fotografi të tillë historike. Në fund Solana u fotografua me presidentin e Unionit Serbi-Mal i Zi, Maroviq, ndërsa Steineri me delegacionin multietnik të UNMIK-ut, siç quhej zyrtarisht delegacioni i kryesuar nga Steineri e në të cilin ishin edhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi dhe koordinatori Milorad Todoroviq. Steineri nxori nga pala kosovare që atë kohë “gatishmërinë për të nisur bisedimet”, ndërsa Solana, pa i pyetur fare kosovarët, ndoshta duke e marrë fjalën e Steinerit si qëndrim të kosovarëve nuk ka parë as arsye ti pyes, tha se “është arritur pajtim që dialogu të nis në muajn korrik”. Kjo fjali e Solanës mbeti si rezultati i vetëm historikë i samitit sa i përket pjesës së Ballkanit dhe jehojë në media më shumë sesa përsëritja e premtimeve se “çfarëdo të ndodhë Ballkani do të jetë në Evropë ku e ka vendin”. Rezultati momental ka nganjëherë më shumë efekt sesa mosrealizimi i tij afatgjatë. Pak nga agjencitë që kishin njoftuar për “arritjen e pajtimit historik që të nis dialogu në korrik”, kanë njoftuar më vonë se as në shtator ende nuk ka nisur ai dialog. Tash nga Bashkimi Evropian dëgjohen arsyetime se paska qenë fakti që Steineri në atë kohë ishte në largim e sipër nga posti i tij i kryeadministratorit të Kosovës shkaku pse nuk qe e mundur të nisë dialogu, ndërsa tash kur në këtë post është Holkeri kjo gjë po bëhet e mundur. Kujtimi i Selanikut duhet të sqarojë një gjë që Solana nuk dëshiron ta përmendë. Ishte Beogradi ai që në atë kohë refuzoi të niste dialogun në Selanik dhe ishte Steineri arsyeja pse Beogradi nuk e bëri këtë, sepse nuk dëshironin t’i “bënin qejfin Steinerit që t’i shkruajë në biografinë e tij se ai arriti t’i sjell pranë tryezës të bisedimeve Beogradin dhe Prishtinën”. Zyrtarët e Beogradit e kanë thënë vetë këtë publikisht. Pala shqiptare në atë kohë ishte e gatshme, madje pas disa presioneve dhe pas vërejtjeve se po të dështonte nisja e dialogut në Selanik me fajin e palës kosovare do të kishte pasoja për të. Presioni ndaj saj ishte aq i madh saqë u tha qartë dhe publikisht se po të mos jetë e gatshme të bisedojë me Beogradin nuk do të ftohej fare në Selanik. Dhe nisja e dialogut në Selanik nuk ndodhi për shkak se Beogradi këtë nuk e deshi. E në Selanik nuk ka qenë fare e rëndësishme se a është Steineri në largim e sipër, sepse dialogu është dashur të niste vetëm simbolikisht. Tash po përsëritet atmosfera e para Selanikut, kosovarët përsëri kanë qëndrime të ndryshme se a duhet të inkuadrohen në dialog apo jo, a ka nevojë fare për dialog apo jo. Bëjnë debate të ndryshme me këto dilema edhe pse e dinë se nuk ka zgjidhje tjetër përpos të pranojnë nisjen e dialogut. Edhe pse mund të mendojnë se bashkësia ndërkombëtare ka vendosur pa i pyetur shumë liderët kosovarë lidhur me agjenden e bisedimeve me Beogradin, edhe pse Parlamenti i Kosovës u mundua t’i shmanget përgjegjësisë vetëm duke diskutuar e nuk pati guxim të marrë qëndrim të qartë për dialogun, kosovarët nuk kanë zgjidhje tjetër pçrpos të inkuadrohen në atë dialog, por këtë duhet ta bëjnë pa hamendje. Numri i atyre që mbështesin dialogun në bashkësinë ndërkombëtare është aq i madhë saqë kosvarëve nuk u lënë më hamendje për pyetjen “Po” apo “Jo” dialogut me Beogradin. A e dëgjuam mirë apo jo se çfarë tha miku ynë Bill Clinton i cili rëndësinë e dialogut me Beogradin e ngriti në qiell. Që nga Brukseli e Washingtoni e deri në Tiranë e Berlin dëgjojmë të njëjtat fjalë për rëndësinë dhe mbështetjen e dialogut, por në Prishtinë vërehet ende frika nga përgjegjësia e liderëve tanë të cilët dëshirojnë që për nisjen e dialogut ta kenë një mbështetje institucionale. Prapë kemi ardhur në fazën kur dialogu nuk bën të dështojë për shkak të palës kosovare, sepse në rast se dështon për fajin tonë atëherë pasojat për Kosovën do të jenë më të mëdha. Në rast se dështon për fajin e Beogradit, atëherë pala serbo-malazaise nuk do të këtë pasoja. Ndoshta Beogradi edhe është i interesuar që dialogu të dështojë. Dështimi i dialogut dhe dëshmia se “shqiptarët e serbët nuk kanë çfarë të bisedojnë, ata kurrë nuk mund të pajtohen mes veti” mund të shërbejë si argument për të ndarë Kosovën. “Do të befasoheshit po ta dini se ç’nivele të larta në Beograd përmendet mundësia e ndarjes së Kosovës” na tha këto ditë në bisedë private një zyrtar i BE-së që ishte më parë në Beograd e si me ironi i përgigjem se “e paske zbuluar ujin e ngrohtë”, sepse në të gjitha nivelet në Beograd e në mesin e serbëve të Kosovës mbështetet dhe punohet për këtë ide. Beogradi vetëm dëshiron të gjejë arsyetim për ndarje e që vetë të mos e merrte fajin. A ju kujtohet çfarë tha Todoroviqi në Selanik; “Nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë serbët e Kosovës nuk mund të rrinë në atë Kosovë dhe serbëve nuk do t’u mbetet faji për ndarjen e Kosovës”. E ai përfaqësues i Kosovës në Selanik e kishte thënë qartë se “E kemi gabim nëse mendojmë se serbët e Kosovës do të kenë ndonjë qëndrim tjetër prej atij të Beogradit” dhe këtë duke u përgjigjur në një pyetje se në cilën atë të tavolinës do të jetë në dialogun. Rëndësia e dialogut nuk janë pikat për të cilat do të diskutohet por më shumë simblika se në Ballkan tash të gjithë bisedojnë me të gjithë dhe kjo do të krijojë kushte për zgjidhjen e problemeve më të mëdha. Serbia edhe ashtu po i shet rrymë Kosovës, tregtia po bëhet, qoftë në të zezë qoftë në të bardhë, e sa për pranimin e targave të automjeteve kjo është çështje unilaterale e Beogradit nëse do t’i pranojë apo jo. Madje, ka zëra që UNMIK-u tashmë është marrë vesh për të gjitha këto pika me Beogradin dhe dëshiron vetëm t’i legjitimojë ato përmes përfshirjes së vonuar të shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës në këtë proces. UNMIK-u deri me tash ka patur edhe dialog edhe bashkëpunim të ngushtë dhe kordinim me Beogradin, por institucionet e Kosovës nuk kanë patur qasje në përmbajtjen e këtyre kontakteve. Pra, në një mënyrë nisja e dialogut do të jetë një akt i kryer për kosovarët, të cilët megjithatë duhet të jenë të sigurt dhe të inkuadrohen në dialog pa shumë zhurmë.
13 Kur kishte shikuar moshatarët e vet duke kërcyer nga kërcimorja e pishinës Aqua park në fshatin Davidovc të Shtimes, Sherifi 12-vjeçar sa s’kishte plasur nga inati. Mirëpo, të enjten ai dëshmonte se mund të kërcente edhe vetë në ujë. Më këmbë, sa për fillim, por ai thotë se së shpejti do të mbledhë pakëz guxim më shumë dhe të kërcejë më kokë. “Shumë mirë që po kërcej”, tha ia duke fryrë nga pak supet lartë si një hero që ia kishte dal mbanë. Aqua Park është një ndër dhjetëra pishina private që janë ndërtuar pas luftës në anembanë në territorin e Kosovës. Pishinat e ndërtuara shërbejnë pos për freskim, edhe për edukatën e notit ndër popullatën shqiptare. Sherifi 12-vjeçar, zor se do të mësonte të notonte e të kërcente në ujë pastaj, po të mos ishte pishina që e viziton rregullisht. 
15 Noti është shumë i rëndësishëm për njeriun
17 Sipas njërit nga dy shpëtimtarët e pishinës Aqua Parka, Fadil Ejupit, popullata kosovare ka filluar të vetëdijësohet rreth rëndësisë së notit. Por, jo sa duhet... “Një pjesë të madhe të fajit e kanë arsimtarët e kulturës fizike nëpër shkolla që nuk punojnë me të rinjtë në këtë drejtim..., noti në botë është primar dhe aplikohet në rend të parë ngase zhvillohet e tërë struktura trupore e personit”, thotë Fadil Ejupi, njëri nga shpëtimtarët e kësaj pishine. Mirëpo, të enjten në këtë pishinë shumica e vizitorëve, meshkuj, por kërcenin nga kërcimorja kush me këmbë e kush me kokë. Ata më të rryerit po bënin edhe akrobacione të vogla. “Nuk ka ndonjë rregull strikte rreth kërcimit nga kërcimorja, por gjithsesi kemi kujdes që mos të kërcejë ndonjë individ që nuk e njeh mirë notin, ngase sapo ta nxjerrë dorë nga uji personi, ne e dimë se sa në të vertëtë e njeh ai notin dhe, natyrisht, përpiqemi të intervenojmë me kurse, këshillime e mënyra tjera”. Ka edhe të atillë, siç tha Ejupi, që nuk i pranojnë këshillat. “Kemi qenë në det dhe dimë”, i kishin thënë disa vizitorë Ejupit në një rast kur ai kishte dashur t’i këshillonte pasi që ishte frikësuar se mos e pësojnë nga mosdija.
19 Kurset e notit
21 Megjithatë, në Kosovë kurse të vazhdueshme për mësimin e notit nuk mbahen, ose mbahen kuturu. Shembull i kundërt me këtë ka qenë Hungaria e viteve pesëdhjetë që pat nisur fushatën e quajtur: “Zhdukja e analfabetizmit në not”. Në Aqua Park të enjten, disa vigëlushë vogëlushe po bënin lëvizjet e para të notit në pjesën e ndarë të pishinës për ta. , Kohë më parë në këtë pishinë ishte organizuar një kurs noti - gratis, për të gjitha ata që donin t’i mësonin shkathtësitë e notit.
23 Pishinat në Kosovë, sa vijnë e shtohen
25 Pishinat në Kosovën e pasluftës dita ditës janë duke u shtuar, ndërsa ajo e Davidovcit është vetëm një nga të shumtat, e ngritur para tri vitesh nga pronari Halim Baftiu. Ajo që bie në sy që në hyrje në pishinës është mbishkrimi i madh -Rregullore, në të cilën nën nenet e shumta shkruan edhe “Ndalohet kërcimi në hap, përveç në kërcimore”. Se sa i respektojnë vizitorët këto rregulla është vështirë të vërtetohet, por siç tha pronari “ne mundohemi të ndikojmë tek vizitorët me këshillime të ndryshme që të kenë kujdes”.
27 Fisnikëria
28 Lindja dhe zhvillimi i fisnikërisë shqiptare të tokës u krye në kushte specifike nëpërmjet veprimit të shumë faktorëve kontradiktorë. Së pari, në kushtet kur vendi mbeti përgjatë gjithë kohës nën sundimin e perandorive e të mbretërive të huaja, kuptohet që procesi i rritjes së klasës feudale shqiptare mbartte kufizimet e veta drejt arritjes së një fizionomie të plotë nacionale të saj.
29 Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre me sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator, sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.), aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles, kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan, kasnec, vojvodë etj). Në fakt, mjaft fisnikë shqiptarë ishin të integruar në administratat e huaja, qendrore e provinciale, në atë masë saqë dobësoheshin lidhjet me mjediset e tyre. Qysh në fillimet e shek. XI ka dëshmi për fisnikë shqiptarë nga familjet Skurra, Arianiti etj., që ishin përfshirë në fisnikërinë e Mbretërisë së Sicilisë apo të Perandorisë Bizantine. Por kjo nuk do të thotë se shumica e aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim e tutelë të huaj, të mos orientohej ku më shpejt e ku më vonë drejt emancipimit të vet, siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi i Principatës së Arbrit që në shek. XII, apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore shqiptare në shek. XIV-XV.
30 Karakteristikë e përbashkët është se vatrat e këtyre formacioneve ndodheshin thuajse gjithmonë larg qyteteve e kështjellave, ku qe përqendruar administrata e pushteti i huaj, qoftë ky bizantin, anzhuin apo serb. Familjet që ishin në krye të principatave të shekujve XII-XV, nga Skurrajt, Blinishtët, Jonimët, Arianitët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj., vinin kryesisht nga zonat malore. Pushteti i tyre mbështetej në lidhjet që këta krerë kishin me popullsinë e vendit, duke përfshirë edhe lidhjet e gjakut, në madhësinë e "fisit" e, për rrjedhojë, në numrin dhe në cilësinë e forcës së armatosur që këta krerë kishin mbas vetes. Kjo përbënte në thelb bazën e autoritetit të tyre. Sunduesit e radhës, bizantinët, anzhuinët apo serbët, detyroheshin t'i llogaritnin këta krerë, që zotëronin një potencial luftarak të konsiderueshëm. Ndaj kërkuan t'i tërhiqnin ata duke u njohur, në një farë mase, pushtetin e tyre mbi zonat respektive, duke u dhënë tituj e prona dhe duke i përfshirë kështu në sistemin e qeverisjes. Ky raport i pushteteve të huaja me aristokracinë shqiptare u shoqërua edhe me joshjen nëpërmjet dhënies së pronave dhe zhvendosjes së mjaft krerëve drejt viseve ku ndodheshin qendrat e pushtetit. Kështu, në shek. XIV, Skurrajt e malësisë së Tiranës ishin bërë zotër të një pjese të madhe të ultësirës, që për hir të tyre u quajt "Skurrje". Mjaft prej Skurrajve u vendosën në Durrës e u bënë qytetarë të tij. E njëjta gjë ndodhi me Muzakajt e malësisë së Oparit, të cilët po atë kohë shtinë në dorë një pjesë të mirë të ultësirës midis Beratit, Vlorës e Karavastasë, e cila për hir të tyre filloi të quhet "Muzakje" (Myzeqeja e sotme). Dhurimin e pronave apo të feudeve në zonat fushore, rreth e rrotull qendrave të mëdha, si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës, Vlorë, Vageneti, Janinë, Kolonjë, Devoll etj., krerët shqiptarë duhet ta shpërblenin duke u ofruar shërbimet e tyre, kryesisht shërbimin ushtarak, strategëve bizantinë apo mëkëmbësve e kështjellarëve anzhuinë. Kështu, qoftë në epokën bizantine, qoftë edhe në atë anzhuine, në kështjellat kryesore të Durrësit e Vlorës përmenden krerë të ndryshëm nga krahinat fqinje, të cilët qëndronin brenda mureve të kështjellave në fjalë për një periudhë të caktuar bashkë me suitën e tyre (familia). Atyre u besohej ruajtja e objekteve të veçanta, zakonisht e kullave përgjatë murit rrethues. Pjesën tjetër të vitit krerët feudalë e kalonin në zotërimet e tyre ku ndodhej banesa e fortifikuar (fortis domus), në të cilën ata strehoheshin bashkë me familjen e me njerëzit e tyre të armatosur. Sipas shtrirjes së zotërimeve të tyre, feudalët mund të kishin disa vendqëndrime të tilla të fortifikuara. Mjaft prej tyre kishin dhe rezidenca verore, ku kalonin muajt e nxehtë të vitit, si, p.sh. Balshajt në malësinë e Tivarit apo Muzakajt në atë të Skraparit. Që nga shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi, Shkodra, Ohri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë të kohës "për punë ose për t'u zbavitur" (pro suis factis vel pro placere). Shumë prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve aristokrate të qyteteve tona, si Skurraj, Vranajt, Neshat në Durrës, Sumat e Spanët në Shkodër, flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë së tokës në shek. XIII-XIV. Në kohën e emancipimit të plotë të tyre, në shek. XIV, mjaft krerë shqiptarë e shpërngulën selinë e tyre kryesore në qytetet e kështjellat e mëdha. Kështu, Topiajt kaluan nga Kruja në Durrës, Balshajt e vendosën rezidencën kryesore në Shkodër, Zahariajt në Dejë, Dukagjinët në Lezhë, Gropajt në Ohër, Muzakajt në Berat, Shpatajt në Artë, e kështu me radhë. Vendqëndrimi i tyre në qytet ngrihej në pjesën mbizotëruese të tij (castrum), aty ku më parë qëndronte qeveritari bizantin, serb apo anzhuin. Ai formonte një sistem të fortifikuar të mëvetshëm brenda kështjellës, shpeshherë e ndarë prej saj me mure. Rezidenca e sundimtarit përfaqësohej nga banesa për të dhe për familjen, si dhe kazerma për gardën e tij të armatosur. Në të përfshiheshin depot e drithit e të armëve, pusi ose cisterna e ujit, farkëtaria e deri burgu i kështjellës, pra gjithçka që lejonte funksionimin e pavarur të kësaj pjese të qytetit në rast rrethimi. Zona rezidenciale e kështjellës përbënte në çdo rast pjesën më të mbrojtur të saj dhe bastionin e fundit të qëndresës në rast sulmi. 
31 Objekte të rëndësishme ushtarake, siç ishin kullat përgjatë mureve rrethuese të qytetit, merreshin në mbrojtje nga njerëz të besuar të feudalit me trupat e tyre.
32 Veçoritë që karakterizuan zhvillimin e fisnikërisë shqiptare gjetën pasqyrim edhe në mënyrën e organizimit e të funksionimit të oborrit feudal e, në një kuptim më të gjerë, të formacioneve feudale shqiptare. Edhe këtu, ndikimi i traditës ishte mjaft i fuqishëm.
33 Nëse lihet mënjanë një shtrirje e kufizuar e territorit bregdetar shqiptar, ku në periudha të veçanta u ndie fort ndikimi i feudalizmit perëndimor, në përgjithësi në Shqipëri vepronte e drejta bizantine, por dhe kjo ishte efektive në viset fushore, pranë qendrave të mëdha administrative. Kjo e drejtë njihte si zot e pronar të vetëm shtetin, në personin e perandorit, ndërsa feudalët e veçantë s'ishin veçse përdorues të tokës, të cilën vetë perandori ua kalonte me dekret të veçantë, për një kohë të kufizuar dhe me kushte të përcaktuara, ndër të cilat shërbimi ushtarak në favor të perandorit përbënte kushtin kryesor. Ky qe thelbi i sistemit të pronies, që përbënte bazën e feudalizmit bizantin në shekujt XI-XIV. Kuptohet që një sistem i tillë, ndërsa krijonte një shtresë fisnikësh të lidhur me pushtetin qendror, i krijonte tej mase pengesa fuqizimit dhe emancipimit të tyre politik, për sa kohë ata nuk ishin pronarë me të drejta të plota të tokës së tyre. Në rast se proniari ose pasardhësi i tij nuk u përmbaheshin detyrimeve ndaj perandorit, përkatësisht detyrimit ushtarak, ata privoheshin nga pronia, e cila po me dekret perandorak (krysobullë) i jepej një personi tjetër. Rrjedhimisht, sistemi qe menduar i tillë që nuk nxiste fuqizimin e feudalëve të veçantë, qoftë nëpërmjet kufizimit e kushtëzimit të institucionit të trashëgimisë.
34 E drejta dhe jeta feudale në Shqipëri
35 Është e vërtetë se veprimi i së drejtës bizantine paraqitej i kufizuar në Shqipëri, qoftë për statusin e veçantë që kjo kishte në kuadrin e Perandorisë Bizantine, qoftë dhe për faktin se këtu, për kushtet e terrenit, kishte peshë deri vonë në shek. XIV prona e vogël e lirë e fshatarit. Kjo e fundit i nënshtrohej më së shumti veprimit të së drejtës tradicionale dokesore, e cila, nga ana e saj, nuk mungoi të ndikojë fuqishëm edhe në marrëdhëniet që ndërthurreshin përreth familjeve dhe oborreve feudale, aq më shumë që këto e kishin prejardhjen e tyre nga zona ku bashkësia fshatare dhe prona e vogël e lirë mbeteshin tipar mbizotërues i marrëdhënieve të pronës dhe i atyre shoqërore.
36 Një nga veçoritë thelbësore të së drejtës dhe praktikës dokesore shqiptare ishte ajo që kishte të bënte me institucionin e trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni që askush nga fëmijët meshkuj nuk përjashtohej nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej edhe në lëmin e autoritetit dhe të pushtetit. Qoftë familja fisnike e zakonshme, qoftë principatat e mëdha apo të vogla drejtoheshin në bazë të parimit të bashkëqeverisjes (konregjencës). Në fakt, institucioni i bashkëqeverisjes njihej dhe zbatohej sa në Bizant, aq edhe te popujt fqinjë të shqiptarëve. Por tek ata ky institucion realizohej nëpërmjet kooptimit në pushtet nga ana e babait sovran, e njërit prej bijve, zakonisht më të madhit, me qëllim trashëgimin e plotë e të pandarë të pushtetit. Përkundrazi, te shqiptarët si drejtimi i ekonomisë familjare, ashtu dhe qeverisja e shtetit (principatave) realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes së të gjithë vëllezërve. Kështu, Principatën e Balshajve në gjysmën e dytë të shek. XIV e qeverisnin njëherësh tre vëllezërit, Strazimiri, Gjergji e Balsha II. Po atë kohë, Despotati shqiptar i Artës (Epirit) qeverisej nga vëllezërit Gjin e Sguro Bua Shpata. Vëllezërit Lekë e Pal qenë në krye të Dukagjinëve të Lezhës, në kohën kur tre vëllezërit, Gjin, Stojë e Teodor, drejtonin po ashtu Principatën e Muzakajve. Asnjë vendim që kishte të bënte me principatën nuk mund të merrej në një mënyrë të njëanshme nga njëri prej vëllezërve. Deri edhe kancelaria dhe vula zyrtare ishte e përbashkët.
37 Në planin praktik, secili nga vëllezërit sundimtarë merrej me administrimin dhe qeverisjen e një pjese të zotërimit feudal. Vëllait të madh, i cili gjithsesi gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të drejtonte zotërimet tradicionale të familjes. Lidhjet e veçanta historike, njerëzore e shpirtërore që familja sundimtare kishte me to, e bënin këtë pjesë tradicionale të principatës elementin bazë e të qëndrueshëm të saj. Kështu në vitet 70 të shek. XIV, më i madhi i vëllezërve Muzaka, Gjini, administronte zotërimet e hershme të familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë që të vëllezërit qeverisnin vendet më të buta e më të pasura të Myzeqesë e të fushës së Korçës e të Kosturit. Por fakti që në Opar e në viset përreth Muzakajt kishin fillimet e historisë së tyre, njerëzit më besnikë, vatrat dhe varret e hershme të tyre, e bënte këtë krahinë qendrën shpirtërore të principatës.
38 Gjithsesi, bashkadministrimi dhe bashkëqeverisja e zotërimit familjar apo e principatave sillte shpërqendrimin e copëzimin e pronës e të pushtetit, për rrjedhojë edhe dobësimin e tyre, aq më tepër që kjo ndarje nuk i shmangte, por përkundrazi i nxiste grindjet e rivalitetet. Nuk është e rastit që zotërimet feudale shqiptare njohën kulmet e zhvillimit kur në krye të tyre, për një arsye apo tjetrën, qëndroi vetëm një person. Kështu ndodhi me Balshajt në kohën e sundimit të Balshës II, me Topijat në kohën e princit Karl Topia, apo me Muzakajt në kohën e sundimit të gjatë të despotit Andrea II (1335-1371).
39 Krijimi i zotërimeve e i principatave të pavarura shqiptare në shek. XIV kurorëzoi një proces të gjatë zhvillimi, gjatë të cilit klasa feudale shqiptare fitoi gjithnjë e më shumë atribute e pavarësi ekonomike, politike e së fundi dhe ato gjyqësore. Sunduesit bizantinë, serbë etj., e mbajtën me fanatizëm deri në fund pushtetin gjyqësor, si tregues kryesor i sovranitetit. Proceset dhe çështjet gjyqësore zgjidheshin nga gjykatës të dërguar nga qendra dhe që vepronin në bazë të ligjeve të mishëruara në përmbledhjet zyrtare ligjore, siç qenë kodet bizantine ose "kodi i Stefan Dushanit". Megjithatë normat dhe praktikat dokesore në marrëdhëniet e përditshme ishin aq shumë të rrënjosura, saqë ato shpeshherë mbizotëronin mbi ligjet e shtetit.
40 Në marrëveshjet e nënshkruara me krerët shqiptarë dhe në privilegjet e lëshuara për bashkësitë shqiptare, perandorë të ndryshëm bizantinë, mbretër serbë e anzhuinë apo qeveritarë venecianë angazhoheshin të qeverisnin sipas "normave dhe dokeve të vjetra". Kjo përbënte një element të rëndësishëm të njohjes së autonomisë gjyqësore administrative të bashkësive e të njësive të caktuara lokale. Me rënien e perandorive ballkanike, siç qenë ajo bizantine dhe ajo serbe, edhe privilegji i gjykimit u kaloi feudalëve të veçantë, të cilët tashmë mund të gjykonin e të vendosnin për të gjitha çështjet civile e penale që lindnin në zotërimet e tyre (rationen et iustitiam in civilibus et criminalibus dare). Marrja në dorë e gjykimit të çështjeve gjyqësore në juridiksionin e vet, shënonte hapin e fundit të kthimit të fisnikëve shqiptarë në zotër të pavarur. Megjithatë pushteti gjyqësor i fisnikëve vazhdoi të kufizohej nga veprimi i së drejtës dokesore apo asaj kanonike. Kjo e fundit mbizotëronte sidomos në çështjet që kishin të bënin me martesën, me të drejtën e trashëgimisë etj. Mjaft çështje të tjera zgjidheshin në bazë të "kodit të nderit". Ky i fundit shprehej më së pari në fushën e betejës. "Kronika e Janinës" e shek. XIV na bën të ditur se luftëtarët e Gjin Bua Shpatës i sulmonin armiqtë me thirrjen kalorësiake "ruaju" për t'u dhënë atyre mundësinë që të mbroheshin. Kjo ishte normë e së drejtës dokesore. Sado të ashpër që tregoheshin gjatë luftimit, shqiptarët fitimtarë nuk hakmerreshin mbi të mundurit në mënyra të vrazhdëta, siç ndodhte me shumë popuj të huaj. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Shumë-shumë, në shenjë zhburrërimi atyre u pritej mjekra. Shpesh robërit e luftës, sidomos kur qenë personalitete me emër, mbaheshin peng si mjet presioni ndaj kundërshtarit. Në mjaft raste, siç e donin praktikat e kohës, ata liroheshin kundrejt pagesës. Nuk mungonin edhe rastet kur një martesë në kohën e duhur kthente paqen midis familjeve rivale, siç ndodhi me Balshajt dhe Topiajt në vitet 60 të shek. XIV. Ndërkohë që çmonte trimërinë e fisnikërinë, qoftë edhe të kundërshtarit, morali shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhtinë. “Tradhtar” ishte sharja më e rëndë që mund t’i drejtohej dikujt. Më 1436 në Fano të Italisë u bë gjyqi i një shqiptari me emër Gjergj, i cili në zemërim e sipër kishte tentuar të vriste një banor vendas duke e thirrur atë “tradhtar”. Në statutet e Shkodrës kishte një dispozitë të veçantë për fyerjen me fjalën “tradhtar”. Kundravajtësit gjobiteshin me një shumë të jashtëzakonshme prej 500 hyperperësh, ndërkohë që prerja e mjekrës, e konsideruar edhe kjo fyerje e rëndë, dënohej me 50 hyperperë. Nga po të njëjtat statute mësohet se sharja “tradhtar” ishte mënyra më e mirë për të grishur dikë në dyluftim. Tradhtarët e frikacakët meritonin ndëshkimet më të rënda. Ky moral nuk bënte përjashtim as për bashkëpunëtorët më të afërt, as për njerëzit e familjes madje as dhe për njerëzit e fesë. Balshajt, Kastriotët, Dukagjinët, Muzakajt e të tjerë fisnikë shqiptarë nuk ngurronin t'i dënonin me burgim, madje dhe me vdekje, njerëzit e tyre, që në një moment të caktuar i kishin "tradhtuar ". Tradhtarëve gjithashtu u sekuestrohej pasuria.
41 Normat e së drejtës dokesore vepronin fort edhe në fushën e marrëdhënieve martesore, ndonëse këtu pretendonte të mbizotëronte e drejta kishtare (kanonike). Kurorëthyerja paguhej me jetë: një fisnik nga dera e Dukagjinëve nuk ngurroi të vrasë të dashurin e gruas së tij edhe pse ky ishte klerik i lartë. Në rast se një grua e martuar braktiste të shoqin, detyrën për ta gjetur dhe për ta risjellë e kishte sa burri i mashtruar, aq edhe "vëllazëria". Në vitin 1198 një fisnik nga Kolonja, Aleks Kapandriti, pasi kishte vrarë gruan e parë, u martua për së dyti me gruan e një arkondi nga Durrësi me emrin Bardh. Por nuk e gëzoi këtë martesë, sepse vëllai i kurorëthyeses e zuri e pasi i keqtrajtoi që të dy, ia dorëzoi përsëri të motrën burrit të parë.
42 Gjakmarrja dëshmohet që në atë kohë, vinte në luftë familje dhe bashkësi të tëra. Prej saj nuk shpëtonin as përfaqësuesit e elitës drejtuese. Kështu në vitin 1416 pas një vrasjeje, Balshajt kishin hyrë në gjak me bashkësinë e Hotëve. Në emër të "nderit" përziheshin në akte dhune e gjaku edhe vetë njerëzit e fesë. "Kronikat e zeza" të shekujve XII-XV japin raste jo të pakta, kur klerikë të thjeshtë e deri peshkopë e kryepeshkopë, bëheshin autorë ose viktimë krimesh për fyerje ose për çështje nderi.
43 Fuqia dhe pushteti i familjeve aristokrate shqiptare matej me madhësinë e cilësinë e zotërimeve të tyre, me sasinë e njerëzve që ata mund të armatosnin, por edhe me lidhjet dhe aleancat e tyre të jashtme. Këto të fundit ishte zakon të sanksionoheshin, përveçse me traktate e marrëveshje të përkohshme, edhe me lidhje familjare të qëndrueshme. Në shek. XIV të gjitha familjet fisnike shqiptare ishin të grupuara në aleanca të caktuara ushtarako-familjare. Kështu, nëpërmjet krushqive Muzakajt qenë lidhur në aleanca të qëndrueshme me Arianitët, Balshajt, Zenebishët, Gropajt e deri Dukagjinët e veriut. Po ashtu, përreth Balshajve në veri, apo Shpatajve në jug, qenë krijuar aleanca politiko-ushtarake, të cilat mbështeteshin edhe në lidhjet familjare. Roli i këtyre aleancave dilte në pah në rast se njëri nga pjesëtarët përfshihej në ndonjë konflikt ushtarak. Në atë rast, pjesëtarët e tjerë i gjendeshin në krah me forca e mjete. Kështu, në luftërat e shumta që pati me despotin serb të Janinës, Thoma Preljuboviçin, despoti i Artës, Gjin Bua Shpata, u ndihmua vazhdimisht nga dhëndri i tij, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës. Po ashtu, në betejën e Kosturit më 1371 kundër Mark Krajleviçit, despotit Andrea Muzaka i shkuan në ndihmë Balshajt, Gropajt e të tjerë fisnikë, aleatë e familjarë të tij.
44 Lidhja familjare midis familjeve të mëdha, përveç anëve politike e ushtarake, përmbante edhe elementin ekonomik, për sa kohë që shoqërohej edhe me dhënien e feudeve në formë paje. Një gjë e tillë u jepte shkas fisnikëve të caktuar që në momente të përshtatshme të ngrinin pretendime mbi zotërimet e familjeve me të cilat kishin krushqi, sidomos kur këto binin në vështirësi dhe nuk ishin në gjendje t'u dilnin zot pronave të tyre. Në këtë rrugë, Gjon Muzaka pretendonte të ishte nga fundi i shek. XV, zot i ligjshëm sa i zotërimeve atërore, aq edhe i atyre të Zenebishëve, të Gropajve, të Balshajve (Vlorë), Arianit-Komnenëve etj. Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mëtonte se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin. Por zakonisht, pretendime të tilla mbi bazë trashëgimie mbi zotërimet e familjeve të tjera, realizoheshin nëpërmjet aneksimit me forcë të tyre.
45 Jo rrallë herë aleancat familjare shtriheshin edhe me familje fisnike e princore të huaja, gjë që sillte një rritje të veçantë prestigji dhe mbështetje të jashtme. Kështu, Gjon Zenebishi e kishte martuar një vajzë të tij me Petro Altavilën, pinjollin e dinastisë së famshme normane, që mbretëroi në Italinë e Jugut në shek. XI-XII. Po ashtu, Gjin Bue Shpata një vajzë të tij ia kishte dhënë fisnikut nga Firencja, Ezau Buondelmonte Açajuoli, që u bë despot i Janinës. Nga ana e tij konti Andre Topia u martua me një princeshë nga anzhuinët e Napolit. Kjo lidhje familjare me dinastinë frënge të anzhuinëve ndihmonte në forcimin e pozitave të jashtme por dhe të brendshme të Karl Topisë kundrejt rivalëve të tij. Jo pa arsye ai shfrytëzonte çdo rast, siç bën edhe në mbishkrimin ktitorial të manastirit të Shën Gjon Vladimirit të vitit 1381, për të vënë në dukje këto marrëdhënie të veçanta "gjaku" (eks haimatos) me anzhuinët. Në këtë kuadër ai i shtoi stemës së familjes Topia, që kishte në qendër figurën e luanit, edhe motivin e zambakut, simboli i anzhuinëve francezë.
46 Për konsolidimin e pushtetit të tyre, feudalët shqiptarë nuk nënvleftësonin edhe faktorët fetarë e kulturorë. Të shumtë qenë ata që, sipas koniunkturës politike, ndërruan edhe besimin. Duke lënë mënjanë konvertimin në masë të fisnikëve shqiptarë në fenë islame prej shek. XV, edhe më përpara shumë syresh bënë kapërcime nga besimi ortodoks në atë katolik e anasjelltas, për t'iu përshtatur rrethanave politike. Përmasa të mëdha mori veçanërisht në shek. XIV kalimi në katolicizëm i mjaft dyerve fisnike, siç qenë Balshajt, Matrëngët, Skurrajt, Muzakajt, Zahariajt e shumë të tjerë, që me këtë hap kërkonin para së gjithash të siguronin aleancën e fuqive katolike të Evropës të kryesuara nga Papati kundër rrezikut të ekspansionit serb në tokat shqiptare. Në këtë kuadër edhe mjaft pinjollë të familjeve Skurraj, Topiaj, Kamonaj, Matrënga, Muzakaj etj., mbushnin radhët e klerit dhe të urdhrave fetarë katolikë, siç qenë ai françeskan e dominikan. Kuptohet se mjaft prej tyre edhe pse veshën petkun e klerikut, vazhduan të merrnin pjesë gjallërisht në ngjarjet dhe në intrigat politike, duke mbrojtur interesa të caktuara. Peshkopët e Durrësit, p.sh., luajtën një rol të dorës së parë në fatet e qytetit. Sipas rastit, ata përgatitën kalimin e qytetit sa te Bizanti, aq tek anzhuinët, te venecianët e deri te Topiajt shqiptarë.
47 Në shek. XIII-XIV oborret e fisnikëve shqiptarë morën pamjen e plotë të qendrave të pushtetit, me funksione sa ushtarake, aq dhe civile. Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë "civil" të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente "mëkatet" e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj. Futja në çështjet më intime të shtetit dhe të familjes së fisnikut i bënte këta klerikë persona me pushtet të jashtëzakonshëm, por edhe të ekspozuar ndaj zemërimit të padronëve të tyre. Karakteri i rezervuar dhe i përvuajtur bënte që klerikët në fjalë ta kryenin besnikërisht detyrën e njeriut të besuar të fisnikut. Por ndodhte edhe që për një fjalë apo një gjest të pamatur, që binte ndesh me natyrën e rezervuar të detyrës së tyre, edhe kleriku "i familjes" ta pësonte keq, siç e pësoi më 1408 murgu Theodotir, sekretar e këshilltar i Teodor Muzakës së Beratit, të cilin, s'dihet se për ç'mëkat, i zoti i tij e mbylli me pranga në burgun e kështjellës së Skraparit.
48 Aristokratët shqiptarë ndërhynin deri te Papa ose Patriku për t'i emëruar këta klerikë të oborrit peshkopë e kryepeshkopë në krahina, ku fisnikët në fjalë synonin të shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre. Në dokumentet e shek. XIII-XIV bëhet fjalë vazhdimisht për prelatë të tillë, të cilët ishin vënë në krye të dioqezave nën presionin e pushtetit laik (per potentiam laicalem). Me ndërhyrjen dhe rekomandimin e krerëve shqiptarë, një klerik shqiptar, murgu dominikan Domenik Topia, arriti të bëhet rreth vitit 1340, këshilltar e kapelan i mbretit të Napolit, Robertit I Anzhu.
49 Fuqizimi ekonomik e politik i fisnikëve nga shek. XIII, bëri që të rritej edhe funksioni i tyre shoqëror. Ata filluan të merrnin përsipër veprimtari të tilla me interes të përgjithshëm, si ndërtime kishash e manastiresh, hapje e meremetime rrugësh, ndërtim veprash me karakter mbrojtës, veçanërisht në dobi të qyteteve e manastireve të mëdha. Oborret e aristokratëve të tillë të mëdhenj, si Balshët, Topiajt, Arianitët etj., filluan të konkurrojnë shkronjëtoret (skriptoria) e manastireve për sa i përket realizimit të kodikëve e dorëshkrimeve të çmuara, me të cilat merreshin mjeshtër të kualifikuar që pajtoheshin nga qytetet e zhvilluara të Shqipërisë ose edhe nga vende të tjera. Për t'u lënë pasardhësve kujtimin e tyre dhe të familjeve të tyre, fisnikët shqiptarë morën zakonin të porosisnin shkrimin e kronikave e gjenealogjive, apo bërjen e portreteve të tyre në pikturë (afreske e miniaturë) nëpër fasadat e kishave ose në faqet e dorëshkrimeve.
50 Aristokratët linin porosi të varroseshin në kisha ose në manastire të ngritura nga ata vetë apo nga paraardhësit e tyre. Varret, shpeshherë monumentale, shoqëroheshin gjithnjë nga mbishkrime të pikturuara ose të gdhendura, që thuajse gjithnjë i thurrnin lavd përshpirtmërisë së të vdekurit. Këtë zakon e ruajtën edhe shumë nga fisnikët shqiptarë të emigruar në Itali pas pushtimit të vendit nga osmanët. Në këto mbishkrime thuajse asnjëherë nuk harrohet të shënohet atdheu i të vdekurve, si dhe rrethanat që detyruan largimin e tyre nga Shqipëria.
51 Mjaft nga këto sjellje dhe praktika të fisnikëve shqiptarë u përftuan pas kontaktit me qytetet, sidomos me ato të bregdetit perëndimor. Këtu këta blenë prona, shtëpi, troje dhe lidhën kontrata me tregtarë vendas për import-eksport mallrash. Mjaft prej tyre qëndronin një pjesë të vitit në qytet për të ndjekur vetë veprimtaritë ekonomike. Por shpeshherë qyteti ishte për ta edhe një vend zbavitjeje. Kishte edhe të tillë që vizitonin, për qëllime pune apo argëtimi, edhe qytetet e Italisë e të Dalmacisë. Krushqitë dhe miqësitë, që thurrnin aristokratët e tokës me familje të patriciatit qytetar, i bënin edhe më të ngushta lidhjet me qytetin. Mjaft pinjollë familjesh fisnike u vendosën përfundimisht në qytet dhe me kalimin e kohës me ta ndodhi dukuria e asimilimit shoqëror e kulturor dhe shkrirja e tyre në rrethin e aristokracisë qytetare.
52 Kleri dhe roli i tij në jetën shoqërore e politike
53 Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene.
54 Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj., rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë. Për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte veç të tjerash një mjet jetese. Megjithatë futja në karrierën fetare nuk e zgjidhte gjithmonë problemin e ekzistencës. Burimet historike përmendin priftërinj shqiptarë të katandisur në gjendjen e lypësit, që shpeshherë detyroheshin të braktisnin vendin e tyre e të kërkonin fatin e tyre gjetkë. Në shekujt XIII-XV Raguza e qytetet e tjera dalmatine buisnin nga klerikë të thjeshtë shqiptarë të ardhur nga Drishti, Baleci, Deja etj. Një pjesë e tyre arrinte të gjente njëfarë sistemimi në kishat e manastiret e këtyre qyteteve. Të tjerë detyroheshin të merreshin me veprimtari jashtëkishtare, si tregti, artizanat etj. Nuk mungojnë të dhënat edhe për ngatërrimin e tyre në akte kriminale.
55 Klerikët e lartë, në të kundërtën, si rregull vinin nga radhët e aristokracisë së tokës dhe të qytetit. Nga një familje e shquar qytetare durrsake rridhte kryepeshkopi Kostandin Kabasilla që, aty nga mesi i shek. XIII, ishte në krye të kishës ortodokse të Durrësit e më tej të asaj të Ohrit. Dominik Topia, vëlla i kontit Tanush Topia nga Arbri, bëri një karrierë të shquar në Urdhrin Dominikan. Në shek. XIV-XV vetëm qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima e Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skurra drejtuan selitë peshkopale të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Më 1422 Pjetër Spani nga Drishti emërohet kryepeshkop i Tivarit, ndërsa vite më vonë, drishtiani tjetër Pal Engjëlli ishte kryepeshkop i Durrësit.
56 Formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare që funksiononin pranë kishave katedrale ose pranë manastireve të mëdha në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, Mesopotam etj. Këtu merreshin njohuritë doktrinare e teologjike më të domosdoshme për t’iu kushtuar profesionit të priftit ose të murgut. Për shumë klerikë shqiptarë periudha e formimit vazhdonte edhe më tej, me ndjekjen e shkollave më të larta në vende të tjera. Për klerikët ortodoksë ishin mjaft të parapëlqyera manastiret e mëdha të Thesalisë (Stagoi, Meteorët) apo ato të Malit Athos (Lavra, Hilandari). Klerikët katolikë nga ana e tyre frekuentonin institucione të njohura në Dalmaci e në Itali. Mjaft prej këtyre klerikëve që i konsolidonin njohuritë e tyre jashtë, arritën të zënë poste të rëndësishme kishtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kështu, p.sh., rreth vitit 1250, Nikolla nga Durrësi, u tërhoq nga papa Inocenti IV në Dhomën Apostolike me detyrën e sekretarit e më tej u emërua prej tij peshkop i Krotonës. Një tjetër klerik katolik nga Durrësi, Andrea, u emërua më 1379 Provincial i Urdhrit Dominikan; Dominik Topia, nga familja e njohur e bujarëve të Arbrit, ishte për mjaft vjet kapelan personal i mbretit Robert Anzhu të Napolit e më 1345 vepronte si mëkëmbës i përgjithshëm i Urdhrit Dominikan për Dalmacinë e për Durrësin.
57 Edhe më i madh qe numri i klerikëve të thjeshtë katolikë që qenë sistemuar në vende të tjera, kryesisht në Itali e Dalmaci. Veçanërisht i lartë ishte numri i klerikëve shqiptarë në qytetin e Raguzës. Ata vinin kryesisht nga Drishti, Ulqini, Pulti, Tivari, Baleci e nga Durrësi. Në vitin 1374 kuvendi i fretërve dominikanë në Raguzë ishte thuajse plotësisht me murgj shqiptarë.
58 Anasjelltas, edhe në Shqipëri gjendeshin me shumicë klerikë të huaj. Duke e quajtur Shqipërinë një zonë tepër delikate të konfrontimit me ortodoksinë bizantine, Papati dërgoi këtu, që me krijimin e tyre në shek. XIII, misionarë të urdhrave dominikanë e françeskanë, që u bënë propagandistë të vijës së parë të çështjes katolike në Lindje. Pjesëtarët e këtyre dy urdhrave u vunë deri në krye të peshkopatave e kryepeshkopatave shqiptare, siç qenë kryepeshkopët e Tivarit, françeskani Giovanni de Plano Kaprino (1249-1252), dominikani Guljemi i Adës (1324-1344) ose françeskani tjetër, Antoni II, kryepeshkop i Durrësit (1269-1316).
59 Duke përjashtuar rastet kur emërimi bëhej drejtpërsëdrejti nga Selia e Shenjtë, krerët e dioqezave katolike në Shqipëri, përkatësisht kryepeshkopët e Durrësit e të Tivarit, zakonisht zgjidheshin nga këshilli i klerit (capitulum) që mblidhej në kishën katedrale të qytetit. Të njëjtën procedurë ndiqte edhe zgjedhja e arkidhjakut. Në Durrës arkidhjaku kryente funksionet e kryepeshkopit, kur posti i tij qe i zbrazët. Në çdo rast, për kryepeshkopët e porsazgjedhur ishte i detyrueshëm shugurimi (consacratio) nga Papa i Romës. Ky bëhej gjatë një ceremonie solemne, gjatë së cilës të dërguarit e Papës, në prani të klerit e të popullit të qytetit, i dorëzonin kryepeshkopit të ri tunikën (pallium).
60 Emërimi i peshkopëve bëhej nga kryepeshkopët e dioqezës përkatëse. Në çdo rast, konfirmimi i Selisë së Shenjtë ishte edhe këtu i domosdoshëm. Vetëm njëra ndër peshkopatat shqiptare, ajo e Arbrit, fitoi aty nga fundi i shek. XII statusin e veçantë të sufraganes së drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Peshkopi i saj emërohej e shkarkohej drejtpërdrejt nga Papa. Këtë status e fitoi në gjysmën e dytë të shek. XV edhe peshkopata e Drishtit, që kishte konflikte të ashpra me kryepeshkopatën e Tivarit.
61 Sidoqoftë emërimi i klerit të lartë në Shqipëri mbeti një çështje ku përplaseshin interesa e kompetenca të ndryshme, gjë që shkaktoi konflikte të herëpashershme midis përfaqësuesve të hierarkisë kishtare në Shqipëri, si dhe midis këtyre e Papatit.
62 Në çështjen e emërimit të klerit përzihej shpesh edhe pushteti laik, gjë që e ndërlikonte akoma më tepër problemin. Zakonisht pas konfirmimit formal nga ana e Papës apo e Patriarkut të Kostandinopojës, këta u dërgonin “letra rekomandimi” pushtetarëve lokalë, me të cilat i lutnin të ndihmonin prelatët e rinj në ushtrimin e funksioneve të tyre. Por sundimtarët lokalë shpesh pretendonin të kishin dorë të lirë edhe në çështjet kishtare, përsa u përket zotërimeve të veta. Në gjysmën e parë të shek. XIII, papa Grigori IX ankohej se në dioqezat katolike të Shqipërisë së Veriut nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit, “ofiqet kishtare shpërndaheshin nga pushtetarë laikë”. Po atë kohë patriarku i kishës ortodokse, Manueli, protestonte ndaj despotëve të Epirit për emërimet e paligjshme të peshkopëve të rinj në selitë e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Gjirokastrës e të Janinës. Problemi u bë më i mprehtë pas shek. XIV, kur pushteti i princërve dhe i feudalëve shqiptarë u forcua së tepërmi. Në vitet 70 të atij shekulli, Gjergj Balsha shkarkoi peshkopët e një sërë qendrave në zotërimet e tij dhe emëroi aty njerëzit e vet, pa përfillur protestat e papës Grigori IX. Në të njëjtën mënyrë vepronin me klerikët e tyre edhe fisnikë të tjerë shqiptarë, si Dukagjinët, Topiajt e Shpatajt.
63 Me gjithë përkushtimin fetar, që përgjithësisht karakterizonte klerin shqiptar, ai nuk mbeti i paprekur nga dukuri që përbënin një largim e shkelje nga normat e kishës e nga morali kristian. Në koncilin e Tivarit, në vitin 1199, disa nga këto shkelje, si shitblerja e ofiqeve kishtare (simonia), martesa e klerikëve (konkubinati), përvetësimi i të dhjetave, u stigmatizuan fort nga përfaqësuesit e papa Inocentit III. Megjithatë “reformimi i sjelljeve dhe i zakoneve të klerit katolik shqiptar” mbeti një problem i pazgjidhur për Selinë e Shenjtë.
64 Situata nuk ndryshonte shumë përsa i përket klerit ortodoks. Edhe te ky ndodhnin shpesh shkelje flagrante të moralit kristian dhe të statusit të klerikut. Kështu, në vitin 1160 Sinodi i Shenjtë në Konstandinopojë u mblodh për të gjykuar rastin e një murgu shqiptar, me emrin Muzaka, që jetonte i martuar dhe që qarkullonte gjithnjë i armatosur. Në vitin 1305 në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine u bë i njohur për bëmat e tij një tjetër klerik shqiptar, Gjon Trimi, që fillimisht arriti të fitonte miqësinë e perandorit Andronik II Paleologu, por më vonë organizoi kundër tij një kryengritje, ku u implikuan edhe bashkatdhetarë të tjerë të tij, me pozitë në administratën qendrore bizantine. I tillë qe epistrati Muzaka dhe një fisnik tjetër me emrin Matrënga. Historiani bizantin bashkëkohës, Niqifor Gregora, e përshkruan murgun Gjon Trimi si një tribun popullor, që i hipur mbi një karro dhe me shpatë zhveshur thërriste popullin e Konstandinopojës në kryengritje.
65 Figura e klerikut-luftëtar është një figurë tipike e mjedisit shqiptar, që ndeshet gjatë gjithë mesjetës. Barleci rrëfen se mbrojtjen e kështjellës së Sfetigradit më 1448 e drejtonte një murg nga abacia e Shën Lleshit në Mat. Në fillim të shek. XIV peshkopi i Krujës, Andrea, qe në ballë të organizimit të qëndresës së fisnikërisë shqiptare kundër pushtimit serb.
66 Përveç ushtrimit të armëve, që gjithsesi gjykohej si amoral nga ana e kishës, klerikët shqiptarë përfshiheshin edhe në veprimtari të tjera jofetare, që me kohë u bënë atribut i njerëzve të fesë. Fjala është në radhë të parë për përfaqësimin diplomatik të pushtetit laik, një fushë kjo ku çmoheshin shumë cilësi të tilla si erudicioni, inteligjenca, përmbajtja, gjakftohtësia, besueshmëria, që ishin karakteristike për njerëzit e fesë. Ndaj ishte e kuptueshme që, në shek. XIV, të gjithë princërit e sundimtarët shqiptarë ua besonin misionet delikate diplomatike brenda dhe jashtë vendit peshkopëve të dioqezave të tyre. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua ngarkonte misionet diplomatike në oborret e Evropës klerikëve të besuar, sidomos mikut të afërt të tij, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Shërbimet e klerikëve shqiptarë i vlerësonin si të çmuara edhe mbretërit serbë, anzhuinë apo qeveritarët venecianë, që i mbanin ata vazhdimisht pranë vetes në cilësinë e këshilltarit ose të emisarit për çështjet shqiptare.
67 Klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit (preceptorit), i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësojnë rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar. Vlen të përmendet roli i madh i klerit jo vetëm si krijues vlerash kulturore, por dhe si ruajtës i tyre. Kishat e manastiret u bënë vendet ku u shkruan, u kopjuan dhe u ruajtën në shekuj jo vetëm tekste fetare filozofike e letrare, por edhe kronika të gjalla të historisë së popullit. Ruajtja dhe transmetimi i tyre kërkoi shpeshherë sakrificat e vetëmohimin e klerit të thjeshtë. Në një shënim të vitit 1356, në një kodik të Beratit, përshkruhet vetëmohimi i priftit Theodul, i cili, gjatë rrethimit të qytetit nga serbët, transportoi në krahë në një vend të sigurt bibliotekën e manastirit të Shën Gjergjit për ta shpëtuar nga djegia e sigurt. Të njëjtën gjë bëri, më 1399, igumeni i manastirit të Shën Kollit në Perondi, Danaili, i cili nxori bibliotekën e pasur të manastirit e ia dorëzoi për ta ruajtur fisnikut Teodor Muzaka.
68 Ndjenja fetare te shqiptarët
69 Gjithçka flet për atë që feja dhe ndjenjat fetare qenë rrënjosur dhe qenë pjesë e pandarë e jetës dhe e ekzistencës. Por duke folur për ndjenjën fetare (besimin) të shqiptarëve në mesjetë, duhet thënë se ajo trashëgoi edhe një dozë të madhe të besimeve e riteve tradicionale pagane, gjë që i jepte asaj edhe tipare specifike. Rite të tilla shoqëronin çdo aspekt të jetës: lindjen, vdekjen, punën, martesën, madje ato kishin depërtuar edhe në vetë kultin e shenjtorëve të krishterë. Kështu, kulti i Shën Gjergjit, i Shën Ilias, i Shën Martinit, i Shën Nikollës, i Shën Vlashit etj., ishin të mpleksur me plot motive pagane. Të tillë shenjtorë, më tepër se simbole të krishtera, nderoheshin e festoheshin si luftëtarë kundër së keqes, mbrojtës të njerëzve e të bagëtive, begatues të tokës, shërues të sëmundjeve, pra, njëlloj siç ishin nderuar perënditë pagane të lashtësisë. Në jetën e përditshme vazhdonin të kryheshin praktika pagane, siç ishte ajo e flijimit, e therjes së një kafshe, sa herë që ndërtohej një shtëpi, një urë apo një kështjellë. Akti i flijimit shpeshherë bëhej nga dora e një prifti. Shqiptarët i besonin Zotit të të krishterëve, por njëherësh tregonin nderim e frikë edhe ndaj “zotave” të tjerë, demonëve, shpirtrave të këqinj, zanave, vitores (gjarprit mbrojtës të shtëpisë e të familjes), hajmalive etj., etj. Gjithë kjo trashëgimi pagane në besimin e shqiptarëve shihej me sy të keq dhe luftohej nga kisha zyrtare. Në fakt këto i jepnin krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor, jodoktrinor, dhe si të tillë e bënin të prekshëm nga lëvizjet kontestuese (herezitë), që trondisnin herë pas here kishën zyrtare. Një ndër këto herezi, që njohu përhapje të gjerë në Shqipëri nga shek. X dhe që aty-këtu mbijetoi deri në shek. XIV, është ajo e bogomilizmit, e quajtur kështu prej priftit bullgar Bogomil, që njihet si frymëzuesi i saj. Bogomilizmi, si çdo lëvizje dualiste, e quante botën të ndërtuar mbi bazën e dy parimeve: të së mirës dhe të së keqes. E mira përmblidhte botën shpirtërore, kurse e keqja identifikohej me natyrën e pasurinë. Në këtë të dytën përkrahësit e bogomilizmit përfshinin edhe institucionet e shtetit dhe të kishës, simbole të pushtetit, dhunës e të pasurisë, krijesa të Satanait. Kështu, idetë bogomile e kapërcenin kuadrin e një disidence të thjeshtë fetare dhe merrnin formën e lëvizjeve të vërteta shoqërore. Kjo shpjegon masivitetin e jashtëzakonshëm që njohu bogomilizmi, si dhe ashpërsinë me të cilën perandorët bizantinë u përpoqën ta mbytnin këtë lëvizje.
70 Në Shqipëri “herezia” bogomile pati një përhapje mjaft të gjerë dhe këtu ishte një nga vatrat kryesore të saj. Domethënës është fakti se i pari shqiptar, që na përcillet me emër tipik kombëtar nga burimet mesjetare, është një farë Leka, drejtues rreth vitit 1070 i një lëvizjeje bogomile në rrethet e Sofjes, ku ai kishte shërbyer deri atëherë si funksionar bizantin. Shqipëria ishte gjithashtu një nga vatrat, nga ku herezia bogomile u përhap drejt Italisë. Në shek. XIII përkrahësit e bogomilit (patarinët) kishin krijuar në Itali një kishë të tyre, në opozitë me Romën, e cila në disa vende të Italisë së Veriut quhej “kisha shqiptare” (ecclesia Albanensis), duke treguar kështu vendin e origjinës nga ku kjo herezi kishte ardhur në Itali.
71 Problemi i devocionit dhe i ndjenjave fetare te shqiptarët është po aq i ndërlikuar si dhe vetë problemi i fesë dhe i kishës. Është e vërtetë se burimet historike nuk mungojnë të shënojnë herë-herë mungesën e pasionit fetar, shfaqje të sinkretizmit apo raste të shkeljeve flagrante të normave e të moralit të kishës jo vetëm nga laikët, por dhe nga vetë klerikët. Ndërkaq më shumë ato dëshmojnë për të kundërtën, për përshpirtshmërinë e devocionin fetar të tyre. Në këtë kuadër është një tregues vetë numri i madh i kishave dhe i institucioneve të tjera fetare, të ndërtuara prej sundimtarëve vendas dhe shtetasve të tyre. Pothuaj të gjitha familjet fisnike shqiptare u dalluan në ndërtime të këtij lloji. Kështu, me emrin e Skurrajve lidhet kisha e Shën Mërisë së Brrarit (1201) ose ajo e Shën Klementit në Ohër (1295). Kjo e fundit u ristrukturua vite më vonë nga fisniku tjetër shqiptar, Andrea Gropa. Muzakajt e Beratit ndërtuan një sërë faltoresh, si p.sh., kishën e Shën Mërisë së Oparit dhe atë të Shën Thanasit në Kostur (1385). Një ndërtim i Topiajve është manastiri i Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit (1381). Kisha e Shën Mërisë në ishullin e vogël të Maligradit, që ruhet mjaft mirë edhe sot, në Liqenin e Prespës, u ndërtua në vitin 1369 nga një sundimtar i vogël lokal, Qesar Novaku. Si themelues kishash përmenden gjithashtu fisnikë nga familjet Dukagjini, Balsha, Zaharia etj. Të gjithë këta, bashkë me dhuratat, u njihnin kishave të tyre të drejta e privilegje të ndryshme. Portretet e ktitorëve (themeluesve) të kishave të tilla paraqiteshin në afresket që zbukuronin muret e tyre. Dokumente testamentare të klerikëve e të laikëve, qofshin këta fisnikë apo njerëz të thjeshtë, tregojnë se në shumë raste këta ua linin trashëgim pasuritë e tundshme apo të patundshme, pjesërisht ose tërësisht, institucioneve fetare.
72 Braktisja e jetës mondane është një tjetër tregues i ndjenjave fetare të shqiptarëve në mesjetë. Pasioni fetar i shtyu shumë njerëz të thjeshtë të zgjedhin jetën e heremitit apo të murgut, kushtuar tërësisht lutjeve dhe përsosjes morale nëpërmjet asketizmit. Në shek. XIV murgu Nifon nga Lukova u mbyll në një manastir në malin Athos, ku u shqua aq shumë për përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua e u shpall shenjt nga kisha ortodokse bizantine. Ashtu si Nifoni, në manastiret e Athosit apo të Thesalisë kishte edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë. Jetës monastike iu përkushtuan edhe pinjollë të familjeve fisnike, siç ishte rasti i Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që u mbyll në një manastir të malit Athos. Një shprehje kolektive e devocionit fetar qenë edhe pelegrinazhet në vendet e shenjta. I tillë qe për shqiptarët e Dioklesë (Gentës) manastiri i Shën Mërisë i Rotecit, afër Tivarit, apo ai i Shirgjit, në derdhjen e Bunës. Manastiri i Shën Mërisë së Krajës në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, ku ruheshin reliket e princit Gjon Vladimir të Dioklesë (vdekur më 1018), ishte një vend pelegrinazhi për popullsinë e rretheve çdo 22 maj, kur kremtohej festa e Shën Gjon Vladimirit. 
73 Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe në manastiret e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), në atë të Shën Naumit (Ohër), Shën Kollit (Mesopotam), Shën Teodorës (Artë) etj. Klerikë e laikë shqiptarë katolikë e ortodoksë ndërmerrnin udhëtime të gjata e të rrezikshme për të vizituar vende të shenjta jashtë Shqipërisë, si në Monte Gargano, Kampostellë, Assizi, Bari e në Romë (Itali), ose në malin Athos, Konstandinopojë apo në Palestinë, me shpresë se kjo do t’i ndihmonte të shlyenin mëkatet e tyre.
74 Shtrati popullor e tradicional dhe karakteri jodogmatik i krishterimit shqiptar, bëri që te shqiptarët të mos kultivohej kurrfarë fanatizmi e intolerance fetare. Ai ofronte një pikë referimi të përbashkët për të gjitha besimet, besimin katolik, atë ortodoks e më vonë edhe me besimin mysliman. Prandaj Marin Barleci, që vetë ishte prift, ka shkruar për shqiptarët se janë “më shumë luftëtarë sesa fetarë”. Kjo është arsyeja që në festa e në ceremoni fetare, siç qenë ato për Shën Gjon Vladimirin apo Shën Gjergjin, merrnin pjesë sa të krishterët (katolikë e ortodoksë), aq edhe myslimanët. 
75 Mënyra e jetesës 
76 Të dhënat për mënyrën e jetesës në shek. XII-XV janë mjaft të kufizuara. Ato vijnë kryesisht nga gërmimet e pakta arkeologjike të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive mesjetare. 
77 Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet me një varg qendrash të banuara, të njohura që në antikitet, të cilat e vazhdojnë jetën e tyre edhe në mesjetë. Edhe regjistrimet osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër të madh fshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi, gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre ose të malit a të vrrinit që u përkiste, p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër), Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergj-Tiranë), Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë), Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan) etj. Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret, ose atje ku ka një toponim “katund plak” a “katund i vjetër” etj. Me moshë nga mesjeta e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll etj., ose thjesht një emër të krishterë, si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan, Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjin, Mërtin, Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë, Simon, Sotirë etj.
78 Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella. Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë, si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella të trashëguara nga antikiteti, të ngritura kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella të lindura rishtas në afërsi të burimeve të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori.
79 Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe me grindje të shumta midis zotërve feudalë, që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre, me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit, të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në vendet e shenjta ose në Konstandinopojë. Pra jeta ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse në kushte jo fort të përshtatshme. Në trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë, të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri. Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave, njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë të vogël. Shtëpitë ishin të vogla, të ulëta, të errëta e me lagështi, ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese, që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve, për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta rridhte brenda një horizonti të ngushtë për sa kohë banorët detyroheshin të qëndronin në kështjellë, ngaqë nuk ishin të sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti, krijonin kushte të dëmshme për shëndetin; epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave.
80 Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve shqiptarë dhe që kanë arritur deri në ditët tona, dëshmojnë për mundësitë materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë shekujve të mesjetës për të pasur kushte jetese sa më optimale. 
81 Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit të tullës së pjekur si dhe të tjegullës si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri, magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një mur të përbashkët e të lartë guri. Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve, në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra familjare për pjekjen e bukës, të mishrave etj. Në oborrin e banesës kultivoheshin trandafila dhe lule të tjera.
82 Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara. Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere, që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor dizinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me vatra të mëdha me oxhakë shumë të gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë. Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë llambadha. Shandanët ishin të zbukuruar me gdhendje artistike.
83 Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë; ato nuk kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të ndërtuara në terren të thyer, kështu që pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe në katin e sipërm banonte familja. Muret ishin të pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa mesjetare.
84 Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë, por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë, madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë shumë të gjerë.
85 Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri, me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse për shpinën e për parakrahët. Format e tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura në rrethet Pukë, Mirditë etj. deri në shek. XIX. Në përdorim të fisnikëve të kohës përmenden edhe frona ose poltrona të dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht thotë për Vojsavë Kastriotin: “rrinte pranë zjarrit mbi një poltron venecian …” (në prozën e shkurtër “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”). Edhe bujari Gjon Muzaka, në kujtimet e tij, përmend “një poltronë despotale”, të zbukuruar me një stem gurësh të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit 1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre poltronave janë fronat e dhespotëve në disa nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm të madh.
86 Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve dhe marangozëve vendës, por, për bujarinë e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e pajës. Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse, tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretër etj.
87 Për t’u çlodhur, malësori mund të ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse banori i fushës, për një pushim të shkurtër ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar në një qoshe të freskët brenda shtëpisë ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente, sidomos në testamente, përmenden shtretërit prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë shtresat dhe jastëkët a përkresat, që bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në formën e një këllëfi që mbushej me lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin të mbushur me pupla (siç dëshmon Gjon Muzaka).
88 Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë, siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e kultivuara me grurë, thekër, mel etj. Drithi, si artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse prej tij dilte një bukë shumë e qullët. Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë për eksport, përmendet edhe buka. Këtu është fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull shumë i nevojshëm për detarët sa kohë ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur gjithandej në brigjet e Mesdheut.
89 Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake, duke bluar në to edhe grurin për trahan etj. Të tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri. Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës. Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i përditshëm, por si ushqim ritual për të kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit të të vdekurve.
90 Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli (si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi i bulmetit dhe i yndyrnave. Në dokumentacionin e kohës, krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi. Në gjelltarinë e kohës është i pranishëm shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë tipikë mesjetarë por që njiheshin që në antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë manastireve që kishin ullishte.
91 Mishi konsumohej më shumë në dimër se në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë në ujë që t’i dilte kripa. Edhe peshku konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet më të përdorura të perimeve ishin qepët, preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë etj. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e mëvonshëm.
92 Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur gjerësisht.
93 Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në forma disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët me fron dhe kupat po ashtu prej argjendi, në tryezat e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të mesjetës së hershme.
94 Në mënyrën e jetesës zinin vend edhe ngrohja e ndriçimi. Lënda djegëse në këta shekuj duket se ishin shkarpat e drutë. Është përdorur edhe qymyri i drurit, i cili njihej që në lashtësi, por në një masë shumë më të kufizuar. Lënda djegëse sigurohej që gjatë verës dhe vendosej në stiva pranë banesës. Drutë digjeshin në vatër dhe për të lehtësuar djegien mbështeteshin te një almise e thjeshtë prej hekuri, që quhej “kali i druve”. Rreth këtij zjarri i kalonte familja fshatare orët e gjata të mbrëmjeve gjatë dimrit. 
95 Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të mëdhenj (ndoshta të ngjashëm me ato që shihen në kuzhinat e manastireve më të vjetra të vendit). Në banesat e vogla fshatare mjetet e ndriçimit ishin, copat e pishës, të vendosura mbi një pishtar të thjeshtë hekuri, pranë vatrës.
96 Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat me vaj. Ndriçimi me këto kandila me vaj është ruajtur deri në shek. XX në kishat ortodokse të vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin krejtësisht prej argjendi dhe të mbuluara me gdhendje artistike, që u jepnin një shkëlqim të veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta kandilë të kushtueshëm janë pjesë e artit dhe e kulturës bizantine të këtyre shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset e Bizantit.
97 Përdorim të gjerë kishin edhe qirinjtë prej dylli, me trashësi të ndryshme, që vendoseshin në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më shumë lambadha, që vendoseshin mbi tryezat a në vende të tjera të ngritura, për të ndriçuar më mirë.
98 Të dhënat për veshjet në shek. XII-XV janë të pakta e mjaft fragmentare. Për shkak të ngjarjeve historike të njohura, vendin e përshkuan turma të mëdha njerëzish nga dyndjet e barbarëve, nga kryqtarët, nga ushtri të vendeve fqinje etj. Në anën tjetër, këta janë shekujt e një zhvillimi mjaft të shpejtë të zejtarive. Veshjet nuk i prodhonte vetëm zejtaria shtëpiake, por edhe zejtarët e vendosur në qytetet e kohës. Ndikoi në prodhimin e veshjeve me cilësi të lartë edhe importimi i vazhdueshëm i cohërave të ndryshme. Përmirësimi i disa proceseve teknike, siç ishin avlemendi horizontal, që dha mundësinë e punimit të pëlhurave me katër lisa, ose përhapja e dërstilave që punonin me forcën e ujit ishin arritje që solli përmirësime të dukshme. Pjesë të veçanta të veshjeve popullore të mëparshme, si linjat e gjata e me mëngë të gjera, tirqit, hlamidat ose strukat e leshta por edhe xhupet e opingat, vazhdojnë të mbahen rregullisht. Në një dokument të vitit 1335, përmenden pjesët e veshjes së një detari, ndër të cilat edhe këmisha, fustani e fustanella (camisia, fustanum etc.). Gjatë shek. XIII e pastaj edhe në shekullin pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan, me të cilën filluan të bëhen edhe ato funde këmishe të gjera për burrat që u quajtën fustanella. Por familjet princore dhe aristokracia e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me qëndisje me fije ari e me gurë të çmuar. Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha, breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të çmuar. Në shek. XIV-XV përmenden më shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është interesant fakti se në fillim të shek. XV të tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum.
99 Së fundi, mund të kujtojmë se nga shek. XV deri në shek. XVIII, në shtresa të ndryshme të shoqërisë është mbajtur një lloj kapele mjaft e lartë dhe me strehë rreth e qark, që cilësohet në Francë si kapelë shqiptare (“chapeau albanois” ose thjesht “albanois”, nga F. Rabelais).
100 Krahas rrobaqepësve e gëzoftarëve, si zeje më vete, përmenden në qytetet e Shqipërisë edhe këpucarët, çizmarët e papuçinjtë.
101 Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës. Këtu nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare të kohës, si Balshajt, Topiajt, Dukagjinët, Gropajt, Muzakët, Zahariajt, Arianitët, Kastriotët, Jonimajt etj. ishin të përzier midis tyre me lidhje të shumëfishta gjaku e krushqie. Madje disa prej tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e mëdha të kohës si paleologët, asienët, anzhuinët, si edhe me aristokracinë kroate, serbe e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë me ta, madje edhe me fisnikët e Italisë së Jugut.
102 Këto familje fisnikësh kishin secila oborrin e vet, ku vinin rrotull një varg zotërinjsh e fisnikësh, kancelarësh, qefalinjsh e vojvodësh të rangjeve të ndryshme, si edhe një mori kalorësish, kasnecësh e shërbëtorësh, si edhe të ftuar të shumtë.
103 Kjo fisnikëri nga kontaktet me fisnikët e Perëndimit, synonte të jetonte e të zbavitej si ata. “Për një kohë shumë të gjatë, - thotë Shuflai, - fisnikët dhe zotërinjtë e hinterlandit, kishin zakon të shkonin në Durrës shumë herë në vit, për punët e veta dhe për dëfrim (“pro suis factis, vel pro placere”). Në një marrëveshje midis anzhuinëve dhe despotit shqiptar Andre Muzaka, në vitin 1336, u jepej liri anëtarëve të kësaj familjeje që të vinin në Durrës sa herë dëshironin dhe ata mbetën, deri në shpërnguljen e tyre në Itali më 1476, në raporte miqësore me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje miqësie, që favorizonin shtrirjen e modës veneciane në gjithë mënyrën e jetesës, duket se vazhduan edhe në shek. XVI. 
104 Nën ndikimin perëndimor, sidomos të anzhuinëve, fisnikët e vendit tonë fillojnë të përdorin edhe stemat e vulat, duke zgjedhur secili shenja e simbole të veçanta. Stema e gdhendur në gur vendosej, zakonisht, në hyrjen kryesore të kështjellës. U bë zakon gjithashtu që familjet fisnike të hartonin edhe gjenealogjitë e tyre, më fort për të konsakruar prejardhjen e tyre, por edhe për t’u treguar pinjollëve pasardhës ku shtriheshin pronat e zotërimet e tyre. Një shembull i mirë për këtë është Gjon Muzaka, i cili në vitin 1510 hartoi gjenealogjinë e familjes së vet, duke na dhënë kështu një dokument shumë të vlefshëm për kohën.
105 Koha e kalimit nga ilirishtja në shqipen e lashtë (arbërishten)
106 Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më 395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor (romak). Për më tepër, duke qenë në periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar dalëngadalë. Këto rrethana bënë të mundur që popullsitë vendëse të këtyre trevave t’i shtonin e t’i forconin kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit të mëtejshëm të atyre popullsive, por u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur të shfaqej qysh në periudhën e fundit të lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime të tilla, që hapën rrugën për kalimin e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja jugore në një gjuhë cilësisht të re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja. Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar disa dukuri me karakter të përgjithshëm apo dialektor, që janë karakteristike për gjuhën shqipe dhe dialektet e saj. Ndër këto dukuri me karakter mbarëshqiptar mund të përmenden shfaqja e zanores /y/ dhe e zanores /ë/ të patheksuar, krijimi i kundërvënies lakim i pashquar ~ lakim i shquar me shfaqjen e nyjës së prapme shquese etj. Po gjatë asaj periudhe në dialektin jugor është shfaqur zanorja /ë-/ e theksuar para një bashkëtingëlloreje hundore (khs. nanë ~ nënë, banj ~ bënj etj.), si edhe rotacizmi, d.m.th. ndërrimi /-n-/ > /-r-/ në pozicion ndërzanor (khs. venë ~ verë, danë ~ darë etj.). Që të dyja këto dukuri janë shfaqur qysh para dyndjeve sllave, d.m.th. para shek. VII e kjo dëshmon se në kohën e ardhjes së sllavëve në këto anë ata gjetën aty një popullsi, që fliste një gjuhë të ndarë në dy dialekte kryesore. 
107 Por pyetjes se që kur flitej kjo gjuhë në këto treva, i janë dhënë përgjigje të ndryshme. Disa dijetarë kanë shprehur mendimin se stërgjyshërit e shqiptarëve janë vendosur në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit, duke u shpërngulur, pa u vënë re, nga vise më lindore të Ballkanit pak para apo pas ardhjes së sllavëve në Ballkan. Por shumica e studiuesve nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë parashtruar një varg argumentesh, që në vija të përgjithshme u vunë në dukje te Gjuha e ilirëve. Mjafton të përmendet këtu fakti që në gjuhën shqipe kanë mbijetuar edhe huazime nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër, lakën/lakër etj.; këto huazime e kanë burimin në dialektin dorik, që flitej në Greqinë Veriperëndimore si edhe në kolonitë greke të Adriatikut. Në gjuhën shqipe ka edhe huazime shumë të hershme nga latinishtja, gjë që dëshmon për pushtimin shumë të hershëm romak të trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve. Prania e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja e hershme dëshmon qartë se stërgjyshërit e shqiptarëve qysh në lashtësi kanë qenë fqinjët e grekëve të vjetër dhe nga të nënshtruarit më të hershëm të Perandorisë Romake në Ballkan.
108 Rrethanat e reja që u krijuan pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, sollën si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme në emërtimin e popullsive të Ilirisë Jugore si midis tyre, ashtu edhe nga të huajt. Kështu, nisi të përgjithësohej dalëngadalë midis popullsive autoktone emri Arbën/Arbër dhe fjalët e prejardhura (i) arbën-esh/arbër-esh dhe arbën-isht/arbër-isht, për të emërtuar përkatësisht vendbanimin, banorin dhe gjuhën e tyre të përbashkët. Mbi këtë bazë edhe të huajt nisën të përdornin emërtimet Arbania/Albania, arban-ensis/albanen-sis (latinët), Arvan-on, arvan-it-is (grekët), Raban < Arban dhe Arë-banas (sllavët), kurse turqit më vonë, nën ndikimin e greqishtes, përdorën trajtat arnaut dhe Arnautlluk.
109 Të gjitha këto emërtime e kanë burimin tek emri i popullsisë ilire të Alban-ëve, a më saktë të Arban-ëve, që në dokumentet e shkruara dëshmohet për herë të parë në shek. II të erës së re, kur Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij Geografia, libri III, 12, shkruan: “Në tokën e albanëve (Albanoi), Albanopolis”. Popullsia ilire e albanëve a arbanëve banonte në një trevë në lindje të Durrësit. Por pas Ptolemeut emri Arban a Alban në burime të shkruara del vetëm në shek. XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati (1040) dhe Ana Komnena (1081), për të emërtuar treva të Shqipërisë së Mesme (shih Acta et Diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I). Madje, në këtë vepër, (I, faqe III) pohohet: “Në burimet bizantine të shek. XI Alvanon/Arvanon shenjon krahinat malore, që gjenden ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit…”. Kuptohet vetiu që një shtrirje e tillë e këtij emri gjeografik duhet të jetë më e hershme se shek. XI. 
110 Pra, emri Arban a Alban, i shqiptuar nga banorët vendës Arbën(ë) me theksin mbi rrokjen nistore, në përputhje me rregullsitë e theksimit të emrave shumërrokësh në shqipen e lashtë, ashtu si Durrës < Dyrrhachion, Ishëm < Isamnus etj., duhet të jetë shtrirë qysh mjaft kohë para shek. XI në viset në veri edhe në jug të trevës së banuar në lashtësi nga popullsia ilire e Arbanëve a Albanëve. Për këtë dëshmojnë, ndër të tjera: 1. K. Jireçeku pohon se trevat e Shqipërisë së sotme në kohë të mesme sllavët i kanë quajtur Raban < Arban a Arëban-as dhe gjuhën përkatëse rabënë-ski. Të kihet parasysh edhe një dokument i shek. XIII, ku bëhet fjalë për një ndodhi në një fshat afër Raguzës dhe ku një dëshmitar pohon: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën albanesca.” 2. Në dialektin jugor emri Arbën(ë) del në trajtën Arbër(ë) me shndërrimin e /-n-/-së ndërzanore në /-r-/, ashtu si te Vlonë ~ Vlorë, venë ~ verë etj. Dhe në përgjithësi është pranuar që ky ndërrim fonetik (rotacizmi) nuk i ka prekur huazimet sllave të shqipes, pra, është vërtetuar para depërtimit të sllavizmave në shqipe. 3. Në dokumentet e gjuhëve fqinje të shekujve të parë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë shqiptarët, pa dallim krahine, përmenden me trajta fjalësh, që lidhen me emrin e lashtë Arban a Alban (shih këtu më sipër).
111 Shtrirja dhe përgjithësimi i hershëm i emrit Arbën/Arbër në trevat e ndryshme, ku flitej arbënisht/arbërisht, dëshmon për një vetëdijshmëri të atyre që flisnin këtë gjuhë, se i përkisnin një etnosi të vetëm. Siç pohon A. Buda, “Kjo ishte një dukuri që nuk kishte të bënte me pushtime, por me krijimin e një bashkësie ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të përbërë nga trevat historike të shqiptarëve. Fakti se me emrin e njëjtë etnik Arbën shqiptarët emërtohen në mënyrë të njëjtë si nga burimet mesjetare të hershme greko-bizantine (shek. XI e këndej), nga burimet perëndimore të së njëjtës periudhë, si edhe nga ato serbe e bullgare (shek. XII-XIII), pavarësisht nëse ishte fjala për trevat më jugore apo më veriore e lindore shqiptare, tregon tashmë për konsolidimin e tipareve të kësaj bashkësie etnike në etapën e saj më të lartë, si “kombësi”, proces i pasqyruar pikërisht në këtë emërtim të përbashkët”.
112 Faktorët që do të kenë ndikuar në përhapjen dhe përgjithësimin e emrit Arbën/Arbër dhe të fjalëve të prejardhura (i) arbënesh/arbëresh dhe arbënisht/arbërisht në veri dhe në jug të viseve ku banonte fisi ilir i Arbanëve, mbeten të paqartë. Ndër këta faktorë mund të kenë qenë ndoshta edhe pozicioni gjeografik i atij fisi dhe marrëdhëniet e tij me banorët e trevave të tjera, ku popullsia flisnin të njëjtën gjuhë. Por fjalët Arbën/Arbër, i arbënesh/i arbëresh dhe arbënisht/arbërisht gjatë shekujve të fundit kanë dalë jashtë përdorimit në Shqipëri dhe kanë mbetur në përdorim pothuaj vetëm tek arbëreshët e Italisë dhe në një numër të kufizuar fshatrash të krahinave të Vlorës e të Kurveleshit. Edhe arbëreshët e Greqisë gjatë shekullit të fundit po quhen arvanit-as, sipas greqishtes arvanit-is, që e ka burimin tek Arban (me shndërrimin e rregullt /-b-/ > /-v-/ të greqishtes). Gjithsesi, tek autorët e vjetër veriorë të shek. XVI-XVII, fjalët Arbën dhe i arbënesh/e arbënesh-e ndeshen rregullisht dhe vetëm gjatë shekujve të fundit ato kanë ardhur duke u zëvendësuar gjithandej në trevat e banuara nga shqiptarët me fjalët shqip, shqip-tar,Shqip-ëni/Shqip-ëri.
113 Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt e mesjetës
114 Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore kulturore shekuj më e hershme. 
115 Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë” veçanërisht nga viset bregdetare.
116 Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s’njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.
117 Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e epopesë legjendare”, e cila me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
118 Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në raport me Omerin (ose “shtatë Omerat”). Figurë qendrore është Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
119 Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi “tim për tim” (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
120 Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston “e bukura e qiellit”. Krahas me “të bukurën e dheut” (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i “shtojua zot vallet”), shtojzorreshtat (“shtojua zot rreshtat”), “ato të lumet”, shita.
121 Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
122 Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur. Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin “kur kem’ pas’ besë me krajli”. Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre. 
123 Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë “land”. Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin “të vetët - të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre “të vetët” del aty-këtu.
124 Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre. Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë “i bukur”, i përgjigjet thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë “i lartë, fisnik”, që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane. 
125 Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
126 Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin “Kënga e Halil Garrisë”. Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër, qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur në këtë jetë.
127 Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi popullor.
128 Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një shkallë relativisht të gjerë.
129 Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
130 Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV. 
131 Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin, përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen estetike të shqiptarëve.
132 Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.
133 Kultura, letërsia e shkruar dhe arsimi në tokat shqiptare
134 Rol të rëndësishëm në veprimtarinë kulturore dhe arsimore në mesjetë luajti kisha e krishterë. Roli i saj si udhëheqëse shpirtërore shpjegohet nga fakti se krahas burimeve ekonomike, kisha pati në dorë monopolin e kulturës dhe përgatitjen e inteligjencies së kohës. Shumica e njerëzve të kulturës, veçanërisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë, qoftë si prodhues, qoftë edhe si porositës të prodhimit artistik e kulturor. Në duart e klerikëve ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të propagandimit të doktrinës fetare, të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret ortodokse e katolike, krahas të cilave vepronin aktivisht edhe “kurjet” peshkopale. Me ashpërsimin e marrëdhënieve shoqërore e politike në mesjetë, kur u forcua më tepër lufta e kishës për të ruajtur ndikimin e vet, krahas urdhrave murgëtarë të benediktinëve e dominikanëve që kishin pasur në dorë arsimin, qysh nga shek. XIII dhe në Shqipëri filluan të përhapeshin urdhrat murgëtarë të “lypësve”, minoritët françeskanë. Me predikimet e tyre për nevojën e “reformave” të kishës në frymën e “varfërisë”, këta mundën të ndikonin më lehtë mbi shtresat popullore.
135 Duke filluar nga shek. XIII pranë klerikëve në veprimtarinë kulturore të zhvilluar në tokat shqiptare shfaqen edhe përfaqësues të aristokracisë vendase, më shpesh si ktitorë (themelues) ndërtimesh monumentale kishtare. Fuqizimi ekonomik e politik i jepte asaj mundësinë të pajtonte artistë e mjeshtër dhe të ndërmerrte ndërtime të kushtueshme. 
136 Në sajë të pozitës mbizotëruese të kishës, në kushtet e sundimit bizantin dhe të atij të feudalëve perëndimorë në tokat shqiptare, gjuhët greke e latine mbajtën për një kohë shumë të gjatë pozitën si gjuhë kulturore mbisunduese.
137 Gjatë mesjetës u shtua në mënyrë të ndjeshme numri i veprave të shkruara që qarkullonin në duart e njerëzve të mësuar. Përmbajtja e shumicës së tyre ka karakter krejt kishëtar. Ato janë tekste ungjillore, vepra liturgjike, aty-këtu ndonjë traktat teologjik. Një pjesë e tyre ka mundur të ruhet në Berat. 
138 Nga shekujt e mesjetës vjen koleksioni i kodikëve që përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar. Ky koleksion përmban mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë manastirit të Shën Gjon Vladimirit, mitropolisë së Drinopolit e arkipeshkvisë së Shkodrës. Kodikët ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
139 Kodikët e Shqipërisë, nga të cilët më i vjetri është “Kodiku i Purpurt i Beratit”, janë një fond me rëndësi për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike. Këta kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shek. VI - deri në shek. XVIII). Pjesa më e madhe e teksteve të tyre janë greqisht, por, duke ardhur më pranë kohërave të reja, shtohet prania e shqipes. 
140 “Kodiku i Purpurt i Beratit” është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike dhe renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Sipas teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shek. VI pas erës sonë. Ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Është shkruar me shkronja të derdhura prej argjendi. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur këto shkronja është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra (jo më i hershëm se shek. XVIII). 
141 Për herë të parë për "Codex Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun e kishës së Shën Gjergjit", që gjendej në kështjellën e Beratit. Në një shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për rrezikun që i vinte rrotull këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë serbe të Stefan Uroshit rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe të kishës së Shën Gjergjit, thesarit më të madh të qytetit. 
142 Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore (kur u fsheh nga atdhetarët beratas për të mos rënë në duart e pushtuesve) “Kodiku i Purpurt i Beratit” ishte jo vetëm një libër (dorëshkrim) për bibliotekën, por edhe tekst liturgjie. Një herë në vit mesha mbahej sipas ungjijve të këtij teksti. 
143 "Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve. 
144 Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptarë ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit kodik, në të cilat janë kopjuar gjatë 12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës ekleziastike, mendohet se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë një traditë të letërsisë kishtare, vijnë në ndihmë të këtij përfundimi edhe të dhëna të tjera. Kryelutja mijëvjeçare e krishtërimit perëndimor Ty zot të lavdërojmë - Te Deum Laudamus, e cila u kompozua nga Shën Niketa i Dardanisë (ose Shën Niketa i Remesianës), u përhap në disa variante në Evropën Perëndimore pas vitit 525
145 "Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. "Kodiku i Purpurt i Beratit" është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin "Memoire du Monde" (Kujtesa e Botës) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të UNESCO-s. 
146 Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit" (Codex Aureus Anthimi) - për shkak të shkronjës prej ari që është përdorur, i takon shek. IX. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut). Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar me motive floreale dhe gjeometrike (rrathë dhe lule).
147 Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2", bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar “Kodiku i Vlorës”, afërsisht shek. X; “Kodiku i Përmetit”, i shek. XIV; “Kodiku i Shkodrës”, i të njëjtit shekull.
148 Në kodikët që i takojnë periudhës prej shek. XII e këndej ka dhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë. 
149 Duke filluar nga shek. XII shënohet një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare, duke çuar më përpara traditat në këtë fushë. Huazimet me prejardhje latine si: “shkruaj”, “këndoj” etj., me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor dëshmojnë se populli shqiptar njihte shkrim e këndim pa ndërprerje qysh prej një kohë të lashtë.
150 Zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik që karakterizon shek. XII-XIV krijoi kushte për përdorimin më të gjerë të shkrimit. Konsolidimi i formacioneve shtetërore vendase shtruan nevojën e redaktimit të akteve me karakter juridik e politik. Kësaj nevoje i shërbenin tani jo më rastësisht njerëz të ditur si klerikë e murgj të manastireve, por profesionistë të specializuar. Këta formonin kancelaritë pranë oborreve feudale dhe në qytetet kryesore të vendit. Rrethi i njerëzve të kulturës u shtua edhe me banorë të komunave qytetare. Në shek. XIV e në fillim të shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaft i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.
151 Nuk munguan edhe vepra të shkëputura deri-diku nga përmbajtja kishtare. Të tilla janë, p.sh., kronika e peshkopit Mihail nga Devolli (shek. XI-XII), e cila trajton ngjarje të luftës së bizantinëve kundër mbretërisë bullgare në Maqedoni e pjesërisht në tokat shqiptare, letërkëmbimi i peshkopit Teofilakt të Ohrit, me disa të dhëna interesante mbi jetën e banorëve të peshkopatës së tij në fillim të shek. XII, disa jetëshkrime shenjtorësh që zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në tokat shqiptare, si ato të Klementit e Naumit hartuar në shek. XIII etj. Ndryshe nga këto vepra të shkruara greqisht, është shkruar latinisht kronika e një prifti nga Dioklea, e cila përshkruan ngjarjet që u zhvilluan në Shqipërinë e Epërme në kapërcim të shek. X-XI. Në territor të banuar prej shqiptarësh në Epir, janë hartuar në fund të shek. XIV e në fillim të shek. XV dy kronika greke që japin të dhëna me interes për historinë e Principatës shqiptare të Artës. Shënime historike për shek. XIV gjenden edhe në disa nga dorëshkrimet e Beratit.
152 Megjithëse nuk shkëputen nga fryma teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në vendin tonë, sepse një pjesë e këtyre është hartuar pa dyshim nga autorë vendas dhe i përket historisë së tokave shqiptare. Shkëputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.
153 Nën ndikimin mbizotërues të kishës lindore dhe të asaj romane, gjuha kishtare shërbeu edhe si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore. E tillë ishte, sipas rrethanave politike, greqishtja dhe latinishtja dhe në një masë më të vogël, me vendosjen e sundimit serb edhe sllavishtja. Si gjuhë shkrimi këto u përdorën edhe nga paria sunduese shqiptare, në veprimtarinë shtetërore. Disa nga sundimtarët shqiptarë, si Muzakajt, përdorin në korrespondencën e tyre greqishten, kurse Balshajt latinishten dhe sllavishten, të tjerë si Karl Topia dhe Kastriotët i përdorën të tria këto gjuhë. Dëshmi për këtë janë mbishkrimet e rëndësishme të vendosura më 1383 prej Karl Topisë në manastirin e Shën Gjonit pranë Elbasanit.
154 Këto gjuhë mësoheshin në shkollat që vepronin gjithmonë nën mbikëqyrjen e kishës. Në shkollat pranë manastireve, mësimi jepej në fillim në formë individuale vetëm me lexim e me këngë kishtare, kurse më vonë jepej me forma më të organizuara duke përfshirë një rreth më të gjerë lëndësh. Në të tilla shkolla që i hasim edhe në qytetet pranë kurjeve peshkopale, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë). Për mësimin e këtyre lëndëve pajtoheshin me kontratë klerikë të ditur. Të tillë mësues shqiptarë vepruan edhe në një varg qytetesh dalmatine ku ishin pajtuar me shërbim si specialistë të njohur. Me zhvillimin e qyteteve, shkollat pranë nxënësve klerikë filluan t`i frekuentonin aty-këtu edhe nxënës nga shtresat e larta tregtare dhe zejtare të qyteteve.
155 Themelimi i shkollave në trojet shqiptare gjatë mesjetës u bë me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan, si dhe të administratës komunale e princërore të qyteteve të njohura. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.
156 Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rëndësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve kishtare dhe të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek. XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhje të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
157 Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historinë e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek. XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky hap i rëndësishëm lidhet me ngritjen e përgjithshme ekonomike-shoqërore të vendit dhe veçanërisht të qyteteve.
158 Me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe.
159 Fillimet e letërsisë shqiptare. Dokumentet e para të shqipes së shkruar 
160 Libri i parë shqip që njihet deri më sot është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Por ka të dhëna të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që flasin se fillimet e shkrimit shqip e të letërsisë shqiptare duhet të jenë më të hershme se shek. XVI. Vetë trajta e ngulitur e shkrimit dhe e gjuhës në veprën e Gjon Buzukut dëshmon se ajo duhet të ketë trashëguar një traditë para saj. Një dëshmi tjetër e tërthortë vjen prej klerikut frëng Gulielmi i Adës (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341) si kryepeshkop i Tivarit dhe e njohu nga afër jetën e banorëve të këtyre trojeve. Në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terram sanctam”, dërguar mbretit të Francës, Filipi VI Valua, në vitin 1332, Guljelmi ndër të tjera shkruan: “Sado që arbrit kanë gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në tërë librat e tyre shkronjën latine”.
161 Po ashtu Marin Barleci në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës” (De obsi-dione Scodrensi), botuar në Venedik më 1505, thotë se ka pasur në dorë kronika që flasin për rindërtimin e atij qyteti të shkruara, sipas tij, in vernacula lingua, d.m.th në gjuhën e vendit. Kurse historiani kalabrez Xhakomo Marafioti njofton më 1601 se në Kalabri arbëreshët i kanë arbërisht shërbesat fetare dhe as latinisht, as greqisht. Kuptohet se këtë traditë ata duhet ta kenë marrë me vete nga Shqipëria, sepse nuk mund ta krijonin vetë aq shpejt në kushtet e mërgimit të tyre të rëndë.
162 Deri më sot njihen vetëm tri dokumente të shqipes së shkruar në shek. XV ose diçka më herët.
163 I pari dokument i shkruar në gjuhën shqipe është “Formula e pagëzimit” dhe i takon vitit 1462. Është një formulë e shkurtër fetare e shkruar shqip, brenda një teksti latinisht, të hartuar prej kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut. Në qarkoren që u dërgon vartësve të tij të klerit katolik, ai lejon që prindërit shqiptarë, në rast nevoje, kur nuk mund t`i pagëzonin fëmijët në kishë, mund t`i pagëzonin vetë duke përdorur këtë formulë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të birit e të shpirtit shenjtë). Kjo frazë është shkruar në alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
164 Dokumenti i dytë i shkruar në gjuhën shqipe është “Fjalorthi” i Arnold Von Harfit, i vitit 1496. Ky udhëtar gjerman, gjatë një udhëtimi në viset shqiptare, për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri 10, dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht.
165 I treti dokument i shqipes së shkruar që njihet me emrin “Perikopeja e ungjillit të pashkëve”, është gjetur në Bibliotekën Ambroziane të Milanos brenda një mbishkrimi greqisht të shek. XIV. Fragmentet shqip s`kanë lidhje me dorëshkrimin greqisht dhe dijetarët mendojnë se ky dorëshkrim mund të jetë i fundit të shek. XV ose i fillimit të shek. XVI. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabetin grek.
166 Shqipja dokumentohet kështu e shkruar që në shek. XV në dy dialektet e saj kryesore dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek. Kjo është një dëshmi se kultura shqiptare dhe jeta shpirtërore konfesionale në Shqipëri zhvillohej nën ndikimin e kulturës latine-katolike, dhe të kulturës bizantine-ortodokse.
168 Arkitektura në shek. VI-XV
169 Veprat më të rëndësishme të artit që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet e arkitekturës kanë mundur t’u qëndronin më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat e shumta. 
170 Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht, në fushën e arkitekturës u bë një përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit. Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin e Shqipërisë që përfshihej në provincat e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që synonin t’u bënin ballë sulmeve avaro-sllave. Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh, ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh.
171 Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë veprimtari e bën të njohur në veprën e tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të vendeve të përmendura nga Prokopi është vështirë të identifikohen me emrat e rinj.
172 Fortifikimet më të rëndësishme të shek. VI janë pa dyshim muret rrethuese të Durrësit që i takojnë periudhës së sundimit të perandorit Anastasi I. Ato janë ndërtuar krejtësisht me tulla dhe kanë një gjerësi prej 3,50 metrash. Çdo 60-65 metra janë ndërtuar kulla të fuqishme pesëkëndëshe, të cilat kanë patur një lartësi prej 18 m dhe ndaheshin në tri kate me dysheme druri. Kati përdhes kishte një lartësi të dyfishtë dhe shërbente si depo. Kati i parë përbëhej nga një hapësirë e vetme e pajisur me frëngji për katapulta. Kati i dytë mbulohej nga qemere mbi të cilat ndodhej tarraca e rrethuar nga parapeti me frëngji. Muret e qytetit përshkoheshin nga një numër i madh portash, prej të cilave ruhen vetëm dy prej tyre në murin jugperëndimor. Hyrja kryesore e qytetit, e cila nuk ekziston më, duket se ndodhej nga verilindja. Sipas përshkrimit të Ana Komnenës, para kësaj porte qëndronte një statujë prej bronzi, e cila me sa duket kishte mbetur aty nga koha romake dhe i kushtohej perandorit Adrian.
173 Në shumë drejtime vlerat arkitektonike të Durrësit në fushën e artit të fortifikimit i kalojnë kufijtë krahinorë. Para se gjenerali i Justinianit, Belizari, të ndërtonte në Romë një tip të ri bedenash, që siguronin një mbrojtje anësore, dhe që sipas Prokopit bëri përshtypje në atë kohë, ato i gjejmë të zbatuara në kështjellën e Durrësit.
174 Gjatë periudhës së Justinianit vërehet një tendencë për ndërtimin e kështjellave mbi lartësinë e kodrave, përdorimi i akropoleve dhe nënndarje të tjera, që s’ishte gjë tjetër veçse kthimi në format e vjetra të periudhës helenistike apo të fortifikimeve më të hershme ilire. Shembuj të tillë ndeshen në kështjellën e Zvezdës, Zaradishtës, Çukës së Ajtojt etj. Frëngjitë fillojnë të bëhen gjithnjë e më të ngushta, hyrjet e vjetra murosen ose ngushtohen duke e bërë mbrojtjen gjithnjë e më pasive.
175 Një vend të rëndësishëm midis monumenteve të arkitekturës mesjetare zënë ndërtesat e kultit të krishterë. Ndërsa banesat brenda kështjellave ishin të thjeshta, përgjithësisht njëkthinëshe, ndërtimet e kultit të krishterë përbëheshin nga godina të mëdha, të tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime ndoqën në vija të përgjithshme skemat arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës romake.
176 Mjaft monumente kulti të kësaj periudhe janë nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike në Ohër, Amantia, Bylis, Butrint, Elbasan, Lin (Pogradec), Tiranë, Paleokastër (Gjirokastër), Tushemisht (Pogradec), Polenë (Korçë), Karbunarë (Vlorë), Pluk (Fier) etj. Deri tani janë zbuluar gjurmët e rreth 30 bazilikave, dyshemetë e të cilave në pjesën më të madhe kanë qenë shtruar me mozaikë. Vetëm në qytetin antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të mëdha.
177 Numri i madh i këtyre monumenteve, cilësia artistike e realizimit të tyre si dhe përmasat shpesh gjigante tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte marrë një zhvillim të madh.
178 Bazilikat ishin ndërtime që kishin një shtrirje të theksuar gjatësore. Ato ndaheshin në tri hapësira kryesore (nefe) nëpërmjet një sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona dhe mbuloheshin me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose me qemere (varianti oriental).
179 Në anën lindore ndodhej absida ku vendosej altari, ndërsa hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi dhe paraprihej zakonisht nga një parasallë (narteksi). Në bazilikat e mëdha kishte dhe një oborr të hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse (Bazilika e Arapajt-Durrës).
180 Më të rralla janë ndërtesat e kultit me planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron boshti vertikal kundrejt atij gjatësor. Këto ndërtesa që mbuloheshin në të shumtën e rasteve me kupolë, përbëjnë veçoritë themelore të arkitekturës bizantine në shekujt në vazhdim. Në vendin tonë deri tani janë zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri qendrore: kisha e Linit (Pogradec) dhe Baptisteri i Butrintit, të cilat shquhen dhe për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve të dyshemesë.
181 Gjatë shekujve të parë të mesjetës, që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të mëdha etnike në Ballkan, vihet re një rënie ekonomike dhe për pasojë edhe rënie në fushën e ndërtimeve civile apo të kultit. Në ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet një mur mbrojtës në shek. VII. Gjurmë të tjera ndërtimesh mbrojtëse të mesjetës së hershme hetohen gjithashtu në kështjellën e Lezhës dhe të Pogradecit. Për dy shekuj vazhduan të përdoren të njëjtat monumente kulti në zonat që i qëndruan pushtimeve sllave. Riparimet apo rindërtimet janë realizuar me një teknikë të varfër, që tregon për vështirësitë ekonomike të kohës. Bazilika e madhe e Butrintit e ndërtuar në shek. VI rindërtohet në shek. IX. Gjithashtu, në shek. XI vazhdon të përdoret bazilika e Ballshit, ku mbreti Boris i bullgarëve, në vitin 865, kthehet në fenë e krishterë.
182 Gjatë shek. X vërehet në përgjithësi një rritje e nivelit të ndërtimeve. Kriza që u shkaktua nga inkursionet arabe në detin e Jonit dhe shfaqja e frankëve në kufijtë perëndimorë rriti rolin e Temës së Durrësit në fortifikimin e qyteteve bregdetare të Shqipërisë. Mure mbrojtëse të kësaj periudhe, të pajisura me kulla trekëndëshe dhe kontraforta, hetohen në Kaninë dhe Butrint. Në shek. X u fortifikuan gjithashtu një radhë qytetesh rreth Shkodrës, si Sarda (Shurdhahu), Drishti (Drivast) dhe Deja. Në fushën e ndërtimeve të kultit vazhdimi i traditës bazilikale hetohet në kishën e Shën Kollit në Perondi të Beratit, si dhe në bazilikën nën xhaminë e Fatihut në Durrës. Arkitektura e kultit arrin kulmin me kishën e Shën Mërisë në Labovë të Kryqit të Gjirokastrës e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Kjo kishë e ndikuar nga arkitektura kryeqytetase shquhet për ngritjen e saj vertikale (lartësia 17 m), për tamburin masiv mbi të cilin mbështetet kupola, si dhe për dekoracionin e pasur me tulla.
183 Këto elemente si dhe konceptimi i hapësirës së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë. Arkitektura kishtare bizantine gjatë shekujve X-XV në Shqipëri dallohet për shumëllojshmërinë e tipave arkitektonikë duke filluar nga kishat njënefëshe, bazilikat, tipat në formë kryqi me kupolë si dhe nga tipa të tjerë ndonjëherë unikalë.
184 Përveç këtyre monumenteve për vlerat e tyre të veçanta arkitektonike shquhen edhe objekte të tjera të stilit bizantin, që u përkasin shekujve XIII-XIV, si: kisha e Ristozit në Mborje të Korçës, manastiri i Apolonisë, kishat bizantine të Beratit (Shën Mëria Vllaherna, Shën Triadha, Shën Mëhilli i ndërtuar në shkëmb), manastiri i Mesopotamit (Sarandë), ai i Zvernecit, kishat në fshatin Perondi të Beratit, në Kurjan të Fierit, ajo e Marmirojt në Orik të Vlorës, e Labovës në rrethin e Gjirokastrës etj. Vlera të veçanta artistike paraqet kisha e manastirit të Pojanit, e ndërtuar në shek. XIII nga perandori bizantin Androniku II. Shtyllat në oborrin e saj përbëjnë elementë të huaj që nuk gjenden në asnjë ndërtesë tjetër të këtij stili dhe që janë dëshmi e stilit romanik të përhapur në viset Veriore të Shqipërisë dhe në ato Perëndimore të bregdetit ballkanik. 
185 Në Shqipërinë Qendrore, por më tepër në atë të Epërme lulëzoi në mesjetë edhe arkitektura romaniko-gotike, kjo sepse krahinat veriore mbetën të lidhura më shumë me kishën perëndimore, ndërsa në Durrës dhe krahinat rreth tij vepronin të dyja kishat, por kishte përparësi kisha lindore. Në kushte të tilla përveç tipave arkitektonikë të pastër kemi dhe ndikime të ndërsjellta të arkitekturës bizantine dhe asaj perëndimore. Ndikimet e arkitekturës perëndimore vërehen dhe në ato krahina ku për periudha të shkurtra erdhën sundimtarë perëndimorë.
186 Shembujt më të shquar nga arkitektura romaniko-gotike datohen në shek. XII-XIII. Kishat e këtij tipi në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore karakterizohen nga planimetritë kryesisht njënefëshe me theksim të boshtit gjatësor perëndim-lindje me absida rrethore ose drejtkëndëshe, nga përdorimi i frantonive në anët më të ngushta, nga çatitë mbi kapriata druri me rrathë mbi qemere cilindrike, si dhe nga prania e këmbanave.
187 Prej tyre dalloheshin për trajtimin e tyre arkitektonik monumental dhe për kërkesat artistike, kisha e Shën Serxhit dhe e Bakut pranë fshatit Shirgj të rrethit të Shkodrës, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, kisha e Rubikut etj., prej të cilave dy të parat ndërtuar në shek. XIII mbi bazën e ndërtimeve më të hershme, ndërsa e fundit në shek. XII. Pjesa më e madhe e këtyre kishave ka qenë zbukuruar me piktura murale.
188 Elemente arkitektonike karakteristike romaniko-gotike ishin të përhapura prej bregdetit të Shqipërisë së Epërme deri në Kosovë, ku kjo arkitekturë pati një lulëzim të veçantë në ndërtimet e kultit në shek. XIV, siç është kisha e manastirit të Deçanit pranë Pejës. 
189 Banesat mesjetare i njohim më tepër nga të dhënat burimore. Ato ndërtoheshin me gurë, dru apo të ndërthurura. Çatitë mbuloheshim me furde ose me kashtë. Tjegullat përdoreshin në godinat e kultit dhe në ato të shtresave të pasura. Banesat e Shurdhahut (Sarda) të datuara në shek. XI, janë përgjithësisht dykthinëshe, si dhe të tilla me një ambient qendror midis tyre. Shtrimi i dyshemeve me pllaka guri tregon se ato duhet të kenë qenë njëkatëshe.
190 Gjatë shekujve XIII-XIV morën gjithashtu një zhvillim të dukshëm ndërtimet mbrojtëse, zgjerohen dhe rindërtohen muret e qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe lagjet e jashtme (varoshet). Në këtë veprimtari u dalluan despotët e Epirit dhe më vonë fisnikët shqiptarë, si Topiajt, Balshajt, Muzakajt etj. Kështu Topiajve me qendër në Krujë dhe Pertelë u atribuohet nga Barleci ndërtimi i kështjellës së Petrelës, ndërsa Balshajve kështjella e Shkodrës. Rreth mesit të shek. XIV Karl Topia rindërton kështjellën e Krujës, ndërsa në vitin 1389 Muzakët ndërtuan Kullën e Pirgut në derdhje të Semanit. 
191 Monumentet kryesore të arkitekturës civile në Shqipëri janë kështjellat. Tipa më interesantë paraqesin kështjellat e Beratit, Shkodrës, Lezhës, Shurdhahut, Krujës, Rodonit, Petrelës, Kaninës etj. Për një pjesë të mirë ato janë ndërtuar mbi themelet e kohës antike të herët ose të vonët, por janë rindërtuar gjatë shekujve të mesjetës. Kështjellat kryesore të vendit në gjendjen e tyre të sotme në themel u përkasin shek. XII-XV.
192 Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike të shek. XIII-XIV, kur ato u ndërtuan apo patën periudhën e lulëzimit më të madh gjatë mesjetës. Shembulli më tipik është kështjella e Beratit, muret e sotme të së cilës janë rindërtuar në fillim të shek. XIII prej despotit Mihail Engjëll Komneni, monogrami i të cilit qëndron mbi portën e parë të hyrjes. Muret rrethuese që ndjekin konturin e terrenit kanë një gjatësi prej 1 400 m dhe përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike dhe përmasa të ndryshme. Në pjesën më të mbrojtur të platformës së kodrës ndodhet kështjella e përforcuar nga pesë kulla. Vetë kështjella përmban edhe një ndarje tjetër më të vogël, të përforcuar me dy kulla që shohin nga oborri i kështjellës. Kjo ndarje shërbente si vend i qëndresës së fundit, por më tepër për të veçuar selinë e fortifikuar të sundimtarit nga garnizoni.
193 Kështjella ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila mbrohet nga një barbakan. Përveç ndërtimeve të mësipërme, në shpatin jugor të kodrës zbritnin dy mure nga qyteti deri në lumë, duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe prej 6 ha nga 16 ha që zë krejt sistemi i fortifikimit të Beratit.
194 Brenda mureve të kështjellës ndodhej bërthama kryesore dhe më e vjetër e qytetit. Edhe sot në kështjellë ndodhet një lagje e tërë me emrin “Kala”, më e vjetra e qytetit të Beratit. Duke u zgjeruar, qytetet mesjetare dolën jashtë mureve të kështjellës, ku u formuan te këmbët e saj lagje të jashtme, “varoshet”, të fortifikuar me mure shumë të dobëta. Nganjëherë varoshi lidhej me mure me kështjellën, siç ndodhte në Lezhë, në Drisht e në vende të tjera. 
195 Një nga fortifikimet që ka marrë trajtën themelore gjatë shek. XIII-XIV është kështjella e Shkodrës, e cila me gjithë ndërtimet dhe rindërtimet që ka njohur gjatë sundimit osman, ruan strukturën e saj të brendshme dhe të jashtme që ka pasur në ata shekuj. Sipërfaqja e brendshme e kështjellës, ndahet nëpërmjet muresh në tri oborre që komunikojnë me porta midis tyre. Oborri i tretë që zë një sipërfaqe më të vogël nga të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë e të mbrojtur të kodrës dhe luante rolin e një kështjelle. 
196 Gjatë shekujve XIII-XIV vihet re rritja e lartësisë së mureve dhe sidomos të kullave. Këtë e tregojnë sidomos kullat e kështjellës së Beratit. Deri në shfaqjen e armës së artilerisë ato duhet të ishin sa më të larta, për të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë, dhe me mure të fuqishme për t’u rezistuar makinave gurëhedhëse. Kullat ndaheshin në disa kate me dysheme druri ose me qemere. Zakonisht kati i sipërm mbulohej me qemer, mbi të cilin krijohej një platformë e rrethuar me bedena. Përveç kullave të zakonshme në kështjella ndërtoheshin dhe kryekulla (donzhone), që mund të ishin të shkëputura nga muret rrethuese dhe të zinin një vend qendror në kështjellë, mund të ishin të lidhura me muret apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle dhe ishte e aftë t’i qëndronte një rrethimi të gjatë. Ato i hasim kryesisht gjatë periudhës së Despotatit të Epirit, si në Durrës, Butrint etj.
197 Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella më të vogla. Të tilla ishin kështjellat në grykat e disa lumenjve që mbronin skelat tregtare, si kështjella e Pirgut në grykën e Semanit, e Bregut në atë të Shkumbinit, e Rodonit në grykën e Ishmit etj. Nga këto ruhet ende sot në gjendje të mirë kështjella e Bregut. Planimetria e saj është katërkëndëshe, me nga një kullë të rrumbullakët në të katër skajet. Muret e trasha kanë përsipër bedena dhe, sikurse kullat, janë pajisur me frëngji për t`u përdorur për mbrojtjen. Brenda mureve ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh etj.
198 Një tjetër tip kështjellash qenë ato që u ndërtuan në formë kullash në viset malore nga feudalë shqiptarë. Zakonisht të ndërtuara në vende strategjike, nga ana arkitektonike ato ishin të thjeshta. Gjurmët e disa prej tyre duken edhe sot në Guribardhë (Mat), në Kalanë e Lekës (Va-Spas), në kullën e Turanit (Korçë) etj.
199 Shek. XV shënon një epokë të re në zhvillimin e fortifikimeve, e cila lidhet me periudhën e përdorimit të armës së artilerisë dhe të përsosjes së saj. Në territorin e Shqipërisë fillojnë të gjejnë zbatim parimet moderne të fortifikimit, siç janë kullat për artileri që u quajtën “Rondelo”, të ulëta dhe me mure të fuqishme, të barabarta me lartësinë e kullave, hendeqet e fortifikuara etj. Kjo ndodhte në një kohë kur në disa vende të Evropës Perëndimore vazhdonin të ndërtonin gjithnjë e më tepër në lartësi për të vendosur sa më lart artilerinë mbrojtëse. Frymëzimet, më tepër teorike se praktike vinin nga Gadishulli Apenin. Në këtë fushë konkurruan Skënderbeu, venecianët dhe turqit, prej të cilëve këta të fundit nuk patën zhvillime të shënueshme të teorive moderne të fortifikimit në territorin e Shqipërisë. Ndërmjet shumë fortifikimeve të realizuara në këtë periudhë, përmenden fortifikimi në Kepin e Rodonit, të cilin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ndërtoi në vitin 1463 dhe kulla për artileri në kështjellën e Durrësit etj.
201 Artet figurative. Piktura mesjetare 
202 Krahas degëve të tjera të kulturës, në mesjetë morën zhvillim edhe artet figurative. Skulptura si gjini kryesore e arteve figurative, ashtu si në vendet e tjera të Europës Juglindore edhe në tokat shqiptare pati një zhvillim të kufizuar, qoftë për numrin, qoftë për vendin që zinin prodhimet e saj. Skulptura nuk mori këtu funksion të pavarur. Ajo i shërbeu si element dekorativ arkitekturës, në formë elementesh zbukuruese të lidhura me ballina ndërtesash, me porta e dritare, shtylla e gurë varresh. Edhe atje ku gjenden dekoracione plastike mjaft të zhvilluara, si në kishën e Mesopotamit pranë Sarandës, në kishën e manastirin e Deçanit, ato nuk dalin nga karakteri i një relievi të vendosur në muret e jashtme dhe nuk mund të qëndrojnë më vete. Po kështu kishte funksion ndihmës edhe skalitja e drurit, e argjendit etj.
203 Por në skulpturën ornamentale dhe në elementet e saj zbukuruese gjetën shprehje më shumë se në gjinitë e tjera të artit mesjetar elementet e artit popullor, që zhvillonin traditat e vjetra të njohura nga veshjet, nga shkorsat dhe nga qeramikat popullore. Këto ornamente ishin zbatuar në mënyrë më të përsosur e më të ndërlikuar, në materiale më të kushtueshme, si në orendi kishtare, potire, kapakë ungjijsh, në arka druri, në veshje të kushtueshme dinjitarësh, kishtarë e laikë etj. Këto janë pajisur me zbukurime të pasura në formë lulesh, nganjëherë edhe kafshësh e shumë më pak njerëzish.
204 Zhvillim të madh si gjini e pavarur e artit mesjetar morën artet figurative e sidomos piktura që pati një përhapje më të gjerë. 
205 Por pjesa më e madhe e krijimtarisë artistike të mesjetës së hershme e të vonë, si ajo e mozaikëve, e miniaturës së dorëshkrimeve, ikonostasëve, ikonave, afreskeve dhe skulpturave, për shkak të rrethanave tepër të vështira që kaloi Shqipëria, të luftërave e pushtimeve të shumta, nuk ka mundur të arrijë deri në kohën tonë.
206 Piktura si gjini u nxit nga kisha e krishterë sidomos nëpërmjet veprave ikonografike. Krijuesit e pikturës mesjetare ishin në përgjithësi klerikë e murgj, që kishin punishtet e tyre pranë manastireve ose kishave. Por edhe kur ishin laikë, ata ishin lidhur pas kishës si porositës kryesorë. Nuk njihen emra piktorësh deri në shek. XV, sepse ata zakonisht nuk e vinin emrin në veprat e veta. Nën udhëheqjen e piktorit mjeshtër punonin disa ndihmës ose nxënës, të cilët merrnin pjesë në pikturimin e veprës, duke plotësuar hollësitë e dorës së dytë.
207 Gjini kryesore të pikturës mesjetare ishin në shekujt e parë mozaikët. Më vonë zhvillohet gjerësisht piktura monumentale murale (afresket), si dhe piktura në tablo, ikonat. 
208 Teknika e mozaikut në vendin tonë ishte trashëguar që në kohën antike. Shek. IV-VII paraqiten me disa vepra të rëndësishme, si Bazilika e Ohrit, Bazilika e Linit (Pogradec), Bazilika e Arapajt (Durrës), Bazilika e Bylisit (Ballsh), mozaiku i Baptiserit të Butrintit etj. Piktura e mozaikëve paraqiste tematikën e zakonshme kishtare e bashkë me të edhe figura perandorësh, princash etj., me familjet e tyre si ktitorë të kishave. Një vepër e bukur është ruajtur në mozaikun mural të gjetur në kishën e amfiteatrit të Durrësit. Duke shkuar përtej karakterit thjesht ornamental të mozaikëve antikë, mozaiku i Durrësit krijon komplekse skenash me figura njerëzore, me një ndërthurje të bukur gurësh prej qelqi të ngjyrosur, të përzier me copëza guri natyror e tulla. Figurat njerëzore janë veshur me petka të kushtueshme të ngrira pa respektuar format reale të trupit, kurse fytyrat e njerëzve ruajnë karakterin individual. Mozaikët e Durrësit përfaqësojnë veprat më të hershme mesjetare të njohura në vendin tonë që trajtojnë figurën njerëzore, qofshin këta shenjtorë abstraktë ose njerëz realë.
209 Po nga fusha e mozaikut janë ato të periudhës së shek. VI-VII, si mozaikët e manastirit të Shën Nikollës në Mesopotam të Delvinës etj. Janë miniaturat, dorëshkrimet fetare, të cilat i gjejmë në kodikët si ai i shek. VI, të njohur me emrin “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Këto dorëshkrime janë të ilustruara me figura të vizatuara e të pikturuara si Evangjelistë që shkruajnë ungjillin, me ornamente të ndërthurura me shpendë dhe dekore lulëzore etj. Ato janë të realizuara nga piktorë profesionistë të asaj kohe d.m.th. nga ikonografë dhe shquhen për kaligrafi të përkryer me shumë hijeshi dhe me ngjyra të kultivuara. Miniatura e dorëshkrimeve mesjetare shihet më e përpunuar nga fundi i shek. XI ose në fillim të shek. XII me miniaturën e kodikëve të Vlorës, ku bie në sy një sintetizim i elementeve të stilit bizantin që sapo kishte arritur formimin e tij të plotë me ato të traditës së artit antik.
210 Po në këtë kohë zhvillohen gjini të tjera në artet figurative me pikturën në teknikën e afreskut. Në shpellën eremite të Bllashtojës si dhe në atë të liqenit të Prespës, të cilat ndodhen larg qendrave të banuara, por në vende shumë të bukura, gjenden piktura murale në teknikën e afreskut dhe që kanë interes për origjinalitetin ikonografik me paraqitjen e shumë skenave të pazakonshme për Bizantin dhe me një stil të lartë e të pastër bizantin. Po kështu në këto shpella janë gjetur ikona me vlerë që i takojnë po këtij shekulli, si ajo e Shën Mërisë me Krishtin dhe dyert e bukura të Bllashtojës (Prespë-Korçë), ku skena e ungjillëzimit është e realizuar vetëm me paraqitjen e figurës së Gabrielit përballë Shën Mërisë duke mënjanuar çdo gjë përreth.
211 Një fragment afresku që i përket shek. XII, në të cilin paraqitet martiri Eufemi, të hasur shumë rrallë në ikonografinë tonë, ruhet mbi një shkëmb të fshatit Kallmet pranë Lezhës.
212 Realizimi i miniaturës së nivelit të lartë në Shqipëri, përkon në kohë edhe me zhvillimin e pikturës monumentale të shek. XII, si të Rubikut dhe me atë të Shën Marisë së Cerkës (Leskovik), si dhe me afresket e kishës së Marmirojt në Orikum të Vlorës. 
213 Piktura murale u zhvillua në lidhje të ngushtë me destinacionin e saj si pjesë përbërëse e monumenteve arkitektonike. Fillimet e saj hetohen qysh nga shek. IX-X, ajo zhvillohet me ritme më të shpejta në shek. XIII-XIV. Zhvillimi ekonomik e politik i vendit krijoi rrethana më të përshtatshme për një zhvillim më intensiv të këtij arti. Duke u larguar nga tiparet universale karakteristike për stilin bizantin në përgjithësi, tani fillojnë të krijohen veçori dalluese me ngjyrë vendase.
214 Ndër veprat e shumta të krijuara nga gjysma e dytë e shek. XIII dallohen veçanërisht afresket e kishës së Rubikut, ato të manastirit të Pojanit, të kishës së Shën Triadhës në Berat, të Maligradit në liqenin e Prespës, të kishës së Mborjes etj. Si punë të kualifikuara shumica prej tyre qëndrojnë në nivelin e monumenteve më me rëndësi të vendeve fqinje, duke dëshmuar për një shkallë zhvillimi të barabartë.
215 Në afresket e kishës së Rubikut që mbajnë datën 1272 bie në sy në mënyrë të veçantë skena e kungimit të apostujve. Ndërmjet shenjtorëve tradicionalë, të paraqitur këtu, për herë të parë është përfshirë edhe figura e një shenjti vendas, Shën Asti. Në pikturën e Rubikut, ndonëse në një formë ende jo plotësisht të përcaktuar, kanë gjetur fillimin e tyre disa tipare që dëshmojnë një orientim deri-diku drejt traditës antike.
216 Kjo prirje, duke u zhvilluar më tej, u dha monumenteve tipare të veçanta që dallohen prej monumenteve bashkëkohëse të Ballkanit. Këtë orientim e gjejmë të dokumentuar sidomos në afresket e trapezarisë së manastirit të Pojanit.
217 Elemente laike dhe më realiste shfaqen në pikturën mesjetare veçanërisht në paraqitjet e portreteve të ktitorëve në fasadat e faltoreve, siç i ndeshim në Pojan e në Maligrad. Në hajatin e kishës së Pojanit (Apolonisë) gjejmë portretin familjar të perandorit Andronik. Ai paraqitet në qetësi të plotë, me fytyrë energjike dhe të pushtetshme. Rreth kokës së tij vërehet një brerore me ngjyrë të artë për t`i dhënë figurës së tij karakter hyjnor. Një vlerë të madhe kanë edhe afresket e kishës së Maligradit, ku në anën e jashtme të portës është paraqitur Qezar Novaku, fisnik i kësaj krahine, bashkë me familjen e tij. Si princi, ashtu edhe e shoqja dhe të bijtë janë veshur me stoli princore; sakoja e Qezarit është e stolisur me zhgaba dykrenare të përfshira brenda medalioneve.
218 Në shek. XIII - XIV në vendin tonë u krijuan vepra të shumta artistike, si ato të kishës së manastirit të Apolonisë (Fier) 1260-1328, ku pranë apsidës është pikturuar portreti i perandor Mihal Paleologut, të mbiquajtur Konstandini i Ri, si çlirimtar i Konstandinopojës nga latinët. Ai është paraqitur, së bashku me familjen e tij, me fytyrë energjike, e i pushtetshëm. Po të kësaj periudhe ishin afresket e kishës së Vaut të Dejës, ndërtesë e stilit romanik (të shkatërruara në vitet 60 të shek. XX).
219 Një përhapje shumë të gjerë pati edhe piktura e tablove, ikonografia. Shumica e ikonave ruajnë vlera artistike. Midis tyre ka edhe ikona të trajtuara në mënyrë më të gjerë në formë monumentale, por përgjithësisht ato japin skena të kufizuara nga ana tematike, shpeshherë i janë kushtuar vetëm paraqitjes së një shenjti. Ikonat janë pikturuar drejtpërsëdrejti në dërrasë ose në pëlhura të ngjitura në dërrasë.
220 Ikonat e pikturuara në dru në shek. XII, tre shekuj para pushtimit osman, që kanë mundur të ruhen deri më sot janë të pakta. Në këto ikona pasqyrohet stili i pastër bizantin, ku figurat pothuajse janë me qëndrim ballor dhe monumental, me lëvizje të kursyera dhe me stolisje në veshje. Ikona më të bukura të kësaj periudhe janë Shën Maria me Krishtin e tipit Odigitria, që do të thotë se Maria parandien dhe parashikon atë që do t`i ndodhë birit të saj, si dhe ikonat Dyert e Bukura që janë gjetur në kishën e Bllashtojës (Prespë-Korçë). Skena e ungjillëzimit te dyert e bukura është paraqitur tepër e thjeshtë, Shën Gabrieli në njërën dorë dhe në tjetrën Shën Maria. Këtu përveç dy figurave përballë njëra-tjetrës nuk është pikturuar gjë tjetër.
221 Lulëzimi dhe zhvillimi i Konstandinopojës në gjysmën e dytë të shek. XIII dhe gjatë shek. XIV pati një ndikim të thellë në ikonografinë në përgjithësi dhe në monumentet e kulturës shqiptare. Veprat që u realizuan në këtë periudhë, karakterizohen nga një kanun i rreptë i stilit bizantin të shkollës së Konstandinopojës, si dhe ai i Shkollës së Ohrit. Arti i Bizantit gjatë kohës së Komnenëve, por sidomos ai i kohës së Paleologëve, filloi të marrë tiparet e një arti të konsoliduar të një rryme artistike përparimtare që u quajt “Rilindja e artit Bizantin”.
222 Kjo rrymë përkon në Shqipëri me zhvillimin e fuqisë ekonomiko-shoqërore të vendit, me fuqizimin e aristokracisë shqiptare, me rritjen e fuqizimin e qyteteve dhe me krijimin e principatave shqiptare. Kjo i dha dorë ndërtimit të shumë kishave të zbukuruara me afreske dhe ikona.
223 Një vepër me vlera historike dhe artistike e shek. XIV është Epitafi i Glavinicës (manastiri i Shën Marisë në Ballsh), realizuar më 1373 prej qëndistarit Gjergj Arianitit. Aty është dhënë figura e Krishtit të shtrirë (të vdekur) që është qëndisur e tëra me ar dhe ka përmasat 1m dhe 70 cm.
224 Ikonat që u përkasin shekujve XIII-XIV janë më të shumta, si ajo e tre Jerarkëve e kishës së Shën Vlashit në Vlorë etj. Një prej përfaqësuesve të kësaj epoke është ikona me përmasa të mëdha, ajo e Shën Mëhillit. Mendohet të jetë bërë në një nga atelietë e rrethit të Korçës. Kritikë të huaj të artit bizantin e kanë quajtur “Xhokonda shqiptare”. Kjo ikonë evokon traditën e pasur të shkollës së Ohrit. Engjëlli Mihali kompozuar në plan ballor e monumental është i veshur me atributet e strategut të forcës qiellore dhe mban në njërën dorë globin e kristaltë, imazhin e Kozmosit, shënuar nga monogrami i Krishtit dhe i kryqit ortodoks.
225 Pikturimi i kësaj ikone lidhet dhe ngjason shumë me afresket e kishës së Shën Marisë (Ristozi) në fshatin Mborje të Korçës, pikturuar më 1390 nga piktorë anonimë, si dhe me afresket e kishës së Shën Marisë në shpellën e liqenit të Prespës pikturuar më 1369. Mundet që një atelje e shquar të ketë pikturuar shumë ikona dhe afreske në këto zona të Shqipërisë Juglindore, si dhe në Maqedoni, Serbi dhe në Greqinë e veriut.
226 Veprat e kësaj periudhe, duke përfshirë dhe ato të kishës së Trapezarisë (Apoloni) si dhe atë të Shën Triadhës në kështjellën e Beratit, dëshmojnë për konsolidimin e një arti në këto zona, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm për piktorët e shek. XVI. 
227 Kultura e Bizantit qe burim kryesor për artin e krejt botës së krishterë të Lindjes. Por krahas ndikimit të tij, gjendet kudo edhe kultura vendase ku artistët e ndërthurën mirë artin bizantin me atë lokal. Si rezultat qe formimi i shkollave, secila prej tyre kishte traditat e saj specifikike e lokale, ndërsa të gjitha ishin të lidhura ndërmjet tyre me këtë tërësi bizantine.
228 Në shek. XV Shqipëria pushtohet nga osmanët pas betejash të njëpasnjëshme. Prandaj nga ky shekull nuk ruhet asnjë dokument ikonografik. 
229 Rënia e Konstandinopojës dhe dobësimi i lidhjeve me këtë qendër, bënë që arti ikonografik, krahas lidhjeve të vjetra, të hyjë në një fazë të re, ku filluan të krijoheshin hapësira të mëdha drejt novatorizmit të ikonografisë kishtare deri në krijimin e shkollave dhe të individualiteteve. Krahas rënies së përgjithshme ekonomike bie influenca e fuqishme e Bizantit dhe, nga ana tjetër, rritet ndikimi i vendeve perëndimore. Si rrjedhim, arti ikonografik i mesjetës në vendet e Bizantit, si Greqia, Bullgaria, Rumania, Serbia e Shqipëria, dalëngadalë zhvillohet tani në formën e një arti pasbizantin në këto vende. Veprat e artit pasurohen me elemente kombëtare të shoqëruara me elemente etnografike popullore, si veshjet në pasqyrimin e tipave krahinorë si dhe në pasqyrimin e figurave të ktitorëve (dhuruesve të kishës) me tipare realiste dhe origjinale. Por megjithatë kjo veprimtari ikonografike vazhdoi të ishte e lidhur me traditën e vjetër bizantine dhe të Ohrit, si edhe me artin e Rilindjes Evropiane të asaj kohe, veçanërisht me atë të Venedikut dhe të ishujve të Mesdheut: Korfuzi, Kreta etj. 
230 Nopça dhe Shqipëria
231 Në vitin 1993, me rastin e 60 vjetorit të vdekjes, respektivisht në Shkodër dhe në Tiranë, u mbajtën takime përkujtimore për Franz Nopçën nën okelon: “Nopça dhe Shqipëria”. Thelbi i kumtimeve të mbajtura nga studiues të njohur të fushave të ndryshme, mund të përmblidhej: Nopça mbetet një personalitet i huaj, padyshim ndër më të mëdhenjtë e ndër më të shquarit në mjaft fusha të dijes. Ai na shfaqet njëherazi si një figurë e rrallë poliedrike në fushën e shkencës e të kulturës shqiptare, njëri prej miqve më të sinqertë të popullit tonë. Dhe vërtet, kush njeh sado pak veprimtarinë shkencore të Nopçës, e ndjen se ka të bëjë me një të huaj që shfaqet i lidhur ngushtë, përzemërsisht dhe relativisht gjatë me Shqipërinë sa rrallë kush tjetër, e ndjen se ndodhet përpara një mendjeje universale që koha, kjo gjykatëse e “rreptë” e njeriut, dhe historisë, vështirë ta zhvleftësojë. Prandaj dhe tema Nopça dhe Shqipëria mbetet gjithmonë e hapur. Lidhjet shumëfijëshe të Nopçës me Shqipërinë, sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndriçohen e ridimensionohen në aspekte të ndryshme, për dukuri, do të thoshim, nga më interesantet. Fjala vjen, personalisht me kanë tërhequr vëmendjen, ndër të tjera, vite më parë, informacioni i gjerë e indikacionet me vlerë që na ofron gjuhëtari ynë i nderuar, i ndjeri Prof. Kostallari. Ai në një studim të botuar në vitin 1966 na bën të ditur se “në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës ruhen edhe shumë dorëshkrime në vlerë të albanologut Franz Nopça”. Ndër to i ka tërhequr vëmendjen një listë e shkruar me dorë nga vetë F. Nopça, ku renditen emra të njohurish që ka pasur në Shqipëri gjatë kërkimeve të tij shumëvjeçare (A. K. f.70). Kjo listë e shkruar me dorë nga vetë Nopça, që mban titullin “Të njohur, miq”, përfshin 190 emra personash nga vise të ndryshme të Shqipërisë së Veriut. Për çdo person jepet fshati nga është, si edhe ndonjë karakteristikë plotësuese. A. Kostallari, ndalet sidomos te një vepër e panjohur e Nopçës, zbuluar në bibliotekën e Vjenës. Indikacione dhe argumente të një karakteri të dyfishtë, të drejtpërdrejta e të tërthorta, e kanë bindur shkencëtarin tonë të nderuar se edhe vjershat e ciklit “Nga Shqipëria”, të përfshira brënda këtij vëllimi, kanë për autor Nopçën. Madje Kostallari thekson: “Ato duket se janë shkruar nga një dijetar që ka ardhur disa herë në malësitë e Shqipërisë Veriore dhe ka jetuar gjatë në këto vise, duke njohur thellë gjuhën, traditat, doket, zakonet dhe karakterin e popullit tonë.” (A. K. f.69,72). Ky cikël poezish për Shqipërinë botohet edhe si pjesë e artikullit të sipërcituar të A. Kostallarit. Duke komentuar në vijat më kryesore ciklin, ky i fundit, jo pa ndjenjë të thellë respekti për Nopçën pohon: “Veprat e botuara deri më sot prej Nopçës, e në mënyrë të veçante ky ditar i fshehtë i ndjenjave të tij, na dëshmojnë se, pavarësisht nga arsyet që e shtynë atë të vijë në Shqipëri, kur e njohu vendin e popullin tonë ai i deshi ata me gjithë shpirt.”. Dhe më tej vazhdon: “Në të gjithë ciklin “Nga Shqipëria” tingëllon mirënjohja e thellë jo vetëm e dijetarit, e albanologut, por në radhë të parë mirënjohja e njeriut për popullin tonë që i dha atij një atdhe të dytë.”. (A. K. f.77). Për të hedhur sado pak dritë mbi sa më sipër, kemi shkëputur vetëm pak radhë nga ky cikël: Unë di një vend, / ku çmohet lart besa / ku çmohet lart fjala e burrit, / ku pendimi i rremë s’ka nder. (A. K. f.79). Erdha në atdheun / Që zgjodha vetë. (A. K. f.80). Kështu, pra, nuk u gënjeva, / Kështu, pra bëra mirë. (A. K. f.81). Më thuaj, shtegtar i huaj, thuajmë / E njeh ti vendin e shqiptarëve? / E njeh lumin e Matit, ti i huaj? / Dhe kullën buzë lumit e ke parë? (A. K. f.82). Në një poezi kushtuar malësorëve ai pohon: Ju përshëndes, ju shokë të vjetër, / Ju përshëndes, ju miqtë e mij. (A. K. f.84). Ndërsa në poezinë me titull “Ndarja e fundit nga Shqipëria”, Franz Nopça shkruan: Disa herë jam ndarë nga ky vend, / Dhe pastaj kam vështruar prapa, / Dhe kam thirrur, kur ai i zhdukej syrit, / Në çastin e fundit: / Mirë u pafshim! Mirë u pafshim! / Dhe kështu ka ndodhur gjithnjë. (A. K. f.85). Edhe lexuesi, natyrshëm, pasi ta ketë lexuar ciklin e përmendur të poezive, do të thoshte me ndjenjë respekti: “Po! Nopça bëri shumë mirë që erdhi shpesh e punoi me përkushtim në Shqipëri e për Shqipërinë.”. E tërë vepra e shkruar e Nopçës për Shqipërinë, e botuar ose jo deri më sot, mendoj se përcjell një mesazh shumë domethënës: “Shqipëria u bë atdheu im i dytë. Duajeni dhe përkushtojuni si unë!”. Dhe të mos harrojmë: Eshtë mesazhi i veprave dhe i qëndrimeve të një të huaji që i shkeli këto troje që në agimet e shekullit tonë dhe mbi të gjitha, e një të huaji të ardhur nga Evropa plakë! Jo rastësisht, një i huaj tjetër, mik i Shqipërisë, ka vënë në dukje: “Me kulturën e tij të thellë Nopça ishte në biseda si një korife i vërtetë dhe, kur binte fjala për Shqipërinë e shqiptarëve, nuk lodhej duke biseduar me orë të gjata, me pasion të madh e dashuri të thellë.”.
233 Franz Nopça si etnolog
235 Në veprat e tij, Nopça na shfaqet edhe si etnolog i mirëfilltë. Tri vepra të njohura të Nopçës, siç janë ajo për ndërtimet, veshjet dhe orenditë e Shqipërisë së Veriut, dhe dy mbi fiset e Malësisë së Veriut, dhe të drejtën e tyre dokësore e mitologjinë, A. Buda i quan “trilogji” dhe thekson se “përbëjnë një inventar të plotë të kulturës materiale, shoqërore e shpirtërore, të malësorëve të veriut, në fund të shekullit XIX”. A. Buda vë me të drejtë në dukje gjithashtu se “këtu etnografi, me metodat e arkeologut duke larguar shtresë pas shtrese elementet e reja, përpiqet të arrijë deri në themelet e asaj ndërtese të lashtë e aq komplekse, siç është kultura e këtij populli. Edhe studiues të tjerë eminentë brenda e jashtë vendit, kanë shprehur për të vlerësime nga më seriozet. Dhe të gjithë piqen në një pikë: Nopça erdhi në Shqipëri si etnolog, gjeograf apo gjeolog plotësisht i formuar. Mund të kujtojmë sidomos vlerësimet në veprimtaritë e përmendura të vitit 1993, kushtuar figurës poliedrike të Nopçës. Kur është fjala për Nopçën si etnolog, atë e ka shqyrtuar vitet e fundit relativisht më gjerë kolegu M. Tirta. (K. P. 1993, në shtyp). Ai ndër të tjera, e konsideron “një nga tre pionierët më përfaqësues të kërkimeve etnologjike në Shqipëri në agim të këtij shekulli”. Po ashtu M.Tirta thekson se “Në studimet etnologjike Nopça qe nën ndikimin e teorive më të përparuara të dijetarëve gjermanë të asaj kohe”. Njëherazi etnologu Tirta na kujton se Nopça “duke njohur shqipen hyri në brendësi të jetës materiale e shpirtërore, të dokeve, zakoneve e riteve të tyre”. Pa lënë në harresë trajtesën tanimë të përmendur të A. Kostallarit, apo referimet ndaj Nopçës në bibliografinë e mjaft studimeve të botuara dekadat e fundit nga etnologët tanë, këtu duam të potencojmë posaçërisht vlerësimin objektiv, me sens kritik, që i ka bërë Nopçës si etnograf, një nga figurat madhore të historiografisë shqiptare, i paharruari prof. Aleks Buda, i cili pohon se “vepra etnografike e Nopçës, e studjoi Malësinë e Veriut si diçka të veçuar, të shkëputur nga studimi kompleks i gjithë shoqërisë shqiptare, ç’ka do t’i kishte dhënë asaj një aspekt historik të plotë dhe unitar”. A. Buda, duke i bërë një lloj anatomie nga pozitat e shkencëtarit dinjitoz, gjithnjë për t’u admiruar në gjykimet e holla e të thella të tij, na i zbulon me tërë dimensionet e veta Nopçën, këtë “aristokrat të disiluzionuar nga shoqëria bashkëkohore” edhe si etnolog. Jo pa domethënien e tyre janë edhe vlerësimet kritike që i kanë bërë Nopçës historianë të arkitekturës shqiptare, në një maket të kësaj historie, nxjerrë në qarkullim për specialistët në fillim të viteve ‘80 të këtij shekulli. Këtu pasi vihet në dukje se “fillimi i shekullit XX shënon rritjen e interesimit për banesën shqiptare”, na bëhet e njohur që “Nopça u ndal më gjatë dhe më thellë se të gjithë paraardhësit e tij mbi banesën fshatare të Shqipërisë së Veriut, duke u ndalur veçanërisht mbi tipin e kullës si banesë fshatare”. Veçse pa mohuar vlerësimin e mirë që kanë gëzuar këto studime, theksohet, jo pa sens kritik, se “Gjurmimet e dekadave të fundit sistematike për Shqipërinë e Veriut, kanë dhënë interpretime të reja të bazuara mbi një material më të gjerë faktik”. Veçanërisht vihet në fokus kulla si banesë, ku, sipas studiuesve tanë, në vlerësimin e saj si tip ndjehet te Nopça “Rruga e gabuar... në kërkimin e gjenezës së këtij tipi, duke bërë hipoteza të pabazuara mbi prejardhjen e saj”. Njëherazi vihet në dukje se “...kapja kryesisht vetëm pas disa tipave dhe lënia pas dore e shfaqjeve të tjera të banesës fshatare të Shqipërisë së Veriut, është një dobësi tjetër me rëndësi e veprës së këtij autori...” Me gjithë sa thamë, sa më shumë që hyn në cilëndo vepër të Nopçës, aq më shumë e ndjen se për portretizimin e tij edhe si etnolog ka ende mjaft për të thënë. Ai, edhe në këtë fushë të dijes, mbetet pa mëdyshje, figurë shumë dimensionale e një shkencëtari të kompletuar.
236 Në këtë rrethanë legjislative që ka sot Kosova, duke marrë parasysh mungesën e ligjeve kapitale si dhe dinamikën me të cilën përgatiten dhe miratohen ato, është pak e besueshme se në një të ardhme të afërt do t’i vijë radha edhe një ligji eventual për gjuhën. Megjithatë, nëse ligjvënësit dhe të tjerët njerëz të administratës kanë kurajë të shikojnë përreth se çfarë është gjendja e gjuhës te ne, dhe nëse tregojnë pak ndieshmëri për këtë problematikë, një ligj për gjuhën do të mund të bëhej pikërisht në këtë fazë dhe t’i bashkëngjitej procesit të konsolidimit të shtetit ligjor te ne. Në të kundërtën, gjendja do të keqsohet edhe më, sepse gjuha, sikundër edhe shumë fenomene të tjera shoqërore, kanë veçorinë e shumëzimit të ndërvetshëm të negativiteteve dhe të rritjes së tyre me progresion gjeometrik. Por, para se të ndërmerret një hap i mundshëm në këtë drejtim, do të jetë i domosdoshëm një konsensus shoqëror, për të mos thënë politik, jo më për nevojën e veprimit ligjor në këtë fushë, por për pamundësinë që situata të ndryshojë me rrugë të tjera. Pra, duhet ta pranojmë botërisht dhe pa asnjë hezitim se instrumentet e tjera veprues janë të pafuqishëm, si shkolla, arsimimi, kritika publike, propaganda etj. Këto instrumente i kanë provuar edhe vende të tjera, por pa sukses, dhe prandaj janë detyruar të bëjnë ligjet e tyre për gjuhën. Sido që të jetë, për shumë njerëz ende është e paqartë se çfarë mund të bëjë një ligj për gjuhën dhe si mund të zbatohet ai. Së pari, duhet ditur se ligjit mund t’i nënshtrohet gjuha e përdorimit publik në formën e shkruar. Pra, gjuha e folur përjashtohet nga sanksionimi ligjor. Megjithatë, sanksionimi ligjor i gjuhës së shkruar në përdorim publik konsiderohet i mjaftueshëm për të vënë rregull në këtë fushë, përfshirë këtu edhe ndikimin që ushtron gjuha e shkruar në gjuhën e folur. Tani mbetet të shihet se në cilat fusha mund të veprojë ligji dhe cilat instrumente përdor ai, sepse nuk ka ligj pa sanksione. E para, me këtë ligj do të futej mësimi i gjuhës si lëndë (e obligueshme, jofakultative) në dy vjetët e parë të shkollimit të lartë në të gjitha fakultetet. Ky, ndoshta, do të ishte një precedent, por situata gjuhësore e Kosovës e kërkon një veprim kësisoj. E dyta, institucioni i lektorit, respektivisht i korrektorit gjuhësor, do të ligjërohej, sepse pa revizion gjuhësor nuk do të mund të futej në qarkullim asnjë shkresë, asnjë shpallje, asnjë dokument, pavarësisht se nga cila administratë dhe cili nivel vijnë ato. As firma private nuk do të mund ta bënte një reklamë ose një afishe me njëqind gabime. Madje as një shkresë, me të cilën i drejtohet konsumtorit, gjykatës, doganës, administratës tatimore, nëse asaj më parë nuk i është bërë një revizion gjuhësor. As avokati nuk do të bënte pretencën e tij në gjyq me një shkresë pa një revizion të tillë. Nga ana tjetër, të gjitha administratat, komunale dhe qëndrore, në të gjitha fushat dhe në të gjitha përdorimet, nuk do të mund të bënin formularë, shkresa, aplikime, vendime, shpallje, korrespondenca dhe gjëra të tjera të kësaj natyre pa një kontroll paraprak gjuhësor. E të mos flasim për publikimet, të tilla që tani i bën gjithkush, të cilat vlojnë nga një mijë e një gabime dhe e çojnë gjuhën deri te një çorodi ekstreme. Në këtë pikë do të prekeshin edhe njerëzit e politikës, të cilët nuk do të mund të lexonin publikisht shkresa e referate përplot kalke e fraza të sajuara pa kulturën elementare gjuhësore, sepse edhe paraqitjet e tyre publike, në raste kur lexohet, do t’i nënështroheshin një revizioni gjuhësor elementar. Në këtë kuadër, një vëmendje e veçantë do t’u kushtohej shpalljeve publike, afisheve dhe reklamave, firmave dhe mbishkrimeve, të cilat duhet të jenë shqip, para se të jenë të shkruara mirë. Dhe, natyrisht, për të gjitha shkarjet duhet të pasojnë sanksionet, veçmas gjobat në para, ndaj të cilave njerëzit tanë janë tepër të ndieshëm. Por, mbi të gjitha, një ligj për gjuhën duhet të përcaktojë saktë, se cila gjuhë është në përdorim zyrtar në Kosovë dhe në cilat vende dhe në cilat rrethana mund të përdoret një gjuhë e dytë ose një gjuhë e tretë. Ndoshta e gjithë kjo është një ëndërr vere.
237 Me Samuel Pepys, nëpunësin e admiralitetit britanik, presidenti i tridhjetetretë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të mund të matet më si diarist. Derisa Pepys deri tash në shkresat, impresionet dhe përjetimet e tij na jepte një pasqyrë të madhe, lëvizëse e emocionale për të gjithë ato që ky kishte përjetuar për më shumë se një dekadë nga prizma britanike, që nga politika e madhe e deri deri tek oxhaku i shtëpisë së tij private, të gjitha këto që Pepys na i ofron dhe për këtë edhe sot e kësaj dite njihet si një nga kronistët më të mëdhenj që njerëzimi njeh, ish- presidenti amerikan, të gjitha këto nuk na i ofron. Edhe më keq bile: ai nuk na e jep as shansin më të vogël që nga ato shënime të zbuluara dhe pjesërisht të botuara tash, të mund të bëjmë një rekonstruksion të asaj që do të quhej jetë politike e Washingtonit gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo një është mëse e qartë që del nga këto shënime në ditarin e tij: Presidenti kishte vërtet dëshirë që të shkruante sa më shumë dhe sa më shpesh në faqet e ditarëve të tij. Që t’i sqaronte përvojat dhe soditjet e tij. Mirëpo sikurse Pepys para treqind vitesh, Harry Truman nuk nuk arriti që të udhëheqte në mënyrë konsekuente një ditar të mirëfilltë. 
239 Asgjë kundër rrjedhës së historisë
241 Sidoqoftë, njeriu nuk mundet që edhe plotësisht t’i deklasojë këto mendime të shkruara, këta ditarë të mbajtur. Përkundrazi. Sepse po të ishin vërtet asgjë këto shënime, atëherë edhe nuk do të kishte kuptim që të flitej apo të shkruhej për to. Janë sidomos disa aspekte të reja, deri më tash plotësisht të panjohura që kanë dalë në dritë kur është fjala për Trumanin. Në librarinë muze, e cila është në shtëpinë e lindjes dhe rinisë së prindërve dhe të riut Harry Truman në Missouri të Amerikës, këto ditë është zbuluar një ditar, i cili në fillim është mbajtur bile edhe si sekret derisa u analizua në mënyrë që këtyre shkresave t’u vërtetohet autenciteti. Në bazë të dorëshkrimit, ekspertizave se a është vërtet fjala për Trumanin e kështu me radhë e kështu me radhë. I pari njeri që këtë ditar, autor i të cilit tashmë nuk ka kurrfarë diskutimi është vetë Harry Truman, e që mban shënime për vitin 1947, ishte biblotekari dhe mirëmbajtësi i shënimeve të këtij mini muzeu. Fare rastësisht kishte gjetur ai këto shënime, të cilat kanë mbishkrimin: “The Real Estate Board of New York, Inc., Diary and Manual” dhe vetëm pas disa faqesh shënimesh për kompaninë që presidentit i kishte falur këtë fletore të bukur, fillojnë 160 faqet e shkruara me dorëshkrim të bukur. Natyrisht që këto shënime nuk do të ndryshojnë edhe aq shumë në shikimin e historisë së shkruar nga historianët. Kjo duhet thënë edhe për faktin që dihet se viti 1947 është vit vendimtar jo vetëm për qeverisjen e Trumanit brendapërbrenda Amerikës, por edhe për faktin që ky vit ishte ai vit në të cilin u nxorën hartat e Evropës dhe Bashkimit Sovjetik për ndarjet e mëdha dhe të vogla, për kufijtë para dhe prapa perdes së hekurt. Dihet po kështu që është kjo koha kur u morën vendime aq jetike për plane e zbatime të tyre siç ishte për shembull Plani i Marshallit për rindërtimin e Evropës perëndimore. Me një fjalë, derisa amerikanët me presidentin Franklin D. Roosevelt (i cili vdiq menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945) fituan luftën, pikërisht me Harry Trumanin fituan dhe ndërtuan paqen dhe para së gjithash filluan me rindërtimin e botës demokratike dhe para së gjithash Evropës i dhanë atë që sot po kjo Evropë Perëndimore ka. Për këto gjëra merret vesh aq pak saqë historianët nuk do të duhej vërtet të kenë edhe aq frikë që do të duhet të bëjnë revidime masive. Në vend të këtyre, në faqet e ditarit në fjalë mund të lexohen gjëra sa të reja dhe intersante poaq edhe njerëzore dhe krejtësisht private. Për shembull mund të lexohet sesi presidenti Truman kishte probleme me zemrën, apo si Truman vuante për vdekjen e nënës, apo për atë sesi kishte probleme me bashkëshorten e tij Astor-in. Apo mund të lexohet edhe për atë sesi Truman në Shtëpinë e Bardhë ndjehej sikurse në një “burg të madh dhe bardhë”! Aty janë edhe shënimet për kandidatët dhe kundërkandidatët. Për gjeneralin Douglas MacArthur i cili ishte i afërt me republikanët. E më e rëndësishme me këtë rast është që në këto shënime vërtetohet thënia e Dwight D. Eisnhowerit që Truman e kishte shtyrë vërtet Wisnhowerin që të kandidonte si president.
243 Tiradat kundër hebrenjve
245 Ajo që tash për tash është më shokuesja nga krejt këto shënime ditari të cilat në shikim të parë ishin dukur si krejt relative e bile edhe të parëndësishme është që pikërisht në këto shënime, dikund në pjesën e dytë të tyre, u zbuluan shënimet e Trumanit për hebrenjët. Shokuese si për amerikanët ashtu edhe evropianët të cilët janë aq të lidhur emocionalisht dhe historikisht me këtë president. Pas një bisede me Henry Morgenthau, ish-ministrin e Financave dhe njërin prej përkrahësve të rindërtimit të Gjermanisë (sipas pikëshikimit hebraik), Harry Truman, presidenti amerikan, shkruante në ditarin e tij me 21 korrik të vitit 1947 mes tjerash këta rreshta: “Hebrenjët, mendoj unë, janë shumë, tepër shumë të varur nga vetvetja. Ata nuk i lëviz asgjë, sikurse për shembull i lëvizë shumë estonezë, letonezë, finlandezë, polakë, jugosllavë, grekë apo të cilët u vranë apo u shndërruan në DP (Displaced Persons, pra refugjatë), apo edhe u torturuan. Të gjitha këto ata nuk i lëvizë poqese nuk trajtohen para së gjithash si hebrenj. E kur si të këtillë (pra si hebrenjë v.j.) kanë pushtet, fizik, financiar apo politik, atëherë nuk mundet që as Hitleri e as Stalini apo dikush tjetër të jetë më “Underdog” sesa ata. E po qe se një “Underdog” ngjitet lartë - atëherë nuk luan kurrfarë roli, se a e mban ai emrin e një rusi, hebreu, zezaku, ndërmarrësi, punëmarrësi, mormoni apo baptisti - ai krisë i tëri. Deri tash kam parë pak, mëse pak, që kur kanë arritur mirëqenien, atëherë edhe janë kujtuar për gjendjen e tyre të mëhershme”. Tiradat e Trumanit kundër hebrenjve kanë nxitur reaksione të ashpra dhe kanë shokuar pikërisht hebrenjtë. Të cilët edhe ashtu pikërisht këtë president e kishin në zemër dhe kokë si njërin nga nxitësit më të mëdhenjë jo vetëm të mirëkuptimit për vuajtjet e tyre, por edhe si njërin nga ata politikanë që kishte bërë më së shumti për themelimin e shtetit të Izraelit. Bile ishte kjo ajo koha kur presidenti Truman ishte për shtetin kurse ministria e tij e Jashtme ishte kundër themelimit të këtij shteti të ri. Dhe mbase pikërisht ky fakt i pakontestueshëm historik që ishte Harry Truman ai që bëri më së shumti që të themelohet shteti izraelit, bëri që nga komuniteti gjigandesk hebreik në SHBA të mos vuloset dhe futet menjëherë në sirtaret e antisemitizmit. Në të njëjtën kohë, ajo që nga ky ditar i zbuluar del si lekcion është që çdo president (qoftë amerikan qoftë kudo tjetër) do të duhej që vërtet të ketë kujdes se çfarë shënon në fletoret dhe ditarët e tij privat. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e po së njejtës medalje është që debati që tashmë ka filluar të ndizet për këtë çështje dhe këtë risi shokuese vetëm sa ka nisur. Do të duhej të jemi kurioz se edhe çfarë krejt (nuk) do të dalë në shesh.
246 Eshtë një shkas që më shtyn të shkruaj këtë tekst. Një revistë kulturore kosovare në numrin e saj të fundit ka botuar një korrespondencë të gjatë dhe deklarata të autorëve e përkthyesve për çështjen e botimit të “librit” (me qëllim dhe në shenjë refuzimi ta quaj libër, e fus në thonjëza këtë emër), i cili është mbititulluar “Antologji e poezisë moderne shqipe”, ose në gjermanishte “Anthologie der Moderenen albanischen Lyrik”. E shoh të arsyeshme, që, pas një debati në një revistë, me vetëdije dhe përgjegjësi publike, tani ta them pa asnjë ngurrim se hartuesi i kësaj “Antologjie” të “poezisë moderne shqipe”, Ferdinand Laholli, ka bërë një punë pa kurrfarë përgjegjësie, as publike, as etike, as artistike. Dhe, që në fillim më duhet ta them një gjë: ata 93 autorë që janë aty të pranishëm, më mirë do të duhej që të vajtojnë sesa të festojnë që “janë përkthyer” në gjermanishte. 
248 Një pikëllim në vend të gëzimit
250 Por, të shkojmë me radhë dhe t’ua numëroj disa shkaqe pse autorët shqiptarë “të përkthyer” në gjermanishte kanë më shumë arsye të jenë të pikëlluar sesa të gëzuar që janë “përkthyer” në gjermanishte. Shkaku i parë që ky “libër” është i barabartë me asgjë, është sepse autorët dhe “autorët” e pranishëm duhet të jenë të vetëdijshëm se një komb, të themi shtatëmilionësh, thjesht nuk mund t’i ketë, nuk bën t’i ketë, hiç më pak e hiç më shumë se 93 poetë, të cilët kanë nivel, kanë fuqi që përmes vargjeve të tyre të jenë të denjë të futen në një antologji! Një shembull pse e them këtë gjë: ekziston një libër i cili titullohet “Muzeu i poezisë moderne”, botues i të cilit është një nga poetët dhe esistët më të mëdhenj që ka sot njerëzimi, Hans Magnus Enzensberger. Tek “Muzeu i poezisë moderne”, i cili njihet ngado në botë si një doracak klasik për majën e poezisë moderne, janë të pranishëm as më pak e as më shumë se njëqind poetë modernë. Në mesin e tyre nuk është asnjë shqiptar. Nuk dua të them që nuk ka asnjë poet shqiptar që nuk do ta meritonte të futej në këtë “muze modern”, por ja që fati a fatkeqësia tregojnë që nuk e kemi asnjë aty. Dhe tash, shiko ti, ky Laholli na i paska zbuluar gati 100 poetë shqiptarë dhe të gjithë këta i ka “përkthyer”! Shkaku i dytë që ky “libër” është i barabartë me asgjë, është sepse autorët dhe “autorët” e pranishëm duhet të jenë të vetëdijshëm që Ferdinand Laholli mund të jetë çdo gjë, por përkthyes nga shqipja në gjermanishte nuk mund të jetë! Eshtë i dobët, i papërvojë, absolutisht i panjohur e kështu me radhë e kështu me radhë. Në këtë kontekst, është një sekret i njohur për të gjithë përkthyesit normalë që një përkthyes mundet, di, ka gjasë që, sado kudo, arrin të ruajë një nivel të riinterpretimit, të ridhënies së autencitetit dhe gjuhës së një poeti, kur përkthyesi përkthen në gjuhën e tij të nënës e jo në një gjuhë, të cilën e njeh prej disa vitesh dhe me të cilën nuk është rritur, nuk është shkolluar, nuk është formuar intelektualisht e profesionalisht. Me një fjalë, kurrën e kurrës nuk ngjet që një gjerman të përkthejë letërsi (e më së paku poezi - në princip të papërkthyeshme!) nga gjermanishtja në anglishte, apo nga gjermanishtja në kinezishte! Ngjet e kundërta, normalja: gjermani përkthen në gjermanishte nga anglishtja. Po çfarë bën Laholli? Laholli përkthen nga shqipja në gjermanishte! E pafalshme, skandaloze dhe e turpshme! Sepse Laholli, jo vetëm që nuk është rritur me gjemanishten, por ai është në Gjermani qe disa vite dhe tash biri i botës mendon që është një gjeni, i cili e ditka gjuhën e Goethes dhe Schillerit, Enzensbergerit dhe Grassit, aq sa të shkruajë në këtë gjuhë?! Vetëm nëse është Laholli një gjeni, që bota ende nuk e ka parë as nuk ka dëgjuar për të, atëherë po, atëherë do t’i tërhiqja të gjita këto pohime! Mirëpo, ja, që kjo botë ende nuk e ka zbuluar këtë gjeni, prandaj autorët e “përkthyer” më mirë le të vajtojnë sesa që mund të gëzohen për “Antologjinë”.
252 Një shembull si nuk duhet bërë
254 Shkaku i tretë që ky “libër” është i barabartë me asgjë, është sepse autorët dhe “autorët” e pranishëm duhet të jenë krejtësisht të vetëdijshëm që askush, e përsëris askush, në këtë pjesë të botës normale, botës ku libri shitet dhe blehet, ku për librin shkruhet dhe kritikohet e njoftohet, nuk do të marrë vesh që ka dalë një “libër” me “lirikën” e cila na qenka “moderne”. Askush, sepse ky libër është botuar në një shtëpi botuese shqiptare, me emrin “Doruntina” dhe ajo këtë libër do ta dërgojë prej getove shqiptare në Gjermani drejt e në tokat shqiptare në Ballkan. “Doruntina”, gjithsesi mund t’i fërkojë duart: nga 500 kopje që ka shtypur (më shumë apo më pak nuk ka rëndësi!) nja 100 copë do t’ua shesë vetë autorëve të pranishëm. Nja 100 copë do t’i blejnë edhe ata që janë mërzitur që nuk janë të pranishëm në këtë “libër” dhe nja 200 copa do të blehen nga lexuesit, të cilët ndoshta mendojnë që mund të mësojnë si përkthehet nga shqipja në gjermanishte. Mirëpo, do të gabojnë, e nëse gabojnë dhe e blejnë, atëherë qysh tash i porosis: po, shfletojeni dhe shikojeni se si nuk bën, nuk guxohet të “punohet” dhe “përkthehet”. Shkaku i katërt që ky “libër” është i barabartë me asgjë, është sepse autorët dhe “autorët” e pranishëm duhet të jenë të vetëdishëm që kot vrapojnë dhe kot gëzohen kur “kontaktojnë” kur “korrespondojnë” apo kur “përkthehen” nga pseudopërkthyes apo lavdërohen që janë përkthyer në kaq apo aq gjuhë. Por nuk janë botuar kurrë. Autorët shqiptarë duhet ta kenë të qartë: nuk është përkthyesi ai që vendos për daljen e krijimeve të tyre në gjuhë të tjera. Janë shtëpitë botuese ato që vendosin për këtë. Po, por është përkthyesi ai që na dërgon tek ato shtëpi botuese, ankohen autorët. Jo dhe jo. Nuk është përkthyesi. Ata pak përkthyes që letërsia shqipe i ka (këtë Lahollin të mos gabojë ta llogarisë dikush aty!), nuk kanë shumë kohë të merren me “zbulime” e “korrespondenca” të kota. Ata thjesht marrin kontrata nga shtëpitë botuese perëndimore (normale) dhe i përkthejnë autorët shqiptarë. Mirëpo, nuk është problemi këtu. Problemi është dikund tjetër. Përderisa shumica absolute e autorëve shqiptarë vazhdojnë të mendojnë që “shansi” i tyre është po qe se botohen jashtë, sepse shqiptarët, lexuesi shqiptar, është “injorant” dhe nuk “lexon” letërsi shqipe, atëherë e kanë thjeshtë gabim. Sepse, po qe se nuk lexohen tek shqiptarët, autorët shqiptarë duhet të ballafaqohen me faktin e dhembshëm, duke i parashtruar vetes pyetjen: çfarë nuk është në rregull me mua?! Shkaku i pestë që ky “libër” është i barabartë me asgjë, është sepse autorët dhe “autorët” e pranishëm duhet të jenë të vetëdijshëm për një gjë: në art, pra edhe në letërsi, gjenitë dhe krijuesit e mëdhenj kurrë nuk kanë mbetur, herdokurë pa u zbuluar. Një ditë apo tjetrën. Prandaj, as mos të nguten as mos të pikëllohen. Kush ndiehet ashtu le ta dijë që një ditë do të zbulohet. Nga shqiptarët dhe nga bota. Nëse nuk do të zbulohet, atëherë, atëherë, asgjë askujt!
255 Vlerësimet amerikane në maj të vitit 1945
256 Për situatën e tillë, krejtësisht të pafavorshme për Qeverinë Demokratike të Shqipërisë, të dalë nga lufta, diplomacia perëndimore, në radhë të parë SHBA-të dhe Anglia, ishin rezervuar në kthimin e menjëhershëm të përgjigjes në adresë të Tiranës zyrtare duke e lënë çështjen shqiptare “në dosjen e vet të pa përfunduar”, pra duke mos e njohur Qeverinë shqiptare të zgjedhur në Berat (22 tetor 1944) (Po aty, f. 204). Kjo mund të kuptohej edhe nga raporti i Departamentit Shteteror hartuar në muajin maj të vitit 1945, si përgjigje në lidhje me kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë, e cila në mënyrë zyrtare kërkoi nga Qeveria e Uashingtonit që një komision financiar-ushtarak shqiptar të vizitonte SHBA-të. Përgjigja e qeveritarëve amerikanë dërguar Tiranës zyrtare ishte e drejtpërdrejt dhe e prerë: “Nuk e shohim të arsyeshme që përfaqësues ushtarakë shqiptarë të vizitojnë SHBA-të derisa të mos arrihet marrëveshja ndërmjet fuqive (shteteve) kryesore të koalicionit rreth çështjes shqiptare” (NA - USA.875.01/12- 2044. Udhëzim i Stejt Departamentit dërguar Komandës së forcave ushtarake amerikane me seli në Kazertë të Italisë, 15 janar 1945). Pra, edhe pse SHBA-të kishin konfirmuar se ndjenin konsideratë ndaj Shqipërisë të cilën e konsideronin si viktimë të agresionit dhe që ishin të pajtimit që shtetit shqiptar t’i kthehej pavarësia, qeveria amerikane mbante qëndrimin se “deri sa të mos arrihet marrëveshja ndërmjet fuqive kryesore të Koalicionit rreth ‘çështjes shqiptare’ nuk do të njihet zyrtarisht Qeveria shqiptare” (Po aty). Përkundër ta quajmë luftës së ftohtë diplomatike midis qeverive anglo-amerikane dhe asaj shqiptare, atëherë kjo e fundit ende e pa njohur de jure nga asnjë qeveri e Fuqive të Mëdha, zyrtarët e diplomacisë amerikane nuk pushonin të përcillnin me kujdes të madh zhvillimet e ndërlikuara rreth çështjes shqiptare. Në prill të vitit 1945 një zyrtar amerikan kishte vizituar Shqipërinë dhe me këtë rast kishte përgatitur një raport të gjerë nga përshtypjet e tij nga vizita qyteteve dhe rajoneve të caktuara të shtetit shqiptar. Raporti, i cili përmbante vlerësimet e tij lidhur me gjendjen në Shqipëri në lëmin e fushës ekonomikeshoqërore e politike i ishte dërguar për analizë Zyrës strategjike pranë Stejt Departamentit. Në muajin maj të vitit 1945, po ashtu, grupi amerikan që gjendej në Shqipëri kishte përgatitur një raport lidhur me situatën ekonomike-shoqërore e politike në Shqipëri dhe me atë rast kishte potencuar se “Popullsia e Korçës pas çlirimit përcillnin me interesim të madh përpjekjet e Qeverisë së Tiranës për të vendosur marrëdhënie me SHBA-të, Anglinë dhe BRSS-në” (NA - USA.875.01/10-744 (II). Raporti i grupit amerikan në Shqipëri dërguar Zyrës së Shërbimit Strategjik dhe degës së punëve kërkimore të Stejt Departamentit, Tiranë, 6 maj 1945) Në raport, pasi potencohet ndjenja proamerikane e banorëve të Korçës, autorët kishin nënvizuar se qeveria shqiptare po bën çdo gjë për të minimizuar influencën anglo-amerikane dhe të afirmojë në radhë të parë ndikimin rus dhe atë jugosllav (Po aty). 
258 Ardhja në Shqipëri e diplomatit Joseph Jocobs
260 Në kontekst të deklarimit të Ministrit të Punëve të Jashtme të SHBA-së, së lidhur me Notën diplomatike të Tiranës, Qeveria amerikane ishte angazhuar se do të dërgojë për vëzhgim një diplomat amerikan. Më 8 maj të vitit 1945, në Shqipëri erdhi një komision jozyrtar i kryesuar nga Joseph Jocobs. Vizita e këtij delegacioni të lartë amerikan kishte për qëllim njohjen me rrethanat konkrete në Shqipëri para se Qeveria amerikane të shqyrtonte kërkesën e autoriteteve shqiptare për njohje. Diplomatin amerikan gjatë qëndrimit në Tiranë e kishte pranuar edhe Enver Hoxha, i cili në kujtimet e veta nga këto bisedime, shkruan: “Që në fillim më foli për arsyet e ardhjes së misionit dhe të zgjatjes së kohës së njohjes së Qeverisë Demokratike të Shqipërisë Shpjegimet që më bëtë rreth misionit tuaj dhe shtytjes së njohjes së Qeverisë sonë, zoti Xheikobs, na duken jobindëse. Formula juaj se “njohja duhet të vijë mbas sqarimit të gjendjes në Shqipëri” është absurde” (Enver Hoxha vep. e cit., f. 354). Enver Hoxha kishte ngelur këmbëngulës në qëndrimin se njohja duhet të jetë rezultat i luftës që populli shqiptar kishte zhvilluar kundër nazifashistëve e jo edhe të pranohen kushtëzimet lidhur me rregullimi kushtetuso-juridik dhe sistemin politik, ideologjik të shtetit të ri shqiptar. Pas shqyrtimit detaj të raportit të këtij komisioni jozyrtar, Qeveria amerikane, përmes përfaqësuesit të saj në Tiranë, i kishte dorëzuar Enver Hoxhës notën diplomatike lidhur me çështjen e njohjes së Qeverisë së tij. Në këtë notë, në mes të tjerash, Qeveria amerikane decidivisht kërkonte: “Siguri që zgjedhjet e ardhshme për Asamblenë Kombëtare të mbahen në baza të vërteta dhe të lira, me vota të fshehta dhe pa kërcnime që korrespodentëve të huaj tu lejohej hyrja në Shqipëri për të përcjellë dhe raportuar lirisht zgjedhjet dhe punën e Asamblesë Kushtetuese. Qeveria e SHBA-së dëshiron gjithashtu që autoritet shqiptare të miratojnë mbajtjen në fuqi të trakteve dhe marrëveshjeve që kanë nënshkruar midis SHBA-së dhe Shqipërisë deri më 7 prill 1939” (Shih: Masar Kodra, vep.e cit., f. 212). Enver Hoxha, duke interpretuar pikërisht detajin e bisedës rreth çështjes së rishikimit të marrëveshjeve politike e ekonomike shqiptaro-amerikane nga koha e Zogut, në bisedën me diplomatin Joseph Jocobs, në kujtimet e tij shkruante se diplomati amerikan në fund të bisedës i ishte drejtuar Enver Hoxhës duke i thënë: “Në dokumentet që keni publikuar thuhet se do të rishikoni të gjitha marrëveshjet politike, ekonomike e ushtarake që ka pasur mbreti Zog më shtetet e tjera dhe do t’i prishni të gjitha. A nënkuptoni me këtë edhe ato me qeverinë amerikane?” (Enver Hoxha, vep.e cit., f. 212). Enver Hoxha shkruan se përgjigjja e tij e shkurtër dhe e pa diskutueshme ishte, po. Qeveria shqiptare në fakt pa u hamendur, pa i shqyrtuar pasojat e veprimeve të tilla të gabuara diplomatike, i kishte shpallur publikisht të pa pranueshme kushtet e Qeverisë amerikane për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve, duke i kualifikuar në formë prejudikimi, si ndëryrje imperialiste të shtetit amerikan dhe cenim të integritetit e sovranitetit territorial e kushtetuso-juridik të Shqipërisë.
261 Përgjegjësia për të ardhmen e Jugosllavisë kërkonte që, me të shpërthyer të krizës së gjithmbarshme shoqërore, së pari të konstatohen përmasat e saj të vërteta dhe shkaqet e njëmendëta, në mënyrë që menjëherë t’i qasej gjetjes së masave për dalje nga gjendja e recesionit e pasigurisë. Megjithatë, nuk u veprua kështu. Duhej të kalonin tre vite në mënyrë që në dokumentet zyrtare të përdorej shprehja krizë ekonomike. Deri te kjo erdhi përmes pohimit gradual dhe të pavullnetshëm. Gjatë dy vjetëve të parë të krizës flitej për telashe “të vogla”, “afatshkurta”, “kalimtare”, më së shumëti mbi “vështirësi të rritës”. Vlerësimet e këtilla patjetër duhet të ndërlidhen me pohimet se sistemin ekonomik nuk duhet ndryshuar thelbësisht po vetëm duhet zbatuar me konsekuencë. Kur këto pohime u treguan të paqëndrueshme, doli teza se kriza jugosllave përnga përmasat është më e madhe seç mendohej më parë, por se sipas natyrës së saj është ekskluzivisht ekonomike, se shkaqet e saj gjenden në ndikimin e jashtëm ekonomik dhe në politikën joadekuate ekonomike pas viti 1976. Me këtë njëkohësisht u tentua që faktori politik të përjashtohej si shkaktar i mundshëm i krizës ekonomike, që me insistimin në politikën ekonomike si fajtore kryesore, sistemi ekonomik që kursehej nga rishqyrtimi kritik. Meqë edhe ky tentim nuk ia dilte mbanë që të kishte sukses vazhdimisht, u bë një koncesion me faktin se më në fund u kalua në analizën e sistemit ekonomik. Për fat të keq, ajo analizë jo vetëm se iu shmang çështjeve kyçe të sistemit politik, po në pjesën e vet ekonomike edhe iu kundërvu koncepcioneve të “Programit të stabilizimit”. Pranimi i krizës nëpër etapa dhe kontestimi i sërishëm i saj, për çka humbej një kohë e çmueshme, janë shprehje e gjendjes, pavendosmërisë dhe mosgatishmërisë së politikës zyrtare të bënte ndryshime që i parashtronin kushtet e reja të krijuara. Ngurrimi që me diagnozë të njëmendët dhe me masat e marra me kohë të pritet kriza, u ngropos besimi në urtësinë shtetërore, guximin politik dhe qëllimet e sinqerta të njerëzve që udhëheqin punët publike, si dhe në gatishmërinë e tyre që të shkëputen nga mashtrime të cilat e sollën vendin në zgrip të shkatërrimit. Zmbrapja që e vërteta të shikohet në sy dhe rezistenca që çfarëdo qoftë të ndryshohet esencialisht, kanë të bëjnë me atë se vetëm me presionin e Fondit monetar ndërkombëtar u ndërmorën disa masa ekonomike, të cilat me më pak tronditje dhe me efekte më të mëdha do të duhej të ndërmerreshin shumë më herët vetinisiativisht. Porse asgjë tjetër nuk flet me aq bindshmëri mbi rezistencën ndaj përpjekjeve që të veprohej me efikasitet sikurse fakti se Qeveria nuk zbaton Programin e stabilizimit. Doli, pra, se kishin pasur të drejtë ata të cilët pohonin se ai dokument mund të aprovohej vetëm pse ishte tepër i përgjithësuar në mënyrë që kushdo të mund të obligohej konkretisht. Për këtë arsye parashikohej se zbatimi i tij në jetë do të hasë në pengesa të pakalueshme gjatë konfliktit të interesave të republikave, krahinave dhe grupacioneve ekonomike. Me sendërtimin e këtyre parashikimeve lindi dhe hamendësimi nëse Programi i stabilizimit vërtet ishte menduar si bazë aksionale për sanimin e ekonomisë apo ishte destinuar roli politik-propagandues, duke përllogaritur krijimin e përshtypjes në opinionin publik se bëhet diçka serioze në kërkimin e daljes nga kriza, përderisa në të vërtetë i bëhet rezistencë ndryshimeve të domosdoshme. Programi stabilizues, i cili shprehte një përqasje realiste ekonomisë, përjetoi goditjen më të rëndë nga analiza kritike e funksionimit të sistemit politik, që e rehabilitonte ideologjinë tashmë të braktisur të “ekonomisë me marrëveshje”, në masën më të madhe përgjegjëse për mynxyrat e ekonomisë jugosllave. Jugosllavia përjetoi edhe atë që të miratohen zyrtarisht dy dokumente me koncepcione ekonomike qenësisht të ndryshme. Ndoshta për mbajtjen e gjendjes ekzistuese kjo është zgjidhja më efikase, mirëpo kjo nuk mund të jetë zgjidhje për dalje nga kriza e shoqërisë jugosllave. Justifikimi për vështirësitë ekonomike dhe reagimi i plogët për krizën ndonjëherë kërkohet në njohuritë e kufizuara të shkencës ekonomike dhe divergjencat e ekonomistëve në çështjet kyçe. Divergjencat në mendime të ekonomistëve ekzistojnë dhe do të ekzistojnë në të gjitha vendet dhe kohët, por është punë e qeverisë të përcaktohet se cilave mendime do t’u japë besimin dhe që përcaktimin e vet të bartë përgjegjësinë. Problemi, ndërkaq, qëndron aty se nga shkenca ekonomike as është kërkuar mendimi në mënyrë të njëmendtë. Ajo ishte e pranueshme në masën me të cilën racionalizonte qëndrimet e marra zyrtarisht. Mu për këtë personalitetet përgjegjëse nuk u kushtonin vëmendje të nevojshme vërejtjeve me kohë të duhur dhe propozimeve të çmueshme që shkenca ekonomike i ofronte vetinisativisht. Mospërfillja sistematike e dijes gjatë gjithë periudhës së pasluftës është dukuri pak e kuptueshme, edhe më pak e arsyeshme në shoqërinë socialiste, e cila, në parim, shkencën e merr për bazë të zhvillimit të vet. Lënia pasdore e njohurive shkencore, veçmas brenda dy dekadave të fundit, do kuptuar edhe si pjesë përbërse e nënshtrimit të zhvillimit ekonomik dhe racionaliteteve drejt forcimit dhe ruajtjes së policentrizmit e monopolit të fuqisë shoqërore të krerëve republikanë e krahinorë, si një caku të padeklaruar që gëzon prioritet shoqëror absolut. Ai cak del nga simbioza e nacionalizimit, separatizmit dhe lakmisë pushtetare, kurse realizohet me përpjekjet e faktorit politik që, në mbështetje të shtetësisë republikane, ta rrisë fuqinë e vet, të bëhet ndërmjetës dhe arbitër në ekonominë vetjake dhe në shoqëri.
262 Një fotografi aq e pritur nuk u bë në Selanik. Ai samit nuk solli momentin historik të fotografimit të liderëvë të shqiptarëve të Kosovës me “përfaqësues të Beogradit”. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Javier Solana dhe ish-shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, ishin ata të cilët më shumë se kushdo tjetër e donin një fotografi të tillë historike. Në fund Solana u fotografua me presidentin e Unionit Serbi-Mal i Zi, Maroviq, ndërsa Steineri me delegacionin multietnik të UNMIK-ut, siç quhej zyrtarisht delegacioni i kryesuar nga Steineri e në të cilin ishin edhe presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi dhe koordinatori Milorad Todoroviq. Steineri nxori nga pala kosovare që atë kohë “gatishmërinë për të nisur bisedimet”, ndërsa Solana, pa i pyetur fare kosovarët, ndoshta duke e marrë fjalën e Steinerit si qëndrim të kosovarëve nuk ka parë as arsye ti pyes, tha se “është arritur pajtim që dialogu të nis në muajn korrik”. Kjo fjali e Solanës mbeti si rezultati i vetëm historikë i samitit sa i përket pjesës së Ballkanit dhe jehojë në media më shumë sesa përsëritja e premtimeve se “çfarëdo të ndodhë Ballkani do të jetë në Evropë ku e ka vendin”. Rezultati momental ka nganjëherë më shumë efekt sesa mosrealizimi i tij afatgjatë. Pak nga agjencitë që kishin njoftuar për “arritjen e pajtimit historik që të nis dialogu në korrik”, kanë njoftuar më vonë se as në shtator ende nuk ka nisur ai dialog. Tash nga Bashkimi Evropian dëgjohen arsyetime se paska qenë fakti që Steineri në atë kohë ishte në largim e sipër nga posti i tij i kryeadministratorit të Kosovës shkaku pse nuk qe e mundur të nisë dialogu, ndërsa tash kur në këtë post është Holkeri kjo gjë po bëhet e mundur. Kujtimi i Selanikut duhet të sqarojë një gjë që Solana nuk dëshiron ta përmendë. Ishte Beogradi ai që në atë kohë refuzoi të niste dialogun në Selanik dhe ishte Steineri arsyeja pse Beogradi nuk e bëri këtë, sepse nuk dëshironin t’i “bënin qejfin Steinerit që t’i shkruajë në biografinë e tij se ai arriti t’i sjell pranë tryezës të bisedimeve Beogradin dhe Prishtinën”. Zyrtarët e Beogradit e kanë thënë vetë këtë publikisht. Pala shqiptare në atë kohë ishte e gatshme, madje pas disa presioneve dhe pas vërejtjeve se po të dështonte nisja e dialogut në Selanik me fajin e palës kosovare do të kishte pasoja për të. Presioni ndaj saj ishte aq i madh saqë u tha qartë dhe publikisht se po të mos jetë e gatshme të bisedojë me Beogradin nuk do të ftohej fare në Selanik. Dhe nisja e dialogut në Selanik nuk ndodhi për shkak se Beogradi këtë nuk e deshi. E në Selanik nuk ka qenë fare e rëndësishme se a është Steineri në largim e sipër, sepse dialogu është dashur të niste vetëm simbolikisht. Tash po përsëritet atmosfera e para Selanikut, kosovarët përsëri kanë qëndrime të ndryshme se a duhet të inkuadrohen në dialog apo jo, a ka nevojë fare për dialog apo jo. Bëjnë debate të ndryshme me këto dilema edhe pse e dinë se nuk ka zgjidhje tjetër përpos të pranojnë nisjen e dialogut. Edhe pse mund të mendojnë se bashkësia ndërkombëtare ka vendosur pa i pyetur shumë liderët kosovarë lidhur me agjenden e bisedimeve me Beogradin, edhe pse Parlamenti i Kosovës u mundua t’i shmanget përgjegjësisë vetëm duke diskutuar e nuk pati guxim të marrë qëndrim të qartë për dialogun, kosovarët nuk kanë zgjidhje tjetër pçrpos të inkuadrohen në atë dialog, por këtë duhet ta bëjnë pa hamendje. Numri i atyre që mbështesin dialogun në bashkësinë ndërkombëtare është aq i madhë saqë kosvarëve nuk u lënë më hamendje për pyetjen “Po” apo “Jo” dialogut me Beogradin. A e dëgjuam mirë apo jo se çfarë tha miku ynë Bill Clinton i cili rëndësinë e dialogut me Beogradin e ngriti në qiell. Që nga Brukseli e Washingtoni e deri në Tiranë e Berlin dëgjojmë të njëjtat fjalë për rëndësinë dhe mbështetjen e dialogut, por në Prishtinë vërehet ende frika nga përgjegjësia e liderëve tanë të cilët dëshirojnë që për nisjen e dialogut ta kenë një mbështetje institucionale. Prapë kemi ardhur në fazën kur dialogu nuk bën të dështojë për shkak të palës kosovare, sepse në rast se dështon për fajin tonë atëherë pasojat për Kosovën do të jenë më të mëdha. Në rast se dështon për fajin e Beogradit, atëherë pala serbo-malazaise nuk do të këtë pasoja. Ndoshta Beogradi edhe është i interesuar që dialogu të dështojë. Dështimi i dialogut dhe dëshmia se “shqiptarët e serbët nuk kanë çfarë të bisedojnë, ata kurrë nuk mund të pajtohen mes veti” mund të shërbejë si argument për të ndarë Kosovën. “Do të befasoheshit po ta dini se ç’nivele të larta në Beograd përmendet mundësia e ndarjes së Kosovës” na tha këto ditë në bisedë private një zyrtar i BE-së që ishte më parë në Beograd e si me ironi i përgigjem se “e paske zbuluar ujin e ngrohtë”, sepse në të gjitha nivelet në Beograd e në mesin e serbëve të Kosovës mbështetet dhe punohet për këtë ide. Beogradi vetëm dëshiron të gjejë arsyetim për ndarje e që vetë të mos e merrte fajin. A ju kujtohet çfarë tha Todoroviqi në Selanik; “Nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë serbët e Kosovës nuk mund të rrinë në atë Kosovë dhe serbëve nuk do t’u mbetet faji për ndarjen e Kosovës”. E ai përfaqësues i Kosovës në Selanik e kishte thënë qartë se “E kemi gabim nëse mendojmë se serbët e Kosovës do të kenë ndonjë qëndrim tjetër prej atij të Beogradit” dhe këtë duke u përgjigjur në një pyetje se në cilën atë të tavolinës do të jetë në dialogun. Rëndësia e dialogut nuk janë pikat për të cilat do të diskutohet por më shumë simblika se në Ballkan tash të gjithë bisedojnë me të gjithë dhe kjo do të krijojë kushte për zgjidhjen e problemeve më të mëdha. Serbia edhe ashtu po i shet rrymë Kosovës, tregtia po bëhet, qoftë në të zezë qoftë në të bardhë, e sa për pranimin e targave të automjeteve kjo është çështje unilaterale e Beogradit nëse do t’i pranojë apo jo. Madje, ka zëra që UNMIK-u tashmë është marrë vesh për të gjitha këto pika me Beogradin dhe dëshiron vetëm t’i legjitimojë ato përmes përfshirjes së vonuar të shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës në këtë proces. UNMIK-u deri me tash ka patur edhe dialog edhe bashkëpunim të ngushtë dhe kordinim me Beogradin, por institucionet e Kosovës nuk kanë patur qasje në përmbajtjen e këtyre kontakteve. Pra, në një mënyrë nisja e dialogut do të jetë një akt i kryer për kosovarët, të cilët megjithatë duhet të jenë të sigurt dhe të inkuadrohen në dialog pa shumë zhurmë.
263 Dhjetë vjet vrasje, terror, shtypje d h e aparteid në “zemër” të E v r o p ë s q e n ë d a s h u r derisa ajo që quhet bashkësi ndërkombëtare e shteteve demokratike u bind që duhet të ndërhyjë, në mënyrë që terrori i ushtruar nga policia, ushtria, paramilitarët dhe aparati shtetëror i Milosheviqit të përndiqen nga Kosova. Me kontributin kryesor të Aleancës veriatlantike, e cila konsistoi me fushatën ajrore që zgjati 78 ditë me radhë. Mijëra shqiptarë u vranë, dhjetëra-mijë të tjerë u përndoqën dhe u torturuan, në mënyrë që një ditë e verës së vitit 1999 të vinte dhe në këtë ditë, shumica e kosovarëve që mundën apo edhe patën fat, prej asaj dite ta shijojë atë që çdokush në botë e quan dhe njeh si liri, pas një dekade të tërë ankthi dhe vuajtjesh. Ky është realiteti i cili me as edhe një pikë apo presë, nuk mund të vihet në pyetje. E vetmja gjë që në këtë mes do të mund dhe duhet të bëhet, është, po qe se ky realitet shtrohet në trajta dhe mënyra të ndryshme por pikënisja mbetet gjithnjë e njëjta. Katër vjet kanë kaluar që nga çlirimi i Kosovës prej thundrës serbe dhe për këta katër vjet me radhë, në sytë e po asaj bashkësie ndërkombëtare, në mediat dhe qarqet politike, liberale e konservatore, po në mes të Evropës, ka ngjarë dhe po ngjet getoizimi dhe shtypja, përndjekja dhe parandalimi, vrasjet nga pusitë dhe shkatërrimi i shenjave fetare dhe kulturore të serbëve të Kosovës. Edhe ky është realiteti e deshi dikush ta pranojë apo jo. Thënë shkurt, në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, në Kosovë, po shkilen masivisht të drejtat e pakicës së kosovarëve serbë. Faji me këtë rast është edhe më i rëndë: jo vetëm shqiptarët si popull shumicë dhe garant për të drejtat e pakicave janë përgjegjës për rrezikimin e pakicës serbe, por kjo gjë po ngjet edhe para syve të po bashkësisë ndërkombëtare (KFOR-it dhe UNMIK-ut). Të dy këto përshkrime të përmbledhura me pak fjalë nuk do të duhej të ishin mendimi i autorit të këtij teksti. Shumë më tepër, ato janë pasqyra, realiteti i cili në shtypin perëndimor, kancelaritë e referateve të ministrive të jashtme apo mbrojtjes, zyrat dhe qendrat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (mëse të fuqishme dhe me influencë) është futur në datoteka dhe memorie kompjuterësh. Në fjalorin dhe relacionet gojore apo edhe me shkrim, kur Ballkani dhe Kosova është në pyetje. Ta përsëris, pra, edhe njëherë: e para, shqiptarët vuajtën dhe u çliruan nga ne (bashkësia ndërkombëtare); dhe e dyta, po këta shqiptarët, prejse janë çliruar nuk kanë bërë gjë tjetër pos që kanë shtypur serbët. Sado i rëndë të tingëllojë ky konkluzion, sadoqë ende ekziston hapësirë për manovrim dhe teori konspiracioni, kur konkludohet që nuk është e vërtetë që vetëm shqiptarët po vrasin dhe përndjekin serbët; apo edhe nuk po i lejojnë ata që të kthehen në shtëpitë e tyre; sado që mund dhe thuhet që terrori dhe sistemi i Milosheviqit nuk mund dhe nuk bën të krahasohet me atë çfarë serbëve po u ngjet nga shqiptarët tashti; sado që mund të thuhet që vëmendja e mediave dhe kancelarive perëndimore është e drejtuar nga Iraku, Afganistani por jo edhe Ballkani; sado që mund të thuhet që nuk është e vërtetë që shqiptarët qëndrojnë prapa kësaj dhune kur dihet që sigurimi serb qëndron prapa sulmeve në fjalë, sepse ato po ngjajnë pikërisht me data dhe në ditë të rëndësishme; dhe sado që të thuhet që kosovarët dhe Kosova ka ecur shumë më para pas katër vjetësh të shporrjes së aparatit kolonialist serb; sado që të thuhen dhe nxirren edhe një mijë e një arsyetim për këtë çështje, e deshi dikush apo jo, rezultati dhe shija mbetet e hidhur për Kosovën dhe kosovarët kur situata e sigurisë është në pyetje. Teli i rrahur prej mediave dhe kancelarive perëndimore është më se i qartë: askush tjetër nuk qëndron prapa vrasjeve, dhunës dhe destabilizimit masiv në Kosovë pos “grupeve të caktuara të ekstremistëve shqiptarë!” Kush është duke vrarë në Kosovë, sa herë që do dhe kur i teket, apo kur mendon që është në interesin e tij? Kjo është një pyetje e cila përflitet që nga shtylla gazetash, ekranesh televizive e deri tek vatrat kosovare? Shqiptarët e organizuar? Sigurimi serb edhe më i organizuar? Grupe të caktuara shqiptarësh apo edhe serbësh të cilët nuk janë të interesuar që të flitet për stabilitet afatgjatë në Kosovë? Njerëz që lufta (dhe serbët) u ka(në) shuar pragun e shtëpisë, duke ua vrarë me dhjetëra anëtarë familjesh? Të shkojmë me radhë. E qartë është që nuk është në traditën e shqiptarit (nëse vetëm duam të flasim për traditën si të këtillë) që të gjuajë në fëmijë?! E nëse vërtet po ngjet që megjithatë edhe shqiptarët nuk ditkan ta respektojnë atë që me aq krenari e kanë quajtur dhe bërë për vete atë traditë, atëherë si asnjëherë më parë del e qartë që asgjë nuk ka prej asaj pune. Mirëpo, fakti që këto vrasje ngjajnë aq mirë të koordinuara dhe aq profesionalisht të bëra vërtetë lë pak të besohet se fjala është për hakmarrje individësh. Shumë më tepër duhet të na bindë fakti që këto vrasje dhe kjo dhunë masive që Kosovën e ka kapluar kohët e fundit, kjo dhunë e cila këtij vendi vazhdon t’i hedhë një hije aq të rëndë, sa në mënyrë të koordinuar aq edhe brutale, është duke u bërë me paramendim, e planifikuar dhe me efikasitet të pashpirtë e vënë në jetë. Me një fjalë, prapa saj qëndrojnë grupe të caktuara serbe - që duan ta destabilizojnë Kosovën dhe shesin edhe më fort rrëfimin për viktimizimin serb në Kosovë, apo edhe shqiptare - të cilave, pos anarkisë e dhunës, nuk u intereson asgjë tjetër në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund dhe duan ta vazhdojnë kalërimin e pasurimit të tyre nëpërmjet destabilizimit permanent në Kosovë. Kushdoqoftë prapa këtyre akteve të dhunës, një qëllimi është duke ia arritur me to: e ky është që Kosova në vend që të shikojë para dhe të merret me problemet e ditës - duke filluar që nga përmirësimi i jetesës së përditshme deri tek stabilizimi me rrymë elektrike e përmirësimi i infrastrukturës së shkallmuar demokratike në Kosovë, duhet që të merret me problemin: të jesh apo të mos jesh. Të kalosh apo të mos e kalosh dhunën e luftës. Me një fjalë: në interesin e së tashmes, së sotmes dhe së ardhmes së Kosovës të gjitha këto akte brutale dhe të pashpirta nuk janë. Për këtë shkak, është koha e fundit që ata që quhen liderë të Kosovës, nëse nuk dinë dhe nuk munden, nëse nuk kanë kapacitet intelektual dhe përgatitje profesionale për ta luftuar papunësinë apo furnizuar vendin me rrymë e rroga më të larta, së paku, do të duhej që deri në zgjedhjet e ardhshme të ulen në një tryezë dhe të flasin shtruar për atë se kujt është duke i shkuar përshtati kjo dhunë në Kosovë. Se si duhet dhe mund të dilet nga ky rreth vicioz. Se si të ndalet njëherë e përgjithmonë kjo spirale e dhunës. Dhe të gjitha këto duhet dhe mund të bëhen jo përmes letrave të kondolencës që u dërgohen familjarëve të viktimave të dhunës (serbë apo shqiptarë), apo përmes “deklarateve për media” në të cilat “dënohet dhuna” e ashpër. Nuk mjaftojnë më këso shkresash tashmë të deklasuara. Sepse gjendja është shumë më serioze dhe dhuna është shumë më intensive që ajo të luftohet me letra kondolencash. Duhet një strategji shumë më afatgjate dhe më e mençur në këtë drejtim. Në fakt ajo që më së shumti çudit në këtë mes për dhe tek liderët kosovarë është fakti sesi këta ditën dhe mundën apo së paku u përpoqën, që për dhjetë vjet me radhë, me rezistencë pasive a aktive ta luftonin shtypjen dhe dhunën e shkaktuar nga aparati i Milosheviqit. E tash qe katër vjet, kur në një mënyrë a tjetrën janë zotër në shtëpinë e tyre, nuk po dinë, nuk po duan apo nuk po mund që ta luftojnë dhunën e shkaktuar nga vetë shqiptarët? Apo edhe ata që nuk ua duan të mirën shqiptarëve? Është koha e fundit që të lihen letrat dhe të zbritet poshtë “tek populli”. Dhe këtij populli, pa marrë parasysh nacionalitetin, t’i thuhet që dëshmitarëve (ata pra që shohin duke bërë krime) u garantohet siguria, që po qe se do të vazhdohet edhe më tej me krim e dhunë, të gjithëve, pa përjashtim, na mori lumi. Tash jo i harresës por ai i dënimit. Nga bashkësia ndërkombëtare e shteteve demokratike.
264 Rruga Durrës - Kukës do të realizohet sipas variantit në gjatësinë më të vogël, por me koston më të lartë. Ky aks do të jetë i gjatë 180 kilometra dhe do të kushtojë 300,5 milionë dollarë. Këto paramentra janë të parapara në variantin e tretë, projekt të cilin e ka miratuar Këshilli Kombëtar i Rrugëve (KKRr) dhe që ka vendosur si datë të nisjes së punimeve 28 Nëntorin. Nga të tri variantet e hartuara nga konsulentët e huaj për ndërtimin e kësaj pjese të autostradës që do të lidhë dy kryeqendrat shqiptare, është vendosur për të tretin pasi në mbledhjen e KKRr-së janë diskutuar përparësitë dhe mangësitë e varianteve. Varianti i zgjedhur, i treti, sipas ekspertëve, ka rezultuar si më i përshtatshmi duke marrë parasysh efektet pozitive dhe negative që mund të ketë mbi zonat e banuara përreth, ekologjinë dhe faktorë të tjerë. Nga shifrat e dhëna ky variant është i gjatë 175 kilometra me një mundësi shpejtësie prej 80 deri në 100 km/h. Me një llogaritje të thjeshtë, rruga nga Durrësi deri në Kukës mund të përshkohet për dy orë. Varianti i tretë ka paraqitur parametra që garantojnë më shumë siguri dhe shpejtësi, përndryshe nga dy variantet e para të cilat mund të arrijnë shpejtësi nga 40 deri në 50 km/h, sipas specialistëve. Në mbledhjen e KKRr-së, e cila ishte e hapur për të bërë propozime për ndryshime edhe nga specialistët vendas, ishte gjerësia e rrugës. Konsulentët e huaj kishin propozuar që rruga të jetë 14,5 metra e gjerë, pra me dy korsi, ndërsa Këshilli... vendosi që rruga të projektohet për katër kalime - 20 metra e gjerë. Fillimisht, KKRr-ja vendosi që puna do të përqendrohet në ndërtimin e rrugës 14,5 metra të gjerë, mirëpo të krijohet hapësirë përgjatë tërë aksit për një zgjerim të mundshëm në të ardhmen. Nëse me kalimin e kohës trafiku e arsyeton domosdoshmërinë e zgjerimit, atëherë do të jetë më e lehtë të bëhet një gjë e tillë. Rruga Durrës - Kukës do të kalojë nëpër qytetin e Milotit, ku fillon hyjë në terren malor drejt Morinit. Pasi do të përshkojë edhe qytetin e Rubikut rruga do të ndjekë trajektoren e rrugës ekzistuese deri në Blinisht, prej nga do të vazhdojë të ndjek kursin drejt verilindjes së vendit deri në Fan, ku do të hapet tuneli. Gjatësia e tij do të jetë 6,1 km dhe do të kushtojë rreth 111 milionë dollarë. Ky tunel së bashku me urat do të jenë segmentet më të kushtueshme të këtij aksi rrugor. Kompanitë shqiptare deri më tani kanë hasur në vështirësi për të thënë mendimin e tyre gjatë studimit të fizibilitetit të rrugës nga konsulentët e huaj, ka thënë gjatë mbledhjes një inxhinier rrugësh. Specialistët shqiptarë kanë kërkuar që kjo rrugë të realizohet nga ekspertë shqiptarë pasi që i përket kombit shqiptar. Ministri i Transportit, Spartak Poçi, ka thënë se kompanitë shqiptare të ndërtimit janë shumë më të afta për të përballuar ndërtimin e këtij korridori. Ndërsa kryeministri Fatos Nano, tha se: “Kombin e kemi futur në tregje dhe aty ka konkurrencë”. Për ndërtimin e rrugës, që mendohet të filloi më 28 Nëntor në segmentin Milot - Rrëshen, deri tani janë siguruar vetëm 20 për qind nga 300.5 milonë dollarë që është kostoja totale. Nëse sigurohen financimet e duhura, atëherë kjo rrugë do të përfundoj brenda tre-katër vjetëve, sipas ministrit Poçi. Që nga viti i kaluar deri tani nga taksa për këtë korridor, e njohur edhe si “taksa Majko”, janë mbledhur 30 milionë dollarë, ndërsa FMN-ja do të financojë me 29 milionë dollarë, sipas Ministrit Poçi.
265 Deri të mërkurën pas dite askush nuk e ka bërë “me shëndet” marrëveshjen për tregti të lirë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të nënshkruar nga ish-administratori i Kosovës, Steiner. Kjo marrëveshje zyrtarisht ka filluar të mërkurën, por deri në pasditën e vonshme mallra të liruara nga dogana nuk kanë kaluar. Në të vërtetë një grup tregtarësh të vegjël kanë dashur që të parët ta bëjnë për hair marrëveshjen që nënshkroi Steineri para se të ikte nga Kosova. Tregtarët që nuk deshën të identifikohen kanë mbushur një furgon me mallra në Kukës dhe janë nisur që të kalojnë kufirin pa paguar doganë. Mirëpo janë zhgënjyer me të arritur te Dogana e Kosovës dhe policia e UNMIK-ut. Malli i tyre është konfiskuar. Tregtarët kishin haruar të kompletojnë dokumentacionin që do të tregonte për prejardhjen a mallit. Kështu që s’ka kalim pa doganë, por konfiskim. Mirëpo në drejtimin tjetër Kosovë- Shqipëri edhe sikur dikush ta kishte dokumentacionin e plotë doganierët në Morin, së paku deri në pasditën e hershme, nuk kanë marrë ndonjë urdhër për heqjen e doganës për disa mallra të prodhimit të Kosovës. Shefi i Çështjeve të Përgjithshme në Degën e Doganës së Kukësit, Binak Halili, shprehet i sigurt për gazetën: “Në doganën e Morinit nuk ekziston asnjë urdhër apo udhëzim i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë në bazë të të cilit do të veprohej pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së tregtisë së lirë”. Pra, sikur pronarët e mallit në mauna të kishin takuar Binakun ata sigurisht se do të fjaloseshin me të, duke i thënë - “a i ke lexuar gazetat”. Mirëpo të mërkurën kjo skenë, sipas informacioneve tona nuk ka ndodhur. Një zyrtar i statistikës së doganës nga ana e Republikës së Shqipërisë thotë se dokumentet janë gati dhe tashti gjinden në Kukës, ato ende nuk kanë arritur në Morin, ku është pikëkalimi kufitar. “Udhëzimet gjenden në Degën e Doganës së Kukësit, por ato nuk kanë mbërritur ende në Morin për t’i bërë të njohura për doganierët”. Gjithsesi pohimet e punonjësit të statistikës bëhen të pabesueshme, kur ky i fundit nuk e kishte ende të qartë datën e hyrjes në fuqi të marëveshjes, ku sipas tij, ishte data 1 nëntor. E doganieri Samir Zeneli e di për marrëveshjen dhe tregon se ajo ende është një copë letre. “Asnjë subjekt privat apo shtetëror nuk ka përfituar në ditën e parë të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, pasi na mungojnë udhëzimet”, thotë doganieri i turnit Saimir Zeneli. Në anën tjetër të kufirit gjendja duket pak më stabile. Shkëlzen Mustafa, shef i pikës doganore në Vërmicë, nuk dha detaje rreth kalimit apo moskalimit, por tha se Doganat e Kosovës janë gati. “Njësiti doganor në Vermicë ka kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit praktik të kësaj marrëveshjeje dhe se për këtë janë marrë urdhëresat dhe sugjerimet për ta zbatuar komform rregullores”, ka thënë ai. Më pas z. Mustafa ka pohuar: “Edhe stafi i punëtorëve të doganës në Vërmicë paraprakisht ka kryer një trajnim për mënyrën profesionale të zbatimit të saj për të specifikuar mallrat të cilat i plotësojnë kriteret për të qarkulluar lirshëm komform standardit të euro një i cili dëshmon origjinën vendase të mallrave nga të dyja vendet”. Zyrtarët që kanë nënshkruar këtë marrëveshje nga zyrat e tyre kanë dhënë reagimet e pritura - është mirë, por duhet të shohim edhe praktikën. “Ne jemi të bindur se marrëveshja dhe zbatimi i saj që nga data 1 tetor do të na ndihmojë të gjithëve. Ne jemi të bindur se kjo marrëveshje do të krijojë lehtësira për të gjithë tregtarët që do të synojnë tregun shqiptar apo kosovar me mallrat që përfshin marrëveshja midis Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Luan Bregasi, kryetari i Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë. Sipas tij, tashmë mbetet për t’u parë sesi mund të zbatohet kjo marrëveshje në terren. “Koha do të tregojë sesi do të zbatohet marrëveshja, pasi e rëndësishme është që pikat e nënshkruara në letër të vëhen në zbatim. Ne shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë”, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë. Sipas këshilltarit të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë së Kosovës, Mujë Gjonbalaj i gjithë legjislacioni është në regull dhe marrëveshja mund të fillojë të zbatohet pa problem. “Edhe pse të dy marrëveshjet ajo për finosanitari dhe zooveterinari nuk janë nënshkruar dhe kjo pritet të bëhet më 20 të këtij muaji të dy doganat kanë arritur marrëveshje që të mos i nxjerrin biznesit problem për shkak të mosnënshkrimit të këtyre marrëveshjeve”, tha ai, nga zyra e tij në Prishtinë.
266 Menjëherë pas lufte, në kompleksin ushtarak të banesave në Ferizaj, janë vendosur pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve të mbetur pa strehë, ndërsa tashti ato i konteston Habitati. Në rreth 55 banesa, me vendimin e organeve të atëhershme të përkohshme; të shtabit të ZO të Nerodimes dhe më pastaj të komisionit për strehim si edhe të aprovuara edhe nga bordi administrativ komunal, ishin sistemuar këta banorë të rinj në banesat, ku më parë kishin banuar ish-eprorët ushtarakë të ushtrisë jugosllave. “Po, ne jemi sistemuar në këto banesa me vendimin e organeve të ligjshme të formuara pas lufte, kurse tash e sa kohë nuk jemi të qetë pasi kemi presion nga Habitati, si dhe nga telefonatat e shumta të ish-banuesve që të largohemi nga banesat”, pohon Nexhat Misini, zv.komandant i brigadës së 30-të të xhenios “Rexhep Bislimi”, si edhe banues në këtë kompleks banesash. 
268 A e mashtrojnë ish-eprorët jugosllavë Habitatin se i kanë blerë banesat
270 Me ankesën e disa ish-eprorëve jugosllavë në Drejtorinë e Çështjeve Pronësore dhe Banesave (HPD), banuesit shqiptarë ishin ftuar në biseda në zyrën e Habitatit në Ferizaj, për të verifikuar gjendjen, dhe atyre iu ishte ofruar blerja e banesave. Në fletëftesë ishte shënuar se në bazë të Rregullores 1999/23 të UNMIKut, banuesit e mëparshëm jugosllavë kishin kërkuar mbrojtjen dhe kthimin e pronës së tyre. “Nuk janë pronë e tyre këto banesa. Asnjë dokument nuk dëshmon që ata t’i kenë blerë këto banesa. Ne kemi kërkuar nga Habitati të na e dëshmojë këtë, por kjo gjë nuk është bërë nga ta”, tregon eprori i TMK-së, Misini. Te pjesëtarët e TMK-së ekziston bindja se shumë prej ish-eprorëve serbë t’i kenë bërë fals disa dokumente se gjoja ata i kanë privatizuar banesat me kohë. “Unë vetë e kam parë një dokument të tillë fals se gjoja pas 12 qershorit ‘99 eprorët serbë i kanë blerë banesat. Kjo gjë është e pamundshme”, komenton Rasim Hamiti, banor në këtë kompleks, të cilit i është kontestuar e drejta e banimit. “Nuk kam pse ta blej banesën që më është dhënë në rrugë të rregullt”, pohon ai. Edhe familja e eprorit tjetër të TMK-së, Naim Ymeri, pohonte se dy herë ishin ftuar në Habitat për shkak të banesës. Po ashtu familjet që banojnë në këtë kompleks shpesh u nënshtrohen edhe thirrjeve telefonike nga ishbanuesit jugosllavë, të cilët kërkojnë t’i shesin ato. Nga ana tjetër, në kërkesën e Shtabit të TMK-së në Ferizaj, drejtuar Gjykatës Komunale për të verifikuar gjendjen reale të shitblerjes eventuale, ishte dhënë përgjigjja nga gjykata se vetëm dhjetë banesa të këtij kompleksi ishin privatizuar në vitin 1992. Sipas dëshmisë së Gjykatës Komunale, në vitin 1992 dhjetë kontrata për shitblerje ishin verifikuar në këtë gjykatë ndërmjet postës ushtarake të Nishit, PU 5374-1, 10 blerësve, ndërsa dëshmi të tjera nuk kishte. Me gjasë kjo shitje ishte bërë në këtë kompleks ku, pos eprorëve ushtarakë, kanë banuar edhe disa punëtorë të administratës civile jugosllave. Zyra e Habitatit në Ferizaj është e mbyllur për opinionin.
272 “AJ-ja nuk i ka pas privatizuar banesat”, thotë një ish-epror shqiptar i APJ-së
274 Sipas një ish-eprori shqiptar të APJ-së, UJ-ja nuk e ka bërë privatizimin e banesave. “Ne nuk kemi pasur vendime të pronësisë së përhershme për banesa, sepse vazhdimisht kemi pasur transferime, ndërsa as privatizimin e tyre nuk e ka bërë ish- APJ-ja”, pohon ai. Sipas këtij, isheprori shqiptar në këtë kontekst të punës së Habitatit, as vetë selia e UNMIK-ut nuk duhet të jetë në shtëpinë e ish-APJ-së. “Eshtë absurde të largohen eprorët e TMK-së nga banesat, kur edhe vetë UNMIK-u ka selinë në objekte të ish-APJ-së”, pohon ai, duke tërhequr një paralele midis rasteve. Këto konteste pronësoro-juridike me gjasë nuk kanë të bëjnë me konfliktin e interesave të individëve, por kërkojnë një qasje më të gjerë në mes të institucioneve të UNMIK-ut, Qeverisë serbe dhe UNMIK-ut. “Derisa këto çështje teknike të rregullohen, Habitati nuk është mirë të bjerë në lajthitje të mashtrimeve të ish-eprorëve jugosllavë”, ishte mendimi i banuesve të kompleksit ushtarak, tash kryesisht pjesëtarë të TMKsë dhe familjarë të dëshmorëve. 
276 Çfarë thotë HPD-ja
278 Drejtoria për Çështje Pronësore dhe Banesore (HPD) në Prishtinë, që ka juridiksion mbi pronat e banueshme të banuara në mënyrë joligjore dhe të braktisura në Kosovë, duke sqaruar se ajo vetë nuk përcakton kush është pronar i pronës, por kush ka të drejtë të jetë brenda në pronë, shprehet se “nuk mund të konfirmojë nëse HPD-ja ka ndonjë rast që përfshinë pronat e ish- Jugosllavisë në Ferizaj”. Këtë për shkak të sekretit që duhet mbajtur për rastet. Sipas HPD-së, pasi që “organet që kanë lëshuar lejet kanë qenë të përkohshme, ato nuk japin ndonjë të drejtë afatgjate për pronën”. “Nëse eprorët serbë kanë bërë kërkesë në HPD dhe nëse kanë banuar në mënyrë ligjore në banesa deri më 24 mars 1999, atëherë ata kanë të drejtë të riposedimit. Megjithatë, vendimi nga ne që e jep të drejtën e riposedimit nuk e diskuton pronësinë. Nëse ata janë pronarë të banesave, ata kanë të drejtë ta shesin. Ne nuk mund të bëjmë atë përcaktim”, sqarojnë në HPD.
279 Mungesa e deritashme e çfarëdo përparimi në përcaktimin e statusit final të Kosovës është e paarsyetueshme dhe bashkësia ndërkombëtare duhet pa vonesë t’i hyjë vendosjes së statusit, është vlerësimi i ambasadorit Richard Holbrooke, ish-emisar i presidentit Bill Clinton në Ballkan dhe një prej kreatorëve të Marrëveshjes së Daytonit dhe marrëveshjeve për Kosovën. Holbrooke, ish-ambasador amerikan në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, konsideron se kosovarët duhet gjithsesi të shkojnë në bisedimet e Vjenës dhe atë me përfaqësim të lartë edhe pse bisedat për çështje teknike në mënyrë të pashmangshme do të ndërlidhen me statusin. Ai tërheq vërejtjen se në të kundërtën kosovarët do të duken keq në sytë e botës dhe do t’i japin Serbisë një fitore të lehtë. Në një intervistë për “Kohën ditore” dhe Kohavizionin diplomati amerikan që në prag të bombardimeve të NATO-s u mundua të negociojë me Milosheviqin marrëveshjen paqësore për Kosovën rrëfen se nga vizita e kësaj radhe në Beograd e ka fituar përshtypjen se serbët janë të vetëdishëm se e kanë humbur Kosovën. Ai sqaron se serbët duhet të zgjedhin Bashkimin Evropian në vend të Kosovës, sepse Kosovën tashmë e kanë të humbur, por edhe se kosovarët duhet t’i ndihmojnë serbët në këtë zgjedhje duke i marrë me të mirë e duke u ofruar garanci për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe për kthimin e refugjatëve. Holbrooke në intervistë po ashtu pranon se politika e administratës së Bushit ndaj rajonit është e ndryshme nga ajo e Clintonit, por transmeton sigurimet që atij i ka dhënë ambasadori amerikan në Beograd se dërgimi i 1000 trupave serbe në Afganistan nuk ka lidhje me Kosovën. 
281 Shkoni në Vjenë, mos i jepni Serbisë një fitore të lehtë ndërkombëtare
283 KD: Zoti Holbrooke keni thënë se përcaktimi i statusit final po vonon. Përse po ndodh kjo dhe çfarë mund të jenë pasojat?
285 Holbrooke: Po përgjigjem në këtë me një deklaratë. Unë dhe doktor Kouchneri kemi qenë në një rrugëtim në Bosnjë, Serbi dhe Kosovë. Prandaj para se të flas për Kosovës dua të flas për Bosnjën. Ka shumë probleme në Bosnjë - korrupsioni, qeveria e dobët qendrore, shumë njerëz të punësuar në sektorin publik, paqartësia për atë se çfarë do të ndodhë kur të ketë shkuar përfaqësuesi i lartë (ndërkombëtar), mirëpo tetë vjet pas Daytonit mund të thuhet se dita e sotme është dita më e mirë e historisë së Bosnjës. Njëjtë do të jetë edhe dita e nesërme. Pse? Sepse për herë të parë në një mijë vjet Bosnja është edhe e pavarur edhe e lirë. Prandaj, e di çfarë është statusi i saj. Ndërsa në Kosovë kjo nuk është ashtu. Ju jeni të lirë, mirëpo nuk jeni të pavarur. Kjo do të thotë se ju duhet të vazhdoni të fokusoheni në çështjen e statusit tuaj, në vend se të fokusoheni në politikën, ekonominë, fatin tuaj, në marrëdhëniet me fqinjët tuaj, sidomos me Serbinë. Prandaj, kur po them se procesi është shumë i ngadalshëm unë po ndiej se katër vjet pas luftës nuk ka pasur kurfarë përparimi drejt definimit të statusit tuaj politik. Kjo është e paarsyetueshme. Më në fund bisedat do të fillojnë në Vjenë. Dhe unë jam shumë në favor të këtyre bisedave. Kosova duhet të përfaqësohet në nivelin më të lartë, sepse Serbia do të jetë. Kryetari Maroviq dhe nënkryetari i Qeverisë Çoviq që të dy thanë se do të shkojnë. Mos i jepni Serbisë një fitore të lehtë në opinionin botëror duke mos dërguar askë. Kjo do të ishte një gabim i madh. Bisedat mund të përparojnë, mund të arrijnë apo jo diçka, mirëpo ju duhet të merrni pjesë dhe ato janë hapi i parë drejt ardhmënisë të cilën të gjithë kosovarët e duan.
287 KD: Liderët kosovarë po hezitojnë të inkuadrohen në këto biseda nga frika e paragjykimit të statusit të Kosovës. A mendoni se kjo frikë është e arsyeshme dhe se në bashkësinë ndërkombëtare ekziston një tendencë për një status të Kosovës ndryshe nga pavarësia?
289 Holbrooke: Jo, nuk besoj se frika e tyre është e arsyeshme. Statusi nuk do të ndryshohet në Vjenë, përveç nëse nuk marrin pjesë. Atëherë bota do t’i fajësojë ata për dështim në përparim dhe do të humbin simpatinë në botë dhe lufta do të jetë shumë më e vështirë. Nuk ka rrezik, kurrfarë rreziku për Kosovën, nëse ata marrin pjesë, por ka rrezik nëse ata nuk marrin pjesë. Kjo është qartazi e dukshme.
291 Serbët të zgjedhin BE-në në vend të Kosovës, kosovarët t’i ndihmojnë serbët në këtë zgjedhje
293 KD: Kosovarët thonë se nuk mund të jenë asnjëherë më pjesë e Serbisë, ndërsa serbët insistojnë mu në këtë. A mund të ndryshojnë këto bisedime diçka në këtë drejtim?
295 Holbrooke: Më lejoni t’ju them diçka për bisedat që kemi pasur në Beograd, që në shumë aspekte kanë qenë bisedat më të rëndësishme të udhëtimit tonë. Ajo që zoti Kouchner, zoti Lewitsky dhe unë kemi zbuluar në Beograd ishte shumë dramatike, serbët e dinë se e kanë humbur Kosovën. E dinë se ajo është humbur nga Slobodan Milosheviqi, mirëpo këtë nuk mund ta thonë publikisht sepse kjo është e pamundur politikisht. Mirëpo gjëja më interesante është se tash publikisht po flasin për ndarje. Unë e di se ndarja nuk është diçka që Kosova dëshiron apo do të pranonte, mirëpo fakti se serbët janë të vullnetshëm të flasin për ndarje, që para tri viteve ishte e pamundur, tregon se ata po lëvizin. Një zyrtar i lartë serb më tha se 99% e serbëve do të pranonin ndarjen. Serbët e kanë një zgjedhje, është zgjedhje midis Kosovës apo Evropës. Nuk mund t’i kenë të dyja, nëse e zgjedhin Kosovën nuk do ta kenë Bashkimin Evropian, por nuk do ta kenë as Kosovën sepse Kosova ka shkuar. Çdo serb inteligjent e di se Beogradi më këtu nuk mund të sundojë. Prandaj për çka janë ata në të vërtetë të brengosur. Do u them unë, janë dy gjëra. Mbrojtja e të drejtave dhe kulturës, e privilegjeve politike dhe religjioze e serbëve në Kosovë, e monumenteve, dhe së dyti kthimi i atyre që tash janë refugjatë, e drejta e tyre për t’u kthyer. Nëse ju në Kosovë ndërprisni jetesën me të kaluarën dhe mendoni për të ardhmen dhe u afroheni serbëve dhe u jepni garanci, kjo do të ishte një dallim i madh. Në vend të vrasjes së fëmijëve në lumë. E di se të gjithë thonë se kjo është e tmerrshme, mirëpo ka ndodhur dhe për nga efekti është elektrifikuese. E di se që nga viti 1912 serbët kanë pasur dorën mbi shqiptarët dhe Kosovën, mirëpo tash është ndryshe, më nuk është 1912, nuk është 1989, nuk është 1999, është 2003, ju e keni dorën e lartë, ju duhet të merrni përgjegjësinë mbi fatin tuaj dhe kjo gjithsesi përfshin afrimin e serbëve. Jo vetëm bisedat në Vjenë, por rruga diplomatike, kontaktet ndërmjet njerëzve në shoqërinë civile, ndërmjet fondacioneve, grupeve të femrave, avokatëve, fëmijëve, sportistëve, në organizatat ndërkombëtare, takime të njerëzve jashtë Ballkanit. Afrojuni atyre, hiqjuani frikën, tregojuni se serbët mund të jetojnë në paqë në Prishtinë, në Pejë, në pjesë tjera të Kosovës dhe ju do të jeni në gjendje të përmirësoni pozitën tuaj në mënyrë dramatike.
297 Hapi praktik që unë do të bëja është hyrja e menjëhershme në bisedimet për statusin
299 KD: Cilat janë hapat praktikë, rruga përpara, drejt arritjes së statusit final të Kosovës? Si e shihni gjithë këtë proces?
301 Holbrooke: Siç e dini, unë nuk jam në qeveri, prandaj ideja ime e hapave praktikë, mund të jetë ndryshe nga Harri Holkeri apo Qeveria amerikane apo Bashkimi Evropian. Në fakt edhe është ndryshe, sepse unë mendoj se ata po lëvizin shumë ngadalë. Edhe pse përfaqësuesi special Holkeri tha mbrëmë publikisht se pajtohet me mua kur them se procesi është shumë i ngadalshëm. Mirëpo hapi praktik që unë do të bëja është hyrja e menjëhershme në bisedimet për statusin, unë nuk do të prisja edhe një vit apo dy siç po mendojnë ata. Unë do të lëvizja menjëherë. E dini, në Vjenë do të flasin për transportin dhe komunikimet, për energjinë, për personat e zhdukur dhe për kthimet. Mirëpo secila prej këtyre temave është bisedë për statusin final. Madje edhe nëse flisni për ngjyrën e kësaj pëlhure në tavolinë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve biseda do të jetë për statusin final. Çdo gjë ka lidhje me statusin final dhe koha nuk do t’i bëjë gjërat më të lehta përveç nëse njerëzit nuk shfrytëzojnë kohën. Në katër vitet e shkuara gjërat kanë lëvizur mirë, sidomos kur këtu ka qenë Bernard Kouchner, mirëpo tash tensionet po ngriten dhe kjo nuk është mirë. Kur një aeroplan thyen murin e zërit, ‘Mach One’ ai shkundet dhe kur del në anën tjetër të ‘Mach One’ është shumë rehat dhe qetë. Këtu jemi. Po i afrohemi ‘Mach One’ dhe aeroplani po dridhet pak, mirëpo ejani ta kalojmë... (Mach është fizicienti austriak i cili ka qenë i pari që ka zbuluar efektet e lëvizjes më të mëdha sesa shpejtësia e zërit). Unë po ashtu besoj se TMK-së duhet t’i jepet detyra e mbrojtjes së manastireve dhe monumenteve dhe kjo do të shtonte numrin e rekrutëve serbë. Tash janë vetëm 22 serbë në mesin e 3 mijë pjesëtarëve të TMK-së. Jepjani misionin e mbrojtjes së manastireve të mëdha dhe do të keni 1 mijë serbë që do t’i bashkohen. Ia përmenda këtë gjeneral Çekut, ndërsa ai më tha se këtë ia ka ofruar UNMIK-ut qysh para një viti, por se është refuzuar nga UNMIK-u. Ta mbajmë këtë ide të hapur.
303 KD: A është politika e administratës së tashme të SHBA-së e ndryshme nga ajo e administratës së kohës suaj në raport me Kosovën dhe rajonin?
305 Holbrooke: Ka shumë dallim ndërmjet administratës së Clintonit dhe kësaj administrate në lidhje me këtë rajon. Mirëpo të jemi shumë të qartë. Një ngjarje e madhe ka ndodhur që atëherë, e quajtur 11 shtator 2001. Kjo ka ndryshuar politikën amerikane. Tash kemi tri brenga të mëdha - Irakun, Afganistanin dhe luftën kundër terrorit në gjithë botën. Dhe këto prioritete po marrin shumë nga burimet e vendit tonë. Edhe pse jemi vendi më i pasur në botë, burimet tona nuk janë të pafund. Prandaj duhet të kuptoni se ka arsye përse administrata e Bushit i kushton më pak rëndësi rajonit. Kjo është njëra nga arsyet përse presidenti Clinton, Bernard Kouchner, unë dhe John Lewitsky kemi ardhur këtu sepse kemi dhënë një pjesë të jetës sonë në këtë zonë. Unë kam dhënë 10 vjet të jetës sime në Ballkan. Po ashtu edhe Bernard Kouchner dhe presidenti Clinton. Prandaj duam të tregojmë se për Amerikën ende ka rëndësi, anipse prioritetet e administratës kanë kaluar diku tjetër.
307 Jam siguruar se dërgimi i trupave serbe në Afganistan nuk ka lidhje me Kosovën
309 KD: Javën e kaluar është shkruar shumë për dërgimin e 1000 trupave serbe në Afganistan në përkrahje të forcave amerikane dhe të koalicionit atje. A paraqet kjo një qasje të re amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës, simpative për njërën apo tjetrën?
311 Holbrooke: Kjo është një çështje shumë interesante. Oferta për dërgim të 1000 trupave ka ardhur nga Beogradi, nuk ka qenë kërkesë amerikane. Dua të them diçka për këtë. Serbët janë treguar shumë të mençur me këtë ofertë. Vendimi i tyre për të ofruar nën komandën amerikane më pak se katër vjet pas mbarimit të luftës trupat që ne i kemi sulmuar është shumë i mençur, sepse kjo tregon se ata duan marrëdhënie të mirë me SHBA-në, se nuk po mbajnë inat. Këtë e kanë bërë edhe Japonia dhe Gjermania pas luftës. Kjo është një punë e mençur. Dhe shqiptarët duhet të mësojnë nga kjo. Tash t’i kthehem pyetjes tënde. Jam siguruar nga ambasadori (amerikan në Beograd) Montgomeri se absolutisht nuk ka lidhje ndërmjet këtij vendimi dhe Kosovës, se ai është i disenjuar për marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. Më është thënë nga ambasadori Montgomeri dhe zyrtarë të tjerë në Washington se SHBA-të ia kanë bërë të qartë Beogradit se kjo nuk do të ketë efekt në Kosovën.
313 KD: Para më pak se dy javëve shefi i shtatmadhorisë së Ushtrisë amerikane ka vizituar Kosovën dhe vazhdimisht po dëgjojmë deklarata për atë se si SHBA-të po rivlerësojnë praninë e trupave amerikane nëpër botë. A është ende e nevojshme një prani ushtarake amerikane në Kosovë?
315 Holbrooke: Po, mendoj se është e nevojshme, ndoshta duhet ta zvogëlojmë numrin. Nuk dua të flas për shifra, ky është vendim ushtarak, mirëpo nga këndvështrimi politik ne nuk duhet të nxjerrim të gjitha trupat nga Bosnja apo nga Kosova. Kjo do të ishte gabim historik sikur të nxirrnim të gjitha trupat pa u kryer kjo punë. Për më shumë edhe pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës këtu duhet të ekzistojë një prani ndërkombëtare e sigurisë. A do të jetë ajo NATO, EUROCORP apo diçka tjetër kjo mbetet për t’u përcaktuar, mirëpo duhet të ekzistojë një vazhdim i pranisë.
317 Mahmudi Oktay, trajneri Efes Pilsenit, skuadrës më me nam në Turqi dhe më gjerë, të dielën i shoqëruar nga zyrtarë të klubit të Prishtinës, ishte ulur në “llozhën” qendrore të sallës së sporteve në Prishtinë dhe i kishte lëshuar një sy ndeshjes basketbollistike ndërmjet BpB Prishtinës dhe Mabetexit. Oktay rreth të 40-ave kishte shfrytëzuar dy ditë pushim për të vizituar të afërmit e tij në Prishtinë dhe në Shkup. Nga kryeqyteti maqedonas, bëhet e ditur se kishte edhe origjinën. Pas ndeshjes, atij nuk i erdhi fare mërzi që t’iu drejtohet mediave për të dhënë vlerësimet e tij rreth nivelit të lojës në ndeshjen e lartpërmendur, të metave të basketbollit kosovar dhe rrugës që duhet ndjekur për të ndërtuar perspektivën. Me kërkesën e tij biseda u zhvillua në gjuhën shqipe. Për më tepër ishte impresionues rrjedhshmëria dhe kultura e të shprehurit të trajnerit, për të cilin pakkush në opinion kishte ditur për lidhjet e tij të gjakut me Kosovë. 
319 Mbrojtja - dobësia më e madhe në lojë
321 Për basketbollin kosovar, ai zakonisht ishte informuar nga interneti dhe miqtë e tij, ndërsa kjo ishte ndeshja e parë që përcillte drejtpërdrejt nga tribunat. “Dy ndryshime thelbësore që hetova sonte ndërmjet Kosovës dhe Evropës, ishin mbrojtja e dobët e skuadrave dhe ndarja e drejtësisë me dy referë. Asnjëra nuk është në përputhje me atë që ndodh në Evropë”, theksoi ai. Për mbrojtjen, Oktay tha se është pjesërisht e shthurrur dhe si e tillë bën të mundur realizimin e shpejtë të sulmeve. Kurse ndarjen e drejtësisë me dy referë, ai e vlerëson të demoduar. “Megjithëse jeni të papranuar në arenën ndërkombëtare, duhet patjetër t’i përcillni ndryshimet në basketbollin evropian. Në të gjitha ligat evropiane, tash e sa kohë ndeshjet i referojnë nga tre referë” tha ai, duke tërhequr më pas vërejtjen për moskeqkuptim për shkak kritikave në dobësitë e përmendura. “Unë çmoj, tha ai, atë që është duke ndodh në basketbollin kosovar, mirëpo respektimi i trendeve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë të domosdoshëm. Andaj, mos ma merrni për të keq qasjen time kritike”.
323 Shpresoj në të ardhmen e Yll Kaçanikut
325 Duke u ndalur në vlerësimin e lojës ndërmjet BpB Prishtinës dhe Mabetexit, Oktay spikati cilësitë e vetëm një lojtari, ato të Pero Blazhevskit të BpB Prishtinës, i cili shënoi 22 pikë, pati 11 kërcime, 7 asistime dhe 5 topa të vjedhur. “Blazhevski, pa dyshim se ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Ky djalosh kishte gjithmonë zgjidhje për sulmin e skuadrës së tij. Depërtimet, shënimet e sakta dhe asistimet, ishin karakteristika të përhershme të lojës së tij, ndërsa vetë prania e tij në skuadrën e Prishtinës, në të vërtetë ishte edhe epërsi ndaj Mabetexit”. Skuadra që udhëheq Mahmud Oktay është kampion aktual në Turqi, ndërsa sezonin e ri e filluan të shtunën me fitore ndaj Tofashit, skuadër në të cilën luan kosovari Yll Kaçaniku. Për 18-vjeçarin kosovar, 203 cm të gjatë, Oktay mendon se është lojtar i talentuar dhe me parametra të shkëlqyeshëm fizikë. “Kaçaniku i ka të gjitha që i duhen një lojtari me ambicie për të qenë i njohur jo vetëm në Turqi. Unë shpresoj në të ardhmen e tij, megjithëse për ta arritur këtë, ai duhet të punojë shumë”, pohoi Oktay, trajneri i skuadrës, që u fut frikën në palcë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në Euroligë.
326 Referit të ndeshjes basketbollistike Vllaznimi - BpB Prishtina, Arben Lezliut, i erdhi si “prej babe” dajaku që hëngri të shtunën në Gjakovë, 15 minuta pas përfundimit të takimit. Në bazë të deklaratës së Lezliut, të dhënë të hënën, sulmuesi ka qenë Astrit Haraçia, kryeshef i ekzekutivit të Gjakovës. Në pamundësi të kontaktit me Astrit Haraçinë, rreth incidentit, të hënën u prononcua vëllai i tij, Petriti, menaxher në KB Vllaznimi, i cili mohoi çfarëdo lidhjeje të vëllait të tij me incidentin. 
328 Pos grushtave vjen edhe kërcënimi: “Në Gjakovë s’ke çka vjen më, unë do të gjej edhe në Prizren”
330 “Personi që më sulmoi ishte i veshur me xhemper të kuq dhe në vesh mbante vath, ndërsa vetë mu prezantua si Astrit. Më vonë mësova se bëhet fjalë për kryeshefin e ekzekutivit të Gjakovës, ngase deri atë natë kurr se kisha parë”, përshkruan një pjesë të ngjarjes, gjyqtari prizrenas, Arben Lezliu. E tëra, sipas tij ndodhi 15 minuta pas mbarimit të ndeshjes, kur në sallë kishin mbetur pak njerëz e asnjë pjesëtar i sigurimit. “Me të përfunduar ndeshja, turma e njerëzve niset në drejtimin tonë dhe të lojtarëve të Prishtinës. Nuk kisha idenë nëse cak i tyre janë lojtarët apo ne, gjyqtarët. Ne u futëm prapa tavolinës zyrtare, nën përkujdesje të sigurimit. Pas disa minutave lojtarët e Prishtinës të shoqëruar nga sigurimi ia mësynë zhveshtoreve, ndërsa unë së bashku me Azem Hoxhajn, mbetëm pa përkujdesje. Në ato çaste afrohen disa individë, në mesin e të cilëve edhe sulmuesi, i cili me gjasë i irituar për humbjen filloi të më grushtojë”, shtoi Lezliu. Ngjarjen nga afër, thotë ai, e ka vërejtur edhe kolegu Azem Hoxhaj dhe vëzhguesi i ndeshjes Tafil Hoxha që ishte disa metra më larg. Sipas fjalëve të Lezliut, sulmuesi nuk ishte ngopur vetëm me grushta, por e kishte kërcënuar me fjalët se “në Gjakovë s’ke çka vjen më, a unë do të gjejë edhe në Prizren”. 
332 “Kur të sulmon një kryeshef ekzekutivi, atëherë çfarë pritet nga shikuesit e rëndomtë”
334 Krejt ky marifet kishte përfunduar me arritjen e forcave policore. Lezliu, që ndryshe nga disa referë të tjerë, dallohet për vendosmëri dhe qëndrueshmëri ndaj presioneve, vlerëson se “në shumicën e ndeshjeve, rreziku më së shumti vjen nga njerëzit që ulen poshtë dhe shtiren se kanë një farë autoriteti në shoqëri”. “Kur të sulmon një udhëheqës komune, atëherë çfarë pritet nga shikuesit e tjerë të rëndomtë”, pyet Lezliu. Derisa, Lezliu këmbëngul në faktin se sulmuesi i është prezentuar si Astrit, i vëllai i njeriut të parë të Gjakovës, Petrit Haraçia, e vlerëson këtë akuzë si të pavërtetë. “Astriti s’ka kurrfarë lidhjeje me sulmin në referë. Në procesin zyrtar të përpiluar pas ndeshjes, sulmuesi është evidentuar si Petrit Hadri”, shprehet Haraçia, që në klubin Vllaznimi, kryen funksionin e menaxherit dhe që në momentin e sulmit thotë të kishte qenë në përcjellje të ekipit mysafir. Lidhur me incidentin, është informuar edhe komisari i garave të Ligës Profesionale të Basketbollit, Agim Visoka, i cili të hënën pranoi të ketë marrë raportet nga ndeshja Vllaznimi - BPB Prishtina. “Të martën, së bashku me Komisionin Tekniko-Arbitrar do ta shqyrtojmë incidentin pas ndeshjes në Gjakovë”, theksoi Visoka. Ky është incidenti i dytë brenda javës në Ligën Profesionale të Basketbollit, pas atij që ndodhi në Gjilan, kur u rrahën shikuesit e Dritës dhe të BpB Prishtinës.
335 David Beckham shënoi gol në debutimin e tij në futbollin spanjoll, derisa Real Madrid me fitore e filloi mbrojtjen e titullit. Barcelona gjithëashtu e filloi stinorin me fitore. Në Francë Lyoni pësoi disfatë të papritur, megjithë debutimin e brazilianit Giovane Elber, derisa hiq më mirë nuk kaloi as PSG-ja, e cila pësoi edhe një disfatë të re. Në Angli, Manchester United pësoi disfatë në Southampton, Chelsea barazoi me Blackburnin, ndërsa Liverpooli shënoi fitoren e parë të stinorit, në derbin lokal, ndaj Evertonit. Juventus, Inter dhe Lazio bindshëm e filluan stinorin e ri të Serie A. 
337 Beckham debutoi me gol, Barça rrëmben pikët në Bilbao
339 Kapiteni anglez David Beckham shënoi golin e parë për Realin në ndeshjen premiere të kampionatit spanjoll kundër Betisit, të cilën “klubi mbretëror” e fitoi me rezultat 2:1. Beckhamit i mjaftuan vetëm dy minuta lojë që të ngrisë në këmbë me tepër se 90 mijë shikues në “Santiago Bernabeu”. Autor i golit të dytë për Realin ishte Ronaldo, derisa golin e vetëm për Betisin e shënoi Juanito. Holandezi Philipe Cocu ishte autor im golit të vetëm në duelin kundër Atletic Bilbao. Goli tij i mjaftoi ekipit katalonas që ti marrë tri pikë nga toka baske, edhe pse ekipi nikqoirë pati shumë raste për të shënuar dhe të fitoj. Nënkampioni Real Sociedad me barazim e filloi stinorin e ri, duke luajtur 1:1 si mysafirë i Espanyolit. Në anën tjetër Valencia me mund të mëdha shkëputi një pikë nga ballafaqimi në terren të vet kundër Villarealit të përforcuar shumë këtë stinor. Nderin e Valenicë e mbrojti argjentinasi Pablo Aimar, i cili anuloi epërsinë e hershme të kundërshtarit.
341 Manchester Utd korritet, Liverpooli shënon fitoren e parë
343 Southamptoni u përkujdes për befasinë më të madhe që prej fillimit të stinorit në Angli, derisa me rezultat minimal mposhti Manchester Unitedin (1:0). James Beattie turpëroi kampioni aktual me golin e shënuar vetëm katër minuta para mbylljes së takimit. Arsenali radhiti edhe një fitore, me të cilën arriti të shmanget në krye të tabelës. Viktimë e “revolversitëve” kësaj radhe ishte Manchester City, ekip ky që befasoi me start të mirë këtë stinor. Edhe pse shënoi tre gola, Arsenali e fitoi takimin me rezultat 2:1. Wiltord dhe Ljungberg shënuan golat për Arsenalin, derisa Lauren tundi rrjetën e tij për të kaluar në epërsi Manchester City. Futbollistët e Liverpollit më në fund kompletuan fitoren e parë të stinorit. Pas dy pikëve në tri javët e para Liverpooli lehtë dhe bindshëm mposhti rivalin lokal Evertonin me rezultat 3:0. Portën e Evertonit fillimisht e mitraloi Michael Owen, duke i dhënë epërsinë prej dy golave ekipit të tij, derisa golin e tretë për Liverpollin e shënoi Harry Kewell, i cili këtë verë erdhi nga Leeds. Chelsea nuk ia doli të ruaj bilancin e qindpërqindtë ne stinorin e ri, pasi që barazoi (2:2) me Blacburnin, edhe atë para tifozëve të vet. Mysafirët dy herë udhëheqën me golat e Andy Cole, por vendasit të dy herat anuluan epërsinë e tyre, edhe atë falë Jimmy Floyd Hasselbaink. Mossuksesi në Ligën e kampionëve ndikoi negativisht në futbollistët e Newcastle, të cilët humbën për herë të tretë branda shtatë ditëve në terren të vet. Kësaj radhe ata u nga debutuesi në ligë, Birmingham.
345 Start i suksesshëm i pretendentëve për titull
347 Kampioni aktual i Italisë, Juventusi, sikurse edhe të gjithë pretendentët për titull të kampionit, shënoi fitore bindëse në kuadër të hapjes së Serie A. Fitorja e Juves ishte e inspiruar nga loja e shkëlqyeshme dhe efikase e Alessandro Del Pierros, David Trezegues dhe Marco Di Vaios, të cilët ishin autor të të gjitha golave për torinezët (5:1). Krejtësisht ndryshe ishte në Milano, ku Interi u mundua mjaft por në fund shënoi fitore ndaj debutuesit Modena me rezultat 2:0. tri pikë në “Guiseppe Meazza” i ndalën golat e vonshëm të Christian Vierit (84’) dhe Marco Materrazit (89’). Të dy ekipet romake gjithëashtu me fitore filluan stinorin e ri. Lazio në terren të vet e demoloi Leccen (4:1), ndërsa Roma fitoi si mysafirë i Udineses (1:2). Për Lazion shënuan Demetrio Albertini, Bernardo Corradi, Stefano Fiore dhe Massimo Odo, derisa Romës ia siguruan fitoren Marco Delvecchio dhe Vincenzo Montella. Siena, debutuese tjetër në Serie A, megjithë disavantazhit ia doli të rrëmbej një pikë nga dueli kundër Perugias (2:2).
349 Lyoni ndalet në Guingamp, PSG pëson edhe një disfatë të re
351 Kampionati francez si duket nuk mund të luhet pa befasira, duke e vazhduar kështu traditën nga stinorët e kaluar. Këtë javë në radhë erdhën disfatat e Lillet të papmposhtur këtë stinor dhe kampionit aktual, Lyonit, i cili u gjunjëzua në Guingamp. Lyonit nuk i ndihmoi as Elberi, i cili assesi nuk arriti që në debutimin e tij të pengoj humbjen e ekipit të tij të ri. Golat për Guingampin, i në tri xhirot e para ka shënuar vetem një herë dhe ka arkëtuar vbetëm një pikë, i shënuan Beli Dagano dhe Fabrizoi Fuentes. Në ndeshjen më interesante dhe dramatike të së shtunës mbrëma Montpellier mposhti PSG-në e Lorik Canës me rezultat 3:2. Kjo ishte disfata e dytë e stinorit ekipin nga “Parc des Princes”. I prirë nga Mamadou Niango, Strasbourg ishte mjaft bindës kundër Le Mansit (3:0), derisa Cisse dhe Kalou u përkujdesën për fitoren e Auxerrit ndaj Rennes.
352 Briegel kishte dashur t’ia lëshonte mjekër Federatës Shqiptare të Futbollit të premten. Mirëpo, shqiptarët të rryer në punë pazaresh “nuk e kishin hëngër”. Trajneri gjerman ishte ulur në tryezën e bisedimeve me palën shqiptare me kërkesë prej 500.000 eurosh në vit për të mbetur në stolin e Kombëtares, ndërsa shqiptarët i kishin ofruar 140.000 euro. Këtë shumë e ka pasur në kontratë Briegeli edhe gjatë vitit të kaluar në stolin e Kombëtares. Blofi i gjermanit të premten në Tiranë nuk ndezi, kështu që ai në fund pranoi kontratën e ofruar për 140.000 euro për tri vjet në krye të Kombëtares së Shqipërisë, njofton gazeta “Korrieri”. “Kam punuar dhjetë muaj me Kombëtaren e Shqipërisë”, ka thënë të premten në konferencë shtypi Briegel. “Mirëpo, për ta përmirësuar Kombëtaren duhet një kohë më e gjatë dhe unë për këtë shkak pranova kontratë më të gjatë”. Briegel me kontratën e re do të jetë në bankën e Kombëtares deri më 2006. Kontrata e Briegelit ka edhe disa elemente të tjera. Gjermani Briegel dhe ndihmësi i tij Axel Roos do të jenë të detyruar në bazë të kontratës që të qëndrojnë të paktën 4 ditë në muaj në Shqipëri, ndryshe nga përvoja e deritashme, kur Briegel vinte në Shqipëri vetëm para ndeshjeve. “Kemi synim që të punojmë me disa lojtarë të rinj cilësorë”, ka thënë Briegel. Po ashtu, Briegel do të marrë edhe bonuse (premi) të majme në raste të fitoreve të Shqipërisë. Për një fitore ai do të paguhet me shifër 5 shifrore të eurove. Briegel ka marrë Kombëtaren e Shqipërisë në tetor të vitit të kaluar dhe në gjashtë ndeshje kualifikuese për Euro 2004 ka fituar 7 pikë. Burime të afërta me FSHF-në pohojnë se Briegeli ka pasur oferta më të mira financiarisht se kjo e Shqipërisë. Mirëpo, gjermani e ka pranuar stolin e Kombëtares, sepse kjo i mundëson atij që të qëndrojë më gjatë në shtëpi pranë familjes dhe të ketë më pak angazhim, meqë Kombëtarja nuk ka nevojë për stërvitje të përditshme me skuadër. Nga 140.000 eurot e siguruara, Briegeli rreth 50 për qind do t’i paguajë tatim për shtetin e tij. Kjo e bën rrogën e tij mujore më të ulët se 7.000 euro. Kjo pagë, sidoqoftë, është 14 herë më e lartë se ajo e përzgjedhësit të fundit shqiptar të Kombëtares, Sylejman Demollarit. Demollari ka pasur pagë mujore prej 500 eurosh sa ka qenë trajner i parë i Kombëtares së Shqipërisë.
353 Kampioni aktual i Kosovës në Shah, Drita e Therandës, do të marrë pjesë në Kupën e Evropës në Shah që do të mbahet në Kretë të Greqisë nga data 27 shtator deri më 5 tetor, ka bërë të ditur të martën kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës (FSHK), Mehmet Gërguri. Ekipi i Dritës si kampione e Kosovës do të përfaqësohet nën flamurin e Unionit Europian të Shahut (ECU) pasi Federata e Shahut e Kosovës (FSHK) nuk është anëtare e Unionit Evropian të Shahut. Therandasit do të marrin pjesë në mesin e 52 klubeve kampione të shteteve evropiane. “Këta janë hapat e parë të shahut kosovar drejt ndërkombëtarizimit dhe është dalja e parë në një garë karakter të tillë, por edhe një arritje e madhe jo vetëm për shahun, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi”, deklaroi të martën, kryetari i (FSHK) Mehmet Gërguri. Kosova nuk është anëtare e Unionit Evropian të Shahut (ECU), por as e Federatës Botërore të Shahut (FIDE-s) dhe pjesëmarrja e kosovarëve në këtë manifestim të shahut është mundësuar falë kontakteve dhe vizitat e vazhdueshme të FSHKsë me zyrtarë të ECU-t dhe të FIDË-s. Kryetari Gërguri u shpreh se “pjesëmarrja jonë në Kupën Evropiane në Kretë është arritur në saje të bashkëpunimit që kemi me këto dy asociacione ndërkombëtare, e posaçërisht me ndihmën e kryetarit të Unionit Evropian të Shahut (ECU), sllovenit Boris Kutin, i cili në muajin maj gjatë vizitës në Kosovë ka premtuar se do të angazhohet për pranimin e shahut kosovar në këto asociacione ndërkombëtare”. Mirëpo ai tha se “ndikim kishte edhe vizita e paradokohshme në Bled të Sllovenisë, ku bashkë më nënkryetarin Nesret Avdiu morëm pjesë në kongresin e FIDE-s, ku kishim takim edhe me kryetarin e këtij asociacioni, Kirshan Ilumzhinov. Me gjithë mospranimin me të drejta të plota të shahut kosovar në këto dy asociacione kryetari Gërgurit tha: “Federata Botërore e Shahut (FIDE) në muajin nëntor do të organizojë një turne të madh të shahut në Kosovë, ku do të marrin pjesë shahistë nga vende të ndryshme të botës. Kjo është ndihmë e drejtëpërdrejtë e FIDE-së për shahun kosovar”. Numri një i FSHK-së, Gërguri, pohoi: “Federata më 14 gusht i është drejtuar për herë të pestë FIDE-s, përkatësisht kryetarit të këtij asociacioni për anëtarësim me të drejta të plota, ku e kam njoftuar për zhvillimet e shahut kosovarë. Besoj se këtë herë do të kemi sukses”. Presidenti Gërguri shpreson se këto ditë të marrë ftesa nga këto dy asociacione të mëdha për të marrë pjesë në Bullgari dhe në Greqi. “Unë presë që të ftohem të marrë pjesë edhe në Asamblenë e ECUs që do të mbahet në Plovdiv të Bullgarisë, por edhe në kongresin e FIDE-s në Halkidiki të Greqisë në fillim të muajit nëntor”. Kjo do të jetë dalja e parë e një klubi nga Kosova në ndonjë aktivitet të tillë. Deri më tani shahistë kosovarë morëm pjesë në mënyrë individuale në disa turne në vende të ndryshme të Evropës. Kreu i FSHK-së Gërguri ka paralajmëruar se shahistët kosovarë do të përballën në muajin nëntor me kolegët nga Shqipëria, në kuadër të superkupës Shqipëri - Kosovë që është dashur të mbahet në shtator, por që është shtyrë më kërkesë të Federatës Shqiptare të Shahut”. Për pjesëmarrjen në Kupën Evropiane të Shahut në Kretë Gërguri shpreson në një përkrahje materiale nga Departamenti i Sportit të Kosovës që t’i mbështesë kërkesat financiare të shahistëve.
354 Shumë tinejxherë bullgarë ka gjasa që së shpejti të mbesin pa idhullin e tyre. Ylli i repit në skenën bullgare, Vanko 1, është akuzuar për tregti me femra dhe prostitucion. Tani, ai është duke e pritur gjykimin dhe në bazë të dëshmive që ka paraqitur policia, ai shumë lehtë mund ta zëvendësojë skenën me burg dhe atë për një kohë të gjatë. Prokuroria në Plovdiv ka ngritur aktakuzën ndaj Ivan Glavçevit, që është emri i vërtetë i Vankos 1, në javën e parë të shtatorit. Ai, babai i tij Petar dhe kushëriri Dimitar Raçelov janë të akuzuar për detyrim të femrave për prostitucion dhe kontrabandim njerëzish. Glavçevi dhe të afërmit e tij momentalisht ndodhen në liri, pasi kanë paguar kaucionin prej 20.000 eurosh. Në deklaratat e rralla të dhëna për shtyp, ata kanë kundërshtuar të gjitha akuzat dhe janë duke u kërcënuar se do ta padisin Bullgarinë para Gjykatës Ndërkombëtare në Strasbourg për shkak të, siç thonë, “procesit të montuar kundër tyre”. Ivan Glavçev është arrestuar gjatë muajit maj dhe arsyeja të cilën e ka dhënë policia për arrestimin e tij - tregtia me njerëz - ka tmerruar opinionin bullgar. Vanko 1, 28-vjeçar, është i dyti përkah popullariteti në mesin e tinejxherëve billgarë. Po ashtu është edhe bullgari “më i famshëm” kundër të cilit është ngritur aktakuza e tillë. Menjëherë pas arrestimit të tyre, nga policia kanë filluar të “rrjedhin” të dhënat për aktivitetet e Vankos. Është thënë se këngëtari ka marrë pjesë në tregtinë me femra për një kohë shumë të gjatë, pothuajse disa vite. Ai së pari është njoftuar me një “tregtar” të tillë në Plovdiv, i cili ia ka mësuar atij sekretin e “punës”. Përparësi e Vankos ka qenë popullariteti i tij dhe fakti që gjithnjë afër tij ka pasur femra të bukura. Gjatë kësaj kohe, ka bërë të ditur prokuroria bullgare, ai ka krijuar një rrjet prostitucioni të organizuar mirë. Vajza të bukura, mirëpo të varfra, vijnë në shoqërinë e idhullit të tyre, i cili gjatë disa muajve sillet me to shumë mirë - iu blen rroba të bukura, i dërgon në lokale të shtrenjta dhe ua plotëson secilën dëshirë. Pastaj, iu premton luksin e tillë dhe punë të paguar mirë po qe se pranojnë të shkojnë në ndonjë shtet të Evropës Perëndimore. Ato të cilat kanë pranuar, janë transferuar në disa prej shteteve evropiane - Francë, Itali, Spanjë apo Holandë. Shumë vajza qysh atëherë e kanë kuptuar se çka kanë bërë. Atje i presin njerëzit e Vankos, të cilët nuk i lejojnë që të dalin nga shteti. Po qe se nuk pranojnë të punojnë vullnetarisht si prostituta, ata i rrahin, i maltretojnë dhe nuk u japin të hanë. Policia bullgare vlerëson se rreth 10.000 bullgare punojnë si prostituta në vendet e jashtme dhe pjesa më e madhe e tyre janë të detyruara ta bëjnë një gjë të tillë. Të dhënat për rolin e Vankos në tregtinë me femra për shkak të prostitucionit, policia bullgare i ka marrë gjatë shtatorit të vitit të kaluar, gjatë operacionit ndërkombëtar “Mirazh”, i cili ka pasur për qëllim luftimin e prostitucionit dhe tregtisë me njerëz në Evropën Juglindore. Që nga atëherë, e tërë familja e këngëtarit rep është vënë nën mbikëqyrjen e përhershme të autoriteteve bullgare. Ndërkohë, shtatë ish-prostituta kanë dhënë dëshmi kundër Vankos dhe të afërmve të tij. Ato, siç theksojnë burime nga policia, kanë treguar se detyruesit u kanë premtuar rroga prej 2.000 eurosh në muaj dhe se këtë shumë rregullisht e kanë marrë. Megjithatë, ato theksojnë se gjatë një muaji kanë fituar shuma edhe më të mëdha, mirëpo se ato para është dashur t’iu paguajnë makrove të tyre. “Po qe se nuk e bënim një gjë të tillë ata në dënonin, nganjëherë edhe na rrahnin”, kishte treguar njëra prej tyre, dëshmia e së cilës ka rënë në duart e mediumeve lokale. Sipas të dhënave të policisë, për Vankon kanë punuar 170 prostituta në Evropën Perëndimore, gjë që do të thotë se të ardhurat e tij nga kjo punë kanë qenë tejet të mëdha. E tërë kjo sjell dyshimet se këngëtari ka pasur “shpinë të fortë” për të mbijetuar në tregtinë me njerëz. Një gjë të tillë e konfirmoi komandanti i policisë në Plovdiv, gjenerali Valentin Petrov. “Ekziston rreziku real ndaj dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmitë kundër Vankos, pasi interesat në këtë rast janë në nivel tejet të lartë. Për këtë arsye policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha gjenerali. E përditshmja e Sofjes “Sega” shkruan se ekspertët, të cilët po luftojnë tregtinë me njerëz tregojnë se akuza të ngjashme mund të ngrihen edhe kundër disa personaliteteve të tjera të muzikës bullgare dhe agjencive të modës. Në mesin e viktimave është edhe një ish-mis i Bullgarisë, e cila ka qenë e detyruar që në Perëndim të merret me prostitucion. Ajo ka arritur që të dalë nga ajo punë dhe të kthehet në vendin e saj dhe autoritetet thonë se ka përjetuar pasoja psikike. Policia bullgare, nën presionin e shërbimeve perëndimore policore, ka përforcuar luftën kundër tregtisë me njerëz. Në javën e parë të shtatorit, zëvendësi i ministrit të Punëve të Brendshme, Bojko Koçev, njoftoi se brenda një viti është ndërprerë puna e 30 bandave, të cilat kishin organizuar kalime ilegale të kufijve, tregtinë me femra dhe falsifikimin e dokumenteve. Ai shtoi se edhe 33 grupe kriminale po e vazhdojnë punën e tyre, mirëpo se ato janë të njohura për policinë dhe se kundër tyre po mblidhen dëshmitë. Në maj të vitit 2003 hyri në fuqi ligji i ri për luftën kundër tregtisë me njerëz, i harmonizuar me konventat evropiane. Në ligjin penal, në të njëjtën kohë janë ngritur dënimet për thyerjet e tilla, kështu që ekspertët mendojnë tani se baza ligjore në këtë fushë është e mirë. Po qe se Vanko 1, në bazë të ligjeve të reja, shpallet i fajshëm për tregtinë me njerëz për shkak të prostitucionit, ai do t’i kalojë në burg deri dhjetë vjet.
355 Shërbimi Policor i Kosovës, pas mëse tre vjetësh, ka filluar të funksionojë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Shtrirja e forcës policore të Kosovës matanë lumit Ibër, ka qenë çështje jo thjesht e policisë, por çështje politike, prandaj edhe zgjidhja e këtij problemi është bërë në nivel politik, në negociata mes autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre në Beograd. Një numër i vogël i pjesëtarëve serbë të SHPK-së ka disa ditë që është duke punuar në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Këtë e ka konfirmuar në intervistë për “Kohën ditore” edhe komandati rajonal i policisë ndërkombëtare, Barry Pollin. “Për momentin një numër shumë i vogël i SHPK-së është duke punuar në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Kur kadetët e SHPK-së ishin për trajnim në veri të Mitrovicës, kanë bërë patrullime bashkë me pjesëtarët e SHPK-së dhe më pas kadetët i janë kthyer akademisë policore, ndërsa policët kosovarë kanë vazhduar të punojnë me policinë ndërkombëtare në veri të Mitrovicës dhe Zveçan. Puna e tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmën dhe një numër i pjesëtarëve të SHPK-së, do t’i bashkohen punës permanente të stacionit policor në veri të Mitrovicës dhe Zveçanit”, tha numri një i policisë rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, oficeri Pollin nga Irlanda e Veriut, pas më pak se një muaj nga marrja e detyrës së komandatit të policisë. 
357 Dhjetori - muaji i normalizimit të punës së SHPK-së në veri? 
359 Duke folur për funksionimin e Shërbimit Policor të Kosovës në zonën e tij të përgjegjësisë, Pollin u shpreh shumë i kënaqur me punën e policëve kosovarë dhe shprehu gatishmërinë e tij që gjatë misionit si komandat rajonal t’i inkurajojë ata të përshihen në të gjitha detyrat e policisë. Sipas Barry Pollin, në rajonin e Mitrovicës në veri të Kosovës, numri i pjesëtarëve të SHPK-së arrin në 614, prej të cilëve në shtabin rajonal të policisë në njësinë e trafikut, atë të hetimeve, mjekësisë ligjore etj. punojnë 88 sish. “Ka më shumë pjesëtarë të SHPK-së në këtë rajon sesa policë ndërkombëtarë. Kjo është ashtu si duhet të jetë dhe si gjërat do të përparojnë, kështu që në të ardhmen, numri i policëve ndërkombëtarë do të zvogëlohet, ndërsa SHPK-ja do të marrë pësipër të gjitha sferat e punës së policisë përderisa ne do të kalojmë misionin nga udhëheqja e SHPK-së në asistencë”, u shpreh Pollin. Pas fillimit të dorëzimit të stacioneve policore SHPK-së në disa qendra të Kosovës, Pollin la të hapur mundësinë që kjo të ndodhë edhe në rajonin e Mitrovicës, por siç tha ai, “vendimi për një gjë të tillë kërkon një kujdes të veçantë”. Muaji dhjetor duket se do të jetë muaji që do të shënojë normalizimin e punës së SHPK-së në veri të Mitrovicës dhe rritjen e pjesëtarëve të këtij shërbimi, të cilët kryesisht do të jenë serbë lokalë. Edhe vet shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Michael Stenier, pas nënshkrimit të një urdhërese administrative më 25 nëntor me të cilët pushojnë së ekzistuari strukturat paralele në veri të Mitrovicës dhe shtrihet pushteti i UNMIK-ut në këtë pjesë të qytetit, tha se pas marrjes së administratës komunale matanë lumit Ibër, si hap i radhës është shtrirja e SHPK-së. Ndërsa emisari serb për Kosovën, Nebojsha Çoviq, lidhur me shtrirjen e SHPK-së në pjesën veriore të Mitrovicës pat thënë se është arritur marrëveshje me zyrtarët e UNMIK-ut që kjo të bëhet përmes inkuadrimit të disa pjesëtarëve të “Rojave të Urës” në këtë shërbim dhe pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (ishpolicëve serbë që kanë vepruar në Kosovë gjatë regjimit të Milosheviqit). Inkuadrimi i këtyre personave në Shërbim Policor të Kosovës sipas zyrtarëve ndërkombëtarë do të bëhet vetëm nëse ata plotësojnë kriteret e parapara për të qenë pjesëtar i SHPK-së dhe mos ta kenë të kaluarën të lidhur me aktivitete kriminale. 
361 Komandati i ri i policisë heziton të përgjigjet prerazi për fatin dhe të ardhmen e “Rojave të Urës” 
363 I pyetur çka do të ndodhë me pjesëtarët e “Rojave të Urës” dhe ish-policët serbë që nuk duan apo nuk plotësojnë kushtet për t’u inkuadruar në SHPK, komandanti rajonal i policëve ndërkombëtare, Barry Pollin, nuk u përgjigj drejpërdrejt. Ai tha se çdokush është inkurajuar të inkuadrohet në SHPK dhe se ky shërbim bashkë me policinë ndërkombëtare janë e vetmja forcë legjitime për ta luftuar kriminalitetin dhe zbatuar rendin e ligjin. “Ne do të bashkëpunojmë me përfaqësuesit legjitimë të të gjitha komuniteteve. Me bashkëpunimin e qytetarëve mund të ketë gjithmonë zgjidhje korrekte të problemeve”, theksoi Pollin. Komandati i ri i policisë rajonale në Mitrovicë ka hezituar të përgjigjej prerazi për fatin e “Rojave të Urës” në të ardhmen. Kur është pyetur: Çka do të ndodhë me “Rojat e Urës”, pasi ata nuk janë përfaqësues legjitim të zgjedhur nga populli, Pollin ka heshtur për pak çaste, meqë i është dashur pak kohë të mendonte në dhënien e përgjigjes dhe më pas tha: “Çdokush duhet t’i japë mbështetje SHPK-së dhe të bashkëpunojë me anëtarët e saj. Çdo rast do të trajtohet individualisht. Nuk mund të flasim për atë çka do të ndodhë në të ardhmen, por mund të flasim vetëm për atë që ka ndodhur deri më tani”. Ndërkaq për aktivitetet e ishpolicëve serbë në veri të Mitrovicës në “mbrotje” të popullatës serbe, Pollin theksoi: “E vetmja forcë policore në veri janë policia ndërkombëtare dhe SHPK-ja” dhe sipas tij, “këto janë autoritetet e vetme legjitime atje”. Ndryshe, Barry Pollin, ka vlerësuar se situata e sigurisë në rajonin e Mitrovicës është e qetë dhe ka rënie të krimeve. “Jam shumë i kënaqur me situatën e sigurisë në rajonin e Mitrovicës dhe ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me KFOR-in. Unë kam punuar për gjashtë muaj në njësinë për operime në këtë rajon dhe kam vërjetur se çdoherë e më shumë nuk ka nevojë të rritet numri i policisë apo të kërkohet ndihmë nga KFOR-i, sepse situata e sigurisë ka qenë e kënaqshme”, është shprehur ai. Duke folur për pikëkontrollet e trafikut, Pollin ka thënë se bashkë me KFOR-in po bëhen përpjekje për vendosjen e rendit në trafik, duke mundësuar një qarkullim më të lirë të veturave. Sipas tij, po punohet edhe në dhënien e targave dhe patentë shoferëve të Kosovës për të gjithë vozitësit në rajon të Mitrovicës. Megjithatë, qytetarët serbë në pjesën veriore e Mitrovicës dhe tri komunat serbe Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, nuk po tregojnë interesim të pajisen me targa dhe patentë shoferë të Kosovës. Për ta janë akoma në përdorim targat dhe patentë shoferët jugosllavë. Numri një i policisë ndërkombëtare në veri të Kosovës, Barry Pollin, thotë se kjo është më tepër çështje e besimi publik. “Ne inkurajomë të gjithë qytetarët që të aplikojnë për targa dhe patentë shoferë, të kenë liri të qarkullimit me anë të këyre tabelave, por kjo është çështje e besimit publik dhe e di se do të marrë kohë, por nëse pas gjashtë muajsh krijohet ky besim ndërmjet qytetarëve, unë do të jem i lumtur”, nënvizoi ai, për të shtuar se i tërë progresi në këtë rajon duhet të jetë i ngadalshëm dhe i qëndrueshëm. 
365 Trazirat e 8 prillit - prioritet i njësisë për hetime 
367 Nga ana tjetër, Pollin ka bërë të ditur se janë duke u bërë hetime të mëtejme për rastin e 8 prillit, kur nga sulmet serbe me granata, u lënduan më shumë se 20 policë ndërkombëtarë. Lidhur me këtë rast para organeve të drejtësisë gjenden Slavisha Joviqi, i njohur me nofkën “Pagi”, që po mbahet në paraburgim në Burgun e Mitrovicës dhe Milan Ivanoviqi, që iu dorëzua policisë ndërkombëtare në veri të Mitrovicës, pas dy muaj qëndrimi në arrati, ndërsa tani po mbrohet në liri. Ky vendim ishte marrë pasi trupi gjykues kishte hequr dorë nga aktakuza, e cila Ivanoviqin e ngarkonte me tentimvrasje të policëve ndërkombëtarë në veri të Mitrovicës, por e akuzoi për nxitje të trazirave. “Të dy këta persona tani janë para organeve të drejtësisë dhe rastet u janë dhënë gjykatësve ndërkombëtarë. Për çdo rast bëhen hetime të detajuara, por raste si ky kërkojnë më shumë kohë. Hetimet nuk janë mbyllur dhe nga përvoja ime them se ky rast ka prioritetin më të madh për t’u hetuar”, theksoi ai. Komandanti rajonal i policisë në Mitrovicë ka mohuar të ketë njohuri a janë shpallur fletarreste edhe ndaj disa të dyshuarve të tjerë për këtë rast, por ka lënë të hapur mundësinë e arrestimeve të reja, siç thotë ai, “nëse do të ketë dëshmi ndaj tyre”. Po ashtu, Barry Pollin tha se nuk është i njohur për urdhrin e komisarit të policisë, Stefan Feller për ndërprerjen e hetimeve ndaj njësisë speciale polake me rastin e intervenit 24 orë para kohës në mbylljen e ndërtesës së ish-komunës paralele serbe si dhe për atë se nga kush janë urdhëruar policët e njësisë speciale polake për ta ndërmarrë këtë aksion. “Hetimet në lidhje me këtë rast janë bërë në shtabi qendror në Prishtinë dhe jo në nivel rajonal. Mendoj se hetuesit në Prishtinë janë marrë me të gjitha këto detaje dhe mua nuk më ka ardhur kurrfarë përgjigjeje”, është përgjigjur ai, i pyetur deri ku kanë shkuar hetimet ndaj njësisë speciale. Pollin nuk ka dhënë detaje deri ku kanë shkuar hetimet për të ndriçuar rastin e gazetarit të gazetës “Rilindja”, Shefki Popova, i vrarë në Vushtrri dy vjet më parë, por tha se ky rast i kujtohet mirë dhe se hetimet nuk janë mbyllur.
368 Erik MacKinlay, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në Postën dhe Telekomin të Kosovës pranon se nuk e ka lehtë ta udhëheqë PTK-në në një situatë kur drejtorët vendës ia kanë kthyer shpinën, të pakënaqur me punën e tij, kur Ministria e akuzon se ai po e bojkoton Qeverinë, në valën e negociatave për zgjatje të marrëveshjes me Monacon nga një pozitë e disfavorshme meqë është i zënë ngushtë me kohën dhe në një kohë kur për PTK-në, Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit i ka mbetur vetëm emri, pasi që Lars Jensen ka ikur e Jurgen Mandricke po ashtu. Ndonëse nuk e ka për detyrë t’u arsyetohet mediave për punën e tij, ai ka vendosur që disa gjëra më në fund t’i bëjë për publik. Mst: Kontrata me “Monaco Telekomin” do të vazhdohet më së shumti edhe për nëntë muaj Pozita e PTK-së në negociatat me “Monaco Telekomin” ka mundur të jetë shumë më e mirë, këtë e pranon edhe MacKinlay. Sidoqoftë nuk e ka ndërmend që të vajtojë për këtë, por po përpiqet të nxjerrë marrëveshje sa më të favorshme për kosovarët, brenda mundësive. Mundësitë realisht nuk janë edhe aq optimiste për kosovarët, meqë data kur palët mund të vendosin për vazhdim ose shkëputje të kontratës është 17 nëntori. “Nuk do të thotë se përgjithmonë do të lidhemi për Monacon. Nuk po bëjmë kontratë të re me ta, vetëm po e vazhdojmë kontratën ekzistuese deri në zgjedhjen e operatorit të ri. Më së shumti edhe për nëntë muaj”, thekson MacKinlay, duke shtuar se e rëndësishme është që Kosova të mos mbetet pa thirrje ndërkombëtare pas 17 nëntorit. Nëntë muaj, sipas tij, do të duhen për finalizimin e tenderit për operator. “Nëse shpallet tenderi muajin e ardhshëm, siç kemi planifikuar, atëherë për operator të ri do të vendoset shkurtin që vjen”, thotë MacKinlay. Nëse Monaco Telekomi jep ofertën më të mirë, sipas MacKinlayt, atëherë kontrata e re mund të finalizohet për trekatër muaj, por nëse fiton ndonjë operator tjetër, atëherë periudha e dorëzimit mund të zgjasë me muaj. Sipas u.d të drejtorit të përgjithshëm të PTK-së, negociatat deri tani kanë shkuar mirë. Francezët kanë bërë disa koncesione, por ai nuk jep detaje rreth kushteve të MTI-së. Sigurimi i kodit hyrës do të jetë një ndër kushtet që duhet të plotësojë operatori i ri për të fituar tenderin, meqë në të kundërtën nuk do të ketë thirrje ndërkombëtare, thekson MacKinlay. Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit ka theksuar se është duke u interesuar që të sigurojë një kod hyrës për Kosovën, mirëpo nuk shihet ndonjë veprim konkret përveç deklaratave. “ITU (International Telecommunication Union) u lejon kodet hyrëse vetëm shteteve të pavarura, ajo kurrë nuk do t’i lëshonte kod Kosovës. Kosova nuk mund ta ketë kodin e saj vetëm kur të jetë e pavarur”, thekson MacKinlay. Një një intervistë më të hershme për “Kohën ditore”, Ismet Hamiti, eksperti i vetëm kosovar në ITU, institucionin kompetent për të vendosur për ndarjen e kodeve hyrëse për shtetet, pat theksuar se është qesharake të ndërlidhet kodi hyrës me status. Ndër opcionet e shumta për të zgjidhur çështjen asisoj që Kosova mos të ketë nevojë të shpenzojë para duke blerë kode të huaja, ai pat përmendur edhe ndërhyrjen e UNMIK-ut për të kërkuar kod të veçantë, të përkohshëm deri në zgjidhje të statusit. Atëbotë ai ishte shprehur i habitur për mosangazhimin e UNMIK-ut. Por MacKinlay, edhepse pohon se kjo mund të ishte zgjidhje, cek se UNMIK-u nuk duket se po interesohet për kod hyrës. “Nuk shoh ndonjë alternativë tjetër. Nuk besoj se UNMIK-u do të aplikojë për kod në ITU”, thekson ai. 
370 Në kontratën ekzistuese me “Monaco Telekomin” shumçka nuk është e finalizuar
372 Në kontratën me “Monaco Telekomin” është cekur se çdo çerek viti, MTI-ja do të duhet të njoftojë PTK-në për të hyrat e roamingut dhe sa herë të ndodh kjo PTK-ja ka të drejtë të faturojë MTI-në për paratë e fituara. PTKja ka faturuar paratë e roamingut vetëm për vitin e parë. “Kjo ndodh sepse në kontratën ekzistuese këto gjëra nuk janë finalizuar. Çdo gjë që Monaco paguan tani është pagesë provizore. Marrëveshjet për roaming janë bërë vetëm për trafikun hyrës ndërkombëtar, që do të thotë shuma të mëdha parash për PTK-në, mirëpo kjo është marrëveshje e ndarë. Para dy vjetësh ka pasur një propozim që të finalizohen terminal ‘accounting rates’, por për arsye që unë nuk i di, ato asnjëherë nuk janë formalizuar”, tregon MacKinlay. Sipas tij, MTI nuk është e obliguar në kontratë që të paguajë paratë. MacKinlay sqaron se kur Monaco transferon një thirje ndërkombëtare në Kosovë, për këtë merr një shumë parashë. “Kontrata nuk precizon as sa për qind marrin ata, ne e dimë afërsisht. Kemi paguar duke u bazuar në vlerësimet tona, por e tërë kjo duhet të finalizohet si duhet”, thekson MacKinlay. PTK-ja është kujdesur që të paguajë borxhin e tyre, edhe pse MTI-ja i ka borxh shumë më shumë PTK-së. “Nuk e di se a janë 40 milionë euro të ardhurat nga roamingu si thoni ju, por shuma rritet vazhdimisht”, thotë MacKinlay. “Nuk është se Monaco refuzon të paguajë. Në bisedat që kam pasur me ta, më thonë ju lutemi merrni paratë, pasi është turp për ne, pasi auditorët vazhdimisht na pyesin pse i mbajmë në llogari tërë ato para që nuk janë tonat. Por, ende nuk ka marrëveshje finalizuar”, thotë MacKinlay.
374 Bordi Mbikëqyrës i Ministrisë...ky përçarës
376 MacKinlay nuk e kupton pse ministria përpiqet të përçajë vendorët e ndërkombëtarët në PTK. Ftesën e fundit për mbledhje me Bordin Mbikëqyrës të PTK-së, ai kishte anashkaluar MacKinlayn. “Kjo na humb kohë e mund të gjithëve”, thekson MacKinlay. Bordi Mbikqyrës i PTK-së është shpallur ilegjitim nga UNMIK-u, meqë përzihet në menaxhimin ditor të PTK-së, që sipas ligjit të miratuar në Kuvend, është detyrë e AKM-së. “Edhe UNMIK-u ka një pjesë të fajit pasi nuk i ka bërë gjërat të qarta që nga fillimi. Nuk janë ndarë qartë detyrat e rregullatorit dhe operuesit. Shumica e problemeve vijnë nga kjo. Është dashur të ketë definicione shumë më të qarta se kush çka bën”, thotë MacKinlay. Përçarjet në bordin e drejtorëve të PTK-së e bëjnë shumë të vështirë menaxhimin e PTK-së. “Unë do të doja më shumë bashkëpunim, mendoj se nuk kemi asnjë dobi kur e ngrejmë gishtin kundër njëri-tjetrit”, thekson MacKinlay, duke vazhduar se refuzimi i drejtuesve të Telekomit që të marrin pjesë në negociatat me Monacon ka krijuar situatë shumë të vështirë. “Ne u pajtuam për qasjen në negociatat me Monacon, por në momentin e fundit jo gjithkush deshi të marrë pjesë në këto negociata. Sidoqoftë nuk do të doja të komentoja atmosferën në PTK...”, shprehet MacKinlay. Drejtorët vendorë në biseda joformale vazhdimisht ankohen në punën e MacKinlayt dhe janë të pakënaqur me menaxhimin e tij. Ata e akuzojnë MacKinlayn se i ka bllokuar të gjitha projektet dhe nuk ndan para as për shpenzime ditore, duke ua pamundësuar kështu që tu ofrojnë shërbime klientëve. MacKinlay këtyre kritikave u përgjigjet me atë se ka tentuar që të ndal prokurimet emergjente. “Shumica e gjërave në PTK mund të blihen me tender. Nëse nuk planifikohen gjërat si duhet, atëherë ballafaqohen me prokurime emergjente dhe fatkeqësisht kështu ka ndodhur në shumë raste”. Ai mohoi se 100 milionë euro kesh presin për projekte. “Jo, jo nuk e di as nga ju vijnë këto informata, ka mjaft para që presin për projekte, por jo 100 milionë. Ka para për investime në projekte, por jo aq”, shprehet MacKinlay. Ai nuk e di se sa projekte janë në zhvillim e sipër, as cilat janë kryesore. Këtë e ka të përbashkët me drejtoreshën e suspenduar Leme Xhema. Ajo asnjëherë “nuk i dinte” sa para dhe ku shpenzohen. MacKinlay, në momentin kur u intervistua nuk e dinte sa janë të ardhurat mujore të Valës 900. “Nuk i di përmendësh, por mund t’ua siguroj”, shprehet MacKinlay. Sipas zyrtarëve të Monaco Telekomit, Vala 900 me 220 mijë konsumatorë gjeneron ndërmjet katër e gjashtë milionë euro në muaj.
378 Pse telefonia fikse është aq e shtrenjtë kur aty është investuar aq pak
380 Pse janë çmimet e telefonisë fikse aq të larta, kur të gjitha pajisjet janë gati njëzet vjet të vjetra dhe shumë pak është investuar në telefoni fikse. Madje, edhe ato që janë investuar kanë qenë donacion i BE-së, do të thotë nuk ka borxhe për t’u kthyer siç ka qenë rasti me Valën 900? MacKinlay përgjigjet se nuk është asgjë e jashtëzakonshme për ekonomitë në transicion që për fillim shërbimet e telekomunikacionit të jenë shumë të shtrenjta. “Nuk jam i sigurt se ka pasur donacione nga BE-ja dhe nuk mendoj se nuk kemi para për të kthyer borxhet që eventualisht mund të krijohen. Por, mos harroni se edhe një çështje nuk është e zgjidhur - është e mundur që Serbia të kërkojnë hise”, është përgjigjja e MacKinlayt. I pyetur sa është investuar në telefoni fikse, MacKinlay përgjigjet “Jo sa duhet”. Aktualisht penetrimi në telefoni fikse, sipas tij, është 7 për qind, rreth 20 mijë linja afërsisht dhe, siç pajtohet MacKinlay khjo duhet të rritet urgjentisht. Penetrimi, sipas burimeve në PTK është madje më i ulët se para luftës.
381 Klaus Reihnardt, gjenerali i pensionuar gjerman, ka pasur shumë gjëra për t’i treguar bashkëshortes së vet, gjatë vizitës së tyre pesëditëshe në Kosovë. E ka dërguar te fëmiu shqiptar të cilit i është bërë kumbar, në Mitrovicë tek Zona e Mirëbesimit që e kishte krijuar, në Prizren te batalioni gjerman që dikur e kishte komanduar vet në alpet gjermane, ndërsa ia kishte prezentuar edhe miqtë e tij kosovarë - liderët politikë dhe ish ushtarakë me të cilët kishte pasur shumë punë gjatë shërbimit si komandant i KFOR-it. I veshur në rroba civile, pa armë në brez, me bashkëshorten pranë, gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt, të hënën pasdite po pinte kafe në qendër të Prishtinës, në zyret e fondacionit Fridrich Ebert, ndërsa nuk çante kokën për sigurinë në Kosovë, një obligim që kishte pasur nga tetori 1999 deri në mars të vitit 2000. Në një intervistë për Kohën Ditore, komandanti i dytë i KFOR-it, nuk deshi të flasë për takimet që ka pasur gjatë këtyre ditëve në Kosovë. “Këto nuk ishin vizita zyrtare, këto ishin vetëm vizita miqve të mi sërish dhe disa nga liderët tuaj politikë më janë bërë miq dhe vetëm desha t’u them ‘hello’ dhe të shoh se si po u shkonin punët, mirëpo nuk diskutuam çështjet në mënyrën si do të doja unë”, tha gjenerali Reinhardt. Arsyeja e vetme e vizitës, theksoi ai, është një kumbari që ka bërë në Kosovë. “Po vizitoj miq. Kur jam larguar jam bërë kumbarë i një vajze të re dhe kam menduar se kjo është mënyra më e mirë për të treguar falenderimin tim ndaj njerëzve të Kosovës në vend të ndonjë gjëje tjetër, prandaj unë mbaj lidhje, dhe kohë pas kohe vij këtu të shoh zhvillimet, natyrisht”, thotë Reihnardt, i cili tash sipas fjalëve të tij është duke punuar si këshilltar për çështje ushtarake në Tribunalin e Hagës. 
383 Jeta në Kosovë i takon mënyrës normale evropiane të të jetuarit 
385 Ushtaraku, që para tre vjetësh ishte i detyruar të merrej me dhunën e shpeshtë të pasluftës, pas asaj që ka parë duke shëtitur nëpër Kosovë, thotë se tash siguria në rrugë më nuk është çështje. “Siguria sot nuk është më çështje për njerëzit në rrugë. Kur ne erdhëm kishin një orgji të dhunës. Njerëzit vriteshin për arsye etnike. Kishte dhunime dhe njëra nga gjërat më të mëdha për të cilën duhej të kujdeseshim ishte marrja e pengjeve dhe djegja e shtëpive. Njerëzit kishin frikë të dilnin në rrugë, ndërsa tash mendoj se gjërat kanë ndërruar plotësisht. Unë shëtita sot nëpër Prishtinë dhe në Prizren. është kthyer normaliteti, dyqanet janë plot, automjetet janë këtu, ndonjëherë madje të duket se ka shumë automjete. Mirëpo e gjithë kjo mendoj se i takon një mënyrë normale evropiane të të jetuarit dhe jam shumë i kënaqur që po e shoh këtë”, thotë Reinhardt. 
387 Nata më e errët në Kosovë: Dita e Flamurit më 1999 
389 I pyetur cilat ishin sfidat më të mëdha për të gjatë shërbimit në Kosovë, gjenerali Reinhardt kujton menjëherë vrasjen që kishte ndodhur në festimin e parë të pasluftës të Ditës së Flamurit. “Po ishte Dita e Flamurit. Në mbyllje të ditës së Flamurit një profesor serb po ngiste automjetin e vet nëpër Prishtinë dhe disa njerëz e njohën se ishte profesor serb që po udhëtonte me bashkëshorten dhe kunatën. Ai u nxorr nga automjeti, u qëllua, u dogj, ndërsa ato dy femrat përpak u vranë dhe u rrahën. Mendoj se kjo nuk do të ndodhte sot. Kjo ishte nata më e errët për mua në Kosovë sepse nuk mund të besoja se njerëzit normalë që po ecnin natën nëpër bulevardet e Prishtinës dhe po festonin për të parën herë Ditën e Flamurit mund ta vrasin dikë që nuk ishte asgjë tjetër pos një profesor serb, i cili nuk u kishte bërë dëm, vetëm kishte pyetur për rrugën. Nuk mund të përshkruaj se sa i zemëruar kam qenë”, kujton Reinhardt ngjarjen që atëbotë e kishte dënuar ashpër.
391 Problemi i Mitrovicës mbi nivelin tim, pamja nuk paska ndryshuar 
393 Gjenerali Reihnardt ka mbetur në kujtim në Kosovë edhe si komandanti i KFOR-it, të cilit gjatë një trazire në Mitrovicë iu vodh nga brezi revolja personale. Reinhard ka vizituar Mitrovicën edhe këtë herë, të dy anët e saj, dhe atë bashkë me bashkëshorten e vet, duke vështruar posaçërisht Zonën e Mirëbesimit që kishte krijuar dikur. “Kam qenë aty. Kam parë zonën e mirëbesimit, të cilin e krijuam për t’i larguar problemet rreth urës. Nuk pashë ndonjë ‘Roje të Urës’, nuk pashë ndonjë ushtarak, mirë pashë pak ushtarakë, por jo aq shumë sa kishte dikur. Mendoj se përgjegjësia kyçe sot i takon policisë së Kosovës dhe kjo është mirë sepse ata janë ata që duhet të kujdesen dhe shpresoj se zgjidhja politike që zoti Steiner ka zgjedhur do të kontribuojë për të kthyer qytetin në normalitet”, thotë Reinhardt. Ai pohon se në kohën e tij problemi i Mitrovicës ka qenë mbi të, i ka takuar një niveli shumë më të lartë. “Kur keni probleme politike siç i kemi pasur në Mitrovicë, që ishin të një niveli shumë më të lartë se sa që ishte niveli im, e dini ishte Beogradi dhe pjesa tjetër e botës që mundoheshin të tregoheshin të fortë në Mitrovicë. Kjo nuk mund të zgjidhet në nivel ushtarak, ju vetëm mund të provoni të ofroni siguri dhe të tejkaloni papunësinë”, shpjegon Reinhardt. Nga ajo që ka parë personalisht të dielen në qytetin e ndarë buzë Ibrit Reihnard thotë se pamja e Mitrovicës nuk ka ndryshuar. “Në esencë kur po ecnim nëpër Mitrovicë dje pamja ishte shumë e ngjashme me të vjetrën. Në pjesën jugore kishte shumë njerëz nëpër rrugë, tollovi, ndërsa kur kalon urën në pjesën veriore është pothuaj një qytet i zbrazët. Dje ishte e diele, dyqanet ishin të mbyllura, por më duhet t’u them se në pjesën veriore të Mitrovicës kam takuar njerëz shumë miqësor dhe mendjehapur. Kam qenë në shumë shtëpi dhe më janë ofruar shumë shlivovica dhe gjëra tjera. Njerëzit ishin shumë miqësor dhe shpresoj se edhe në veri do të ketë një afrim ndërmjet grupeve etnike. Mendoj se kjo është njëra nga letrat me të cilën po luan Michael Steiner dhe kjo është mënyra e duhur”, thotë komandanti i dikurshëm i KFORit.
395 Unë jam duke punuar për Tribunalin e Hagës, ata nuk bëjnë asgjë pa dëshmi të qarta
397 I pyetur nëse realizimi i paralajmërive të Carla del Pontes për akuzim të një ish pjesëtari të UÇKsë për krime lufte do të keqësonte situatën e sigurisë Reinhardt shpjegoi se nuk e beson këtë, ndërsa njoftoi se ai vet tash është duke punuar për Tribunalin. “Nuk dua të spekuloj sepse nuk kam shumë informacione për këtë. Unë jam duke punuar për Tribunalin ndërkombëtar të Hagës si këshilltar dhe unë e di se ata nuk ndërmarrin kurfarë veprimi përderisa nuk kanë dëshmi shumë të qarta. Nuk e di për atë rast konkret, por do të tërhiqja vërejtjen që nëse diçka vjen nga Haga të mos mendohet se kjo është një komplot i keq misterioz kundër Kosovës. Ata nuk do të bëjnë kurfarë veprimi dhe nuk do të bëjnë asgjë përderisa nuk kanë dëshmi të qarta. Më kujtohet të kem biseduar me Carla del Ponten kur kam qenë këtu, për një pjesë të akuzave që ishin paraqitur në shtyp në atë kohë. Asgjë nuk doli në shesh dhe ndoshta u kujtohet se unë gjithmonë kam qëndruar prapa liderëve të TMK-së dhe kam thënë se përderisa të mos dëshmohet ndonjë gjë çdo gjë është në rregull. Mirëpo nëse ka ndodhur diçka atëherë kjo duhet të ndiqet pavarësisht nga nacionalitetit, pavarësisht nga përkatësia etnike. Pra po them se kjo nuk duhet të jetë një problem që mund të keqësojë situatën e brendshme në Kosovë, sepse nuk mendoj se Carla del Ponte do të bëjë diçka vetëm për të shkaktuar veprime këtu. Por drejtësia vlen për të gjithë. Drejtësia nuk u përket vetëm disa njerëzve”, thotë Reinhardt. Duke sqaruar punën që bën në Tribunalin e Hagës, gjenerali gjerman, thotë se ajo nuk është punë e vërtetë. “Ata më kanë kërkuar që unë t’u jap këshilla ushtarake në disa nga rastet sepse gjykatësit dhe prokurorët nuk i njohin instalimet ushtarake mjaft mirë për të parë kush ka qenë përgjegjës bazuar në zinxhirin komandues dhe gjëra të tilla. Unë thashë OK, do t’ju jap këshillat. Me përjashtim të kësaj unë nuk kam një punë të vërtetë, jam një pensionist dhe kjo është arsyeja përse mund t’i bëj këto vizita këtu, ta marr bashkëshorten me mua, dhe t’ia tregoj bukuritë, të mirat dhe të këqijat e Kosovës. Doja që ajo t’i shoh edhe njërëzit këtu për ta ditur se me çfarë jam marrë, por nuk kam punë të vërtetë. I pyetur a ka gjasa që një ditë të shndërrohet në politikan Reinhard me vendosmëri bind: “Jo kurfarë gjase”. 
399 Batalioni ku jam rritur në Kabul, batalioni që kam komanduar në Prizren
401 Gjatë qëndrimit të tij pesëditësh në Kosovë ish komandanti i KFOR-it ka vizituar edhe kontigjentin gjerman në Prizren, ku një vizitë të posaçme i ka bërë një batalioni të këmbësorisë bjeshkore, të cilin e kishte komanduar më herët gjatë karrierës së tij ushtarake. “Unë kam qenë komandant i batalionit të këmbësorisë bjeshkore dhe është e çuditshme për mua që batalioni në të cilin jam rritur tash po shkon në Kabul, ndërsa batalioni të cilin e kam komanduar është vendosur tash në Prizren. Pra e shihni involvimin e ngushtë të forcave ushtarake gjermane në paqëruajtje”, thotë Reinhardt. Gjenerali i pensionuar gjerman flet me mburrje për kontributin e ushtrisë gjermane në misionet paqësore. “Kontigjentet gjermane janë të dytat për nga madhësia në mesin e forcave që kontribuojnë në paqëruajtje me më shumë se 10.000 pjesëtarë. Kjo do të shtohet edhe më shumë me dyfishimin e numrit të forcave tona në Kabul. Kjo është një barrë e madhe, por edhe është shumë shtrenjtë dhe është barrë për ushtarët, mirëpo ata dëshirojnë të kontribuojnë për normalitet. Kur e shikoj situatën në Prizren dhe e krahasoj me atë që kam parë kur kam ardhur për herë të parë mendoj se ky është një ndryshim i madh në të mirë. E njëjta vlen edhe për Prishtinën”, vlerëson komandanti i dytë i KFOR-it.
402 Nordrand” (Viset e veriut) zgjoi kërshërinë e shikuesve jo për shkak të përmbajtjes por për faktin se në film luante aktori kosovar Astrit Alihajdaraj, ndërsa filmi tjetër i së dielës, “Torzok” (Të braktisurit) i vlerësuar nga “Variety” si një film i prekshëm dhe ispirues, i mahniti ata pak shikues prishtinas në sallën e kinemasë ABC. Festivali i parë ndërkombëtar i filmit në Kosovë ka hyrë në ditën e katërt dhe deri në konferencën e rregullt të pasditës, të mbajtur në kinemanë “ABC”, të hënën, janë shfaqur pesë filma me një shikueshmëri të varfër, jo më shumë se 300 shikues, njoftoi zëdhënësja e kinemasë “ABC”, Pranvera Kastrati. “Dy filmat e ditës së dytë (“Mirupafshim” dhe “Një botë pa mëshirë”) janë përcjellë nga 172 shikues, ndërsa filmat e ditës së tretë (“Viset e veriut” dhe “Të barktisurit”) janë përcjellë nga vetëm 120 shikues”, tha Kastrati. 
404 Koincidenca kohore e aktiviteteve kulturore
406 Bileta për të përcjellë një film është vetëm 2 euro, por duket se edhe këtë shumë disa prej qytetarëve nuk mund ta përballojnë, ndërsa të tjerët nuk duken askund përfshirë individët që merren me artin e dramës dhe të filmit në Kosovë. “Kemi pritur më shumë vizitorë, por duket se shfaqja e filmave në të tri qytete (Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë) koincidoi me aktivitete të shumta të tjera kulturore e sportive, siç ndodhi në Pejë kur gjatë shfaqjes së filmit kishte një ndeshje basketbolli dhe një shfaqje teatri”, deklaroi drejtori i “Kosovafilmit” dhe njëri nga anëtarët e Këshillit organizativ të festivalit, Gani Mehmetaj. Është interesant se në ditën e hapjes së festivalit paralelisht me shfaqjen e filmit të parë “Yllka”, në “ABC”, në Teatrin Kombëtar u dha repriza e shfaqjes “Orestia”, ndërsa në teatrin “Dodona” shfaqja “Galani” dhe të tri këto evenimente, vetëm atë ditë, ishin të përcjella me një numër solid vizitorësh. Në Kosovë është edhe një numër i madh i të huajve, nga vendet e ndryshme të botës që jetojnë dhe punojnë përkohësisht në kuadër të misionit të Kombeve të Bashkuara, por edhe këta të fundit nuk bëjnë përjashtim sa i përket mosshkurajes në festival. Në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar në Kosovë marrin pjesë 10 shtete nga Evropa dhe Azia (India) me 21 filma dhe të gjithë filmat përveç në shqip janë të përkthyer edhe në gjuhën angleze, mirëpo shikueshmëria nga personeli ndërkombëtar gati se është në nivelin zero.
408 Programi për studentë në kuadër të Festivalit
410 E në festival jo që ka filma të prodhimeve më të fundit nga kinematografia e pasur franceze, spanjolle, boshnjake, kroate, shqiptare dhe nga industria e largët indase, por në festival ka dhe pritet të vijnë mysafirë, artistë, dhe autorë të shumtë nga po këto shtete, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën. Prej datës 3 tetor, në Prishtinë pritet të vijë ekipi realizues i filmit boshnjak “Gori vatra” (Fitili i zjarrit) në krye me regjisorin Pjer Zalica si dhe ekipi i filmit kroat “Crvena prasina” (Pluhuri i kuq) në krye me regjisorin Zrinko Ogresta. Të hënën filloi programi i ashtuqujatur për studentë, i cili do të zgjasë deri më 5 tetor. Në kuadër të këtij programi të përditshëm, do të ketë një konferencë- debat, një film i shkurtër i realizuar nga Fakulteti i Arteve (Dega e regjisë së filmit) dhe një film artistik i huaj. Projekti studentor u kushtohet studentëve dhe hyrja në kinemanë “ABC” është falas.
411 Vizitorët e Firencës, të cilët pa mëdyshje drejtohen edhe në Faltoren Medici, ndoshta as që janë të vetëdijshëm se disa prej kryeveprave të mjeshtrit të madh Michelangelo gjenden mu nën shputat e këmbëve të tyre. Skicat e punuara në muret e bodrumit të kësaj ndërtese, në të cilin fshehej ky artist i madh gjatë rrethimit të Firencës në shekullin XVI, janë prezentuar pas 30 vjetësh të plota të restaurimit. Papa Leo X dhe Klementi VII kishin kërkuar nga Michelangelo me prejardhje nga Firenca që ta punonte varrezën për familjen Medici në San Lorenz. Që të dy këta prijës të kishës katolike ishin me prejardhje nga familja Medici që kishte sunduar në Firencë. Më 1527 Michelangelo kishte përkrahur rrëzimin nga froni të familjes Medici dhe shpalljen e republikës, ndërkaq “këshilli luftarak” që pretendonte marrjen e pushtetit e kishte ngarkuar me detyrë për përkujdesje të objekteve të qytetit. Pas tre vjetësh, Republikën e Firencës, e rrethuan trupat e Karlit V, duke e detyruar popullatën që të shpërngulet. Michealngelo në atë kohë 50-vjeçar, i përzier në politikë, ishte tërhequr për një muaj e gjysmë në bodrumin që ndodhej përfundi varrezës San Lorenzo, ku kishte filluar të bënte vizatime me qymyr në muret e ndërtesës. Licia Bertani, drejtoreshë e Muzeut të Firencës shpjegon se edhe pse vendi ku ishte strehuar piktori i madh ishte shumë i vogël, i errët dhe me lagështirë, Michelangelo nuk kishte pushuar së skicuari. “Skicat e tij dëshmojnë se ai është mjeshtër më i madh i grafiteve i të gjitha kohëve”, thotë historiani i artit, Vincenzo Bertani. Gjatë qëndrimit të tij në ditët e nxehta të gushtit në bodrum, Michelangelo kishte punuar më shumë se 56 skica, përfshirë këtu edhe ato për varrezën e faltores Medici, për faltoren e Romës dhe skicën më të famshme të tij, autoportretin, i cili nga kritikët e artit është përshkruar si një “karikaturë fantastike qesharake”. Është interesant fakti se pas rënies së Firencës në duart e carit dhe rimarrjes së pushtetit nga ana e familjes Medici, Michelangelo është falur dhe kishte vazhduar punën në varrezë para së të kthehej në Romë, më 1534. Për shkak të ndjeshmërisë së madhe të vizatimeve dhe skicave, ky bodrum nuk do të jetë i hapur për opinion të gjërë, por vetëm për njerëzit që merren me art.
412 Aktori i filmave të zhanreve të ndryshme, Charles Bronson, që luajti në rreth 60 filma, përfshirë edhe serialin “Death Wish”, ka vdekur në moshën 81-vjeçare, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters. Bëhet e ditur se Bronson ka vdekur nga pneumonia, të shtunën, në spital. Bronson ka qenë i njohur për filmat, ku luante djemtë e fuqishëm, si në serialin e filmit “Death Wish”, ku përjeton një sulm në familjen e tij, ndërsa ia vrasin gruan dhe ia dhunojnë të bijën. Emri origjinal i Bronsonit ishte Charles Buchinski. Ai ishte një nga 15 fëmijët e një minatori lituan të thëngjillit nga Pensilvania. Ka punuar edhe vetë si minator pas mbarimit të shkollës së mesme dhe vetëm shkuarja në ushtri gjatë Luftës II Botërore e largoi nga miniera. Rolin e parë si artist e luajti në filmin “Ju tash jeni në marinë” më 1950, ku luante edhe i famshmi Gari Kuper. Bronson është martuar tri herë dhe ka pasur gjashtë fëmijë. Gjatë kulmit të karrierës së tij, Bronson ishte i popullarizuar në Evropë. Në Francë ishte i njohur si “Le sacre monstre” (monsteri i shenjtë), në itali si “Il Brutto” (Njeriu i shëmtuar). Në vitin 1971 në ceremonialin e ndarjes së çmimeve Golden Globe u prezentua si “aktori më i popullarizuar në botë”. Sikur Clint Eastwoodi, që kishte nisur karrierën në filmat spagetiwestern, Bronson nga ana e tij u desh ta tregojë veten në filmat evropianë. Ai i braktisi disa oferta nëpër filma amerikanë për të kaluar në Evropë dhe për të marrë atje rolet kryesore; në Francë, Itali dhe Spanjë. Qëndrimi dhe imazhi i tij, fuqia dhe ndërtimi trupor krijuan nga ai kultin e njeriut të rrezikshëm duke e bërë aktorin më të popullarizuar në këto vende. Në moshën 50-vjeçare ai u kthye në Hollywood. Si Charles Buchinskiy apo Buchinski, luajti në rolet episodike si “Red Skies of Montana”, “The Marrying Kind”, “Pat and Mike” (në të cilin bie viktimë e Katharine Hepburnit), “The House of Ëax”, “Jubal”. Më 1954 e ndërroi mbiemrin e tij për shkak të frikës së tingullit të rusishtes në të. Bronson luajti rolin kryesor më 1958 në “Machine Gun Kelly”. U bë i njohur me filmat “The Magnificent Seven”, “The Great Escape”, “The Battle of the Bulge”, “The Sandpiper” dhe “The Dirty Dozen”. Bronson pas vetes ka lënë gruan Kimin, gjashtë fëmijë dhe dy nipër. Është njoftuar se funerali do të bëhet në rrethana private dhe familjare.
413 Autori më i lexuar brazilian, Paulo Coelho, pas kërkimit të tij dhjetëvjeçar, më në fund ia doli ta gjejë formulën përkatëse për ekranizimin e romanit të tij më të popullarizuar “Alkimisti” (“The Alchemist”). Coelho është njëri ndër autorët më të lexuar dhe më të shitur tani në botë. Romanet e tij (“Alkimisti”, “Veronika vendos të vdes”, “Mali i pestë”, “Djalli dhe zonjusha Prym”, “Manual për luftëtarin e dritës”, të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, plus romani “Buzë lumit Pjedra rrija dhe qaja” dhe “Pelegrini”) janë të përkthyer gjithsej në 56 gjuhë të ndryshme të botës dhe të shitura në më shumë se 40 milionë kopje. Mirëpo, Coelhos iu deshën jo më pak se dhjetë vjet kërkime për ta gjetur skenarin më të përshtatshëm, të adaptuar për film, në temën e Alkimistit. Për befasi të të gjithëve, regjisor i filmit do të jetë aktori Laurence Fishburne. Fishburne, i cili luan njërin ndër rolet krysore në filmin trilogjik “The Matrix (Matriksi), në filmin e ardhshëm “Alkimisti” do të ketë një përgjegjësi të trefishtë, atë të regjisorit, skenaristit dhe të rolit kryesor. Libri “Alkimisti”, bën fjalë për djaloshin, i cili gjatë kohës së inkuzicionit katolik niset nga Andaluzia drejt vendit të piramidave egjiptiane në kërkim të thesarit të madh. Është një rrëfim për kërkimin dhe gjetjen e vetvetes si dhe të fatit, që nganjëherë është më afër se sa mendohet. Ky rrëfim mistik ia doli ta robërojë imagjinatën e miliona lexuesve anembanë botës.
415 Fishburne - aktor, skenarist dhe regjisor i “Alkimistit”
417 Nga botimi i parë i këtij libri, më 1998 ishin shitur vetëm 900 kopje, ndërkohë që botuesi vendosi t’i jap fund botimit me kaq. Por, dy vjet më vonë, një botues tjetër më i madh i bleu të drejtat autoriale të librit dhe, më pas gjithçka është histori. Libri u shit, u stërshit dhe Coelho shkroi dhe rishkroi deri në kulmin e famës dhe të popullaritetit. Shtëpia “Warner Bros Pictures” i bleu të drejtat e librit për ekranizimin e këtij romani qysh në vitet e hershme të nëntëdhjetave, por Coelho, të cilit iu ishin dhënë të gjitha mundësitë për zgjedhje kurrsesi nuk ia kishte dalur të bie në ujdi me filmaxhinj, deri më tani. Mirëpo, pasi e kishte gjetur të vërtetin, në këtë rast Fishburnein, Coelho bëri të ditur se ky film do të paraqesë ekranizimin e parë dhe të fundit të njërit prej cilido librave të tij. Filmi “Alkimisti” do të fillojë të xhirohet në fund të këtij viti, në Jordani, ndërsa në kinema është planifikuar të paraqitet gjatë vitit të ardhshëm. Studioja “Warner Brothers” ka miratuar buxhetin për këtë film që është i barabartë me 80 milionë dollarë. Gjithashtu dihet se në film, përveç Fishbournit, do të luajnë edhe dy yje të ekranit, aktori Jeremy Irons dhe popmbretëresha Madonna. Vitin e shkuar kritikët e kishin quajtur Coelhon një pseudofilozof për shkak të sipërfaqshmërisë së tij në shkrime. Përballë kritikave të këtilla Coelho zakonisht i kishte rrudhur shpatullat dhe ishte mbrojtur duke deklaruar se kritikat e tilla janë vetëm nxitje për projekte të tij të mëtutjeshme.
418 Bashkëpunimi në fushën e transportit të pasagjerëve i ngjan bashkëpunimit të firmave të mëdha ajrore në fushën e transporit të mallrave nga ajri. Qëllimi ështe i qartë: Zmadhimi i pjesës së tyre në treg dhe fitimi. Tre vjet mbas krijimit të alenacës nga “Japan Airlines”, “Lufthansa”, “Skandinavian Airlines” dhe “Singapore Airlines”, bashkëpunimi midis tyre është konsoliduar në mënyrë të suksesshme në tregun ndërkombëtar. Me një kuotë prej njëzet përqindësh kjo është aleanca më e madhe në botë e transportit ajror të mallrave. Përfaqesuesit e këtyre shoqërive ajrore u mblodhën së fundi në Frankfurt për të bërë bilancin e parë të bashkëpunimit midis tyre. Aleanca në transportin ajror të mallrave e përbërë prej “Japan Airlines”, “Lufthansa”, “Skandinavian Airlines” dhe “Singapore Airlines” ka emrin ngulitës: “EOW”. Manexheri i sektorit të mallrave të “Lufthansës”, Andreas Otto, është i bindur se për efektivitetin e punës së kësaj aleance, për dinamikën, inovacionin dhe për moskonsumimin e saj, këto katër Airlines fluturojnë më tepër se 520 destinacione në rreth 100 vende të ndryshme të botes. Ato disponojnë një flotë të përbashkët prej 43 avionë mallrash, gjithashtu kapacitet mallrash për më tepër se 760 avionë pasagjerësh. Dy vjetët e fundit ishin një periudhë e vështirë për aleancën, sepse edhe ky sektor i ndjeu pasojat e terrorit të 11 shtatorit në ShBA dhe të koniukuturës së dobët në të gjithë botën. Por, ne e shohim të ardhmen e kësaj dege përsëri me optimizëm, thekson Otto. Që prej korrikut të katër Airlines në të gjitha fluturimet e tyre, vënë në dispozicion të 3 partnerëve 10 për qind të kapacitetit për postime ekspres. Me këtë, klientëve të aleancës i vihet në dispozicion rrjeti më i madh në botë, për të dërguar postën e tyre, tha Andreas Otto. “Kishim një fluturim, i cili shkonte nga Ansterdami nëpërmjet Frankfurtit për në Australi dhe ekzistonte mundësia që na jepet prej kësaj aleance, që në qoftë se një postim për arsye të ndryshme, si p.sh. shkarkimi i gabuar, ose vonesa e një pjese të dërgesës, etj., ne mund t’u përmbahemi orareve dhe premtimit për të realizuar dërgesën nëpërmjet frekuencës së lartë të qarkullimit që kemi me këtë aleancë, duke përdorur fluturimet e partnerëve”, thotë Otto. Kjo aleancë në shtator do të hapë në Frankfurt një terminal të ri. Siguria do të jetë një nga synimet kryesore, thotë Otto: “Një nga Faktorët më të lartë në kosto do të jetë sigurimi i terminalit, ku do të gjendet stadi më i lartë i sigurisë aktuale që kanë këto shoqëri. Në fushën e transportit të pasagjerëve siguria është shumë e lartë, e tillë do të jetë ajo edhe në fushën e transportit të mallrave. Natyrisht ekziston frikë e madhe se mund të ndodhë diçka me avionët e transportit të mallrave. Në këtë pikëpamje ne investojmë shuma masive jo vetëm në Frankfurt, ku ndodhet “Lufthansa”, por edhe si “EOW”- Aleancë në të gjitha proceset e sigurisë, gjithashtu në sistemet e informatikës”. Otto nuk beson se në të ardhmen e afërt do të futen dhe shoqëri ajrore të tjera në këtë aleancë. Për një bashkëpunim të tillë duhet të përshtatet dhe të harmonizohet në mënyrë absolute: për shembull strategjia dhe standardet e cilësisë dhe shërbimit: “Tani për tani ne i japim rëndësi fuksionimit të aleancës me katër partnerë, ajo duhet të arrijë suksesin e dëshiruar, dhe të përligjë investimet e bëra. Në hapin e dytë mendojmë për futjen e partnerëve të rinj në këtë aleancë, por aktualisht nuk ka bisedime konkrete për këtë”. “Lufthansa”, krahasuar në nivel ndërkombërar, është firma më e madhe në fushën e transportit ajror të mallrave, e ndjekur nga “Singapore Airlines”. “Japan Airlines” zë vendin e gjashtë, kurse “Skandinavian Airlines” është veçanërisht prezent me rrjetin e saj të dendur në Evropën Veriore.
419 Fushata e fshirjes së grurit sivjet në Kosovë ka filluar më 23 qershor dhe pothuajse gati ka përfunduar, përveç në disa vende kodrinore-malore, thonë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pyllatrisë dhe Zhvillimit Rural. Sipas një raporti të kësaj ministrie, të bazuar në nga të dhënat e drejtorive komunale për bujqësi, vjet ishin të planifikuar që me grurë të mbillen rreth 75.000 hektarë, mirëpo për shkak të kushteve klimatika gjatë kohës optimale për mbjellje, ku ka pasur shira të shumta,janë mbjellë 70.000 hektarë. Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet rendimentet e grurit janë prej 30 - 40 për qind më të ulta ose deri 1500 kilogram më pak për hektar. Krahasuar me vitin e kaluar, ku rendimenti mesatar për kulturën e grurit ka qenë 3,5 tonë për hektar, kurse sipas të dhënave nga drejtorive komunale për bujqësi, këtë vit, rendimenti mesatar për kulturën e grurit është 2,1 tonë për hektar. Për shkak të kushteve të pa përshtatshme klimatike gjatë periudhës së mbjelljes së grurit, nga të reshurat e vazhdueshme dhe pamundësisë së përgatitjes së tokës në kohën e duhur, ka bërë që shumica e sipërfaqeve të grurit të mbillen jashtë afatit optimal. Rënien e rendimentit e kanë kushtëzuar edhe thatësia, e cila ka mbretëruar një periudhë të gjatë në kohën e vegjetacionit , përdorimi jo i mjaftueshem e plehrave minerale, përdorimi i pestcideve me efekt të pamjaftueshëm, breshri i cili ka dëmtuar kulturën e grurit ne disa komuna, si dhe humbjet e shkaktuara gjatë korrjes si pasoj e autokombajnave të vjetruara. Dëmet nga thatësia dhe breshërit për kulturën e grurit gjatë këti viti, nga ky departament vlerësohet të jenë rreth 21 milionë euro. Në raportin e këtij departamenti thuhet se në fushatën për fshirjen e grurit janë përfshirë rrethë 630 autokombajna, dhe korrja ka shkuar pa vështërsi sepse nuk ka pasur të reshura gjatë kësaj periudhe. Edhe kulura e misrit nuk është zhvilluar, për shkak të thatësisë së madhe që ka mbretëruar këtë verë dhe në kohën kur më së shumti ka patur nevoj, i ka munguar uji. Prandaj edhe redimentet nuk pritet që të jenë të larta. Një faktor tjeter i cili dëmton shumë zhvillimin e bimës së misrit është se ne vendin tonë është vërejtur në masë të madhe një lloj krimbi, ku sipas Hazer Susurit, agronom në këtë departament, ky lloj krimbi është njëri ndër dëmtuesit më të mëdhenj të misrit.
420 Me të afruar të ditës së fundit për paraqitjen e ofertave për blerjen e gjashtë ndërmarrjeve të nxjerra të parat në shitje, janë shpeshtuar edhe thirrjet e zyrtarëve të AKM-së drejtuar bizneseve kosovare për të marrë pjesë në këta tenderë dhe për të blerë ndonjërën ndërmarrje. Thirrjet e këtij lloji kanë kaluar në një ofensivë, veçmas ditëve të fundit, duke lënë të nënkuptohet se AKM-ja nuk është shumë e kënaqur me interesimin e investitorëve të huaj për të blerë ndërmarrjet shoqërore. Së fundi, javën e shkuar zyrtari i lartë i AKM-së për privatizim, Ahmet Shala, në një mbledhje të Këshillit drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe një numër i biznesmenëve vendorë, ka qenë shumë “agresiv” në ftesën drejtuar kosovarëve që të marrin pjesë në tender, duke e argumetuar këtë me të mirën që u bëhet punëtorëve si dhe gjithë shoqërisë. Ai ka qenë vetëm një rast, por jo edhe i vetmi. E ftohur nga interesimin i huaj, por duke dashur që të tërheqë investues të brendshëm me qëllim që, së paku, faza e parë e privatizimit të mos dështojë, AKM-ja publikon disa herë në ditë në televizionet kosovare informatën për fillimin e privatizimit bashkë me numrat në të cilat mund të drejtohen të interesuarit. Interesimin e vogël të investuesve të huaj e konfirmon edhe numëri i vogël i atyre që kanë marrë formularë për tenderë. Burime nga AKM-ja kanë treguar për gazetën se nga 30 formularë për tenderë, vetëm gjysma e tyre është tërhequr nga të intersuar të jashtëm. Madje ende nuk dihet nëse ata do të paraqesin ofertë apo jo deri më 12 korrik, kur mbyllen tenderët. Të interesuarit, sipas zyrtarëve të lartë të AKM-së, vijnë nga një spektër i gjerë vendesh të huaja, madje edhe nga kontinente të ndryshme, duke filluar nga vendet e Evropës Perëndimore (Gjermania, Zvicra...) e deri te Lindja e Mesme (Arabia Saudite). Elementi i cili ndërlidh thirrjet e shpeshtura të zyrtarëve të AKM-së drejtuar kosovarëve me realitetin, është se gjysma e atyre që kanë tërhequr formularët e tenderëve për fazën e parë të privatizimit janë kompani vendase. Megjithëse nuk dihet se a do të paraqesin edhe këta ofertë apo jo. Zyrtarët e AKM-së ka një kohë që thonë privatisht se 6 NSH-të e para për nga profili si dhe për nga vlera janë konsideruar se do të jenë cak i bizneseve vendase më shumë sesa i investuesve të huaj. Orientimi i AKM-së drejt kosovarëve ka mundësi se lidhet edhe me “venerimin” e interesimit që kanë menaxhmenti dhe punëtorët aktualë të shumicës së NSH-ve që vetë t’i blejnë ndërmarrjet. Një shembull i këtillë janë ndërmarrjet “Termosistemi” në Rahovec dhe “Ringov” në Pejë, ku menaxhmenti dhe punëtorët e tyre kanë thënë publikisht se janë të intersuar t’i blejnë ndërmarrjet. Në “Termosistem”, interesimi nuk është ndalur në fjalë, por edhe janë mbledhur para për të blerë ndërmarrjen. Zyrtarët e lartë të AKM-së, kur flitet për këtë ndërmarrje, thuaja se fare nuk çajnë kokën se kush do të jetë blerësi, por vetëm thonë: “Atë edhe ashtu do ta blejnë menaxhmenti dhe punëtorët”. Të njëjtën gjë këta zyrtarë do të kishin dëshirë ta shohin se ka ndodhur me së paku 5 ndërmarrjet e tjera. Në rast të realizimit të këtij skenari, AKM-ja do të kishte dy argumente të forta në favor të saj para qytetarëve të Kosovës. Argumenti i parë do të ishte suksesi i fazës së parë të privatizimit, ndërsa i dyti se privatizimi nuk po bëhet vetëm që fabrikat t’u shiten “me çmim apo pa çmim të huajve të cilët më pas do të ndërprenin prodhimin në to dhe do t’i shndërronin në deponi”, sikur që thonë disa kundërshtarë të procesit si brenda NSH-ve që privatizohen ashtu edhe jashtë tyre. Shitja e NSH-ve te kosovarët, megjithatë nuk do të kishte efekte shumë pozitive për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë rast privatizimi nuk do të sillte kapital të freskët në ekonominë e vendit, por vetëm do të ndërrohej destinimi i parave që edhe ashtu janë në qarkullim. Kapitali i freskët, kryesisht i huaj, do të nevojitej për të sjellë teknologji të re pasi që shumica e ndërmarrjeve kanë makineri të vjetër dhe ajo duhet të ndërrohet. Kapitali vendas, i mbledhur nga kontributi i një pjese të punëtorëve dhe menaxhmentit, ka shumë gjasa që do të shpenzohet për të privatizuar fabrikën dhe nuk do të mbetet asnjë cent për investime në prodhim. Me makinerinë e vjetër asnjëra fabrikë nuk do të ishte më konkurrente në treg se që është sot, edhe pse ndërrohet pronari. Të dy argumentet e AKM-së, të përmendura në rast se NSH-të blehen nga kosovarët, do të vlenin edhe sikur ndonjëra ndërmarrje të kalonte në duar të diasporës shqiptare. Në rast se ndodh ndonjë transaksion i tillë, AKM-ja do të duhej të kujdesej që diaspora që blen në Kosovë të jetë me hipotekë të pastër, dhe që kapitali i dyshimtë të mos hyjë në proces, sepse do të ishte i rrezikshëm. Të mos ndodh që dikujt të mos i lejohet të investojë para në ndonjë NSH me emrin e tij për shkak se autoritetet dyshojnë që paratë e tij nuk janë të “pastra”, ndërsa që i njëjti pak më vonë të jëtë aty i pranishëm me kapital, por në emër të dikujt tjetër. Sikur ka ndodhur në disa raste të tjera vitet e kaluara.